Sepse më duket se Perëndia ne apostujt na tregoi për më të fundit e njerëzve, si të dënuar me vdekje; sepse u bëmë lojë në botë, në engjëjt e në njerëzit. Ne jemi të marrë për Krishtin, e ju të mençur në Krishtin; ne të dobët, e ju të fortë; ju të lavdëruar, e ne të përçmuar.
Deri në këtë orë edhe uri kemi, edhe etje kemi, edhe të zhveshur jemi, edhe me shuplaka rrihemi, edhe endemi andej e këtej, edhe mundohemi duke punuar me duart tona; kur përqeshemi, bekojmë; kur ndiqemi, durojmë; kur shahemi, lutemi; u bëmë si të fshirat e botës, si mbeturinat e të gjithëve deri tani.
Nuk i shkruaj këto për t’ju turpëruar ju, por ju këshilloj si bij të mi të dashur. Sepse edhe sikur të keni dhjetë mijë mësues në Krishtin, po nuk keni shumë etër; sepse unë ju linda në Krishtin Jisu me anë të ungjillit. Ju lutem juve pra të bëni siç bëj unë.
Të nesërmen Jisui deshi të dalë në Galile; dhe gjen Filipin e i thotë: Eja pas meje. Edhe Filipi ishte nga Betsaidaja, nga qyteti i Andreas dhe i Pjetrit.
Filipi gjen Nathanailin, dhe i thotë: Kemi gjetur atë për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët, të birin e Josifit nga Nazareti. Edhe Nathanaili i tha: A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti? Filipi thotë: Eja dhe shih.
Jisui pa Nathanailin duke ardhur tek ai, dhe thotë për të: Shih një Izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka gënjeshtër. Nathanaili i thotë: Që ku më njeh? Jisui u përgjigj e i tha: Para se të të thërresë Filipi, kur ishe nën drurin e fikut, unë të pashë.
Nathanaili u përgjigj e i thotë: Rabi, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit. Jisui u përgjigj e i tha: Sepse të thashë se të pashë nën drurin e fikut beson? Do të shohësh më të mëdha se këto.
Pastaj i thotë: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, që tani e tutje do të shihni qiellin të hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi të Birin e njeriut.