E enjte, 13 tetor 2022- Leximet biblike.

APOSTULLI - Efesianëve 5:33-6:9.

Po edhe ju, secili veç e veç kështu le ta dojë gruan e tij si veten e tij; edhe gruaja le t’i druhet burrit. Ju djemtë bindjuni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë. “Ndero atin tënd dhe nënën tënde”, i cili është urdhërimi i parë me premtim, “që të të bëhet mirë ty, e të jesh jetëgjatë mbi dhe”. Edhe ju etërit mos zemëroni bijtë tuaj, por rritini ata me mësim e me këshillë të Zotit. Ju shërbëtorët bindjuni zotërinjve tuaj sipas mishit me frikë e dridhje, me thjeshtësi të zemrës suaj, si Krishtit, jo si shërbëtorë për sy e faqe, që duan t’u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, duke bërë me frymë dëshirën e Perëndisë, duke u shërbyer me mirëdashje si Zotit, edhe jo si njerëzve; sepse e dini që çfarëdo të mirë të bëjë secili, këtë edhe do të marrë prej Zotit, qoftë shërbëtor, qoftë i lirë. Edhe ju zotërinjtë, po ato bëni për ata, duke lënë kërcënimet; sepse e dini, se edhe ju vetë keni Zot në qiejt, edhe ai s’ka anësi.

UNGJILLI - Llukai 9:7-11.

Edhe Herod tetrarku dëgjoi gjithë ato që bëheshin prej atij; edhe mahnitej, sepse disa thoshin se Joani është ngjallur prej së vdekurish. Edhe disa, se Ilia u shfaq; edhe të tjerë, se është ngjallur ndonjë prej profetëve të moçëm. Edhe Herodi tha: Joanit unë i preva kryet; po ky, për të cilin dëgjoj të këtilla punë, cili është? Edhe kërkonte ta shihte. Edhe apostujt si u kthyen, i treguan Jisuit gjithë sa bënë; edhe ai i mori me vete dhe u hoq veçan në një vend të shkretë të një qyteti që quhej Betsaida. Edhe turmat kur e morën vesh, i shkuan pas; edhe ai si i priti, u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe ata që kishin nevojë për shërim i shëroi.