Edhe përpara se të vinte besimi, ruheshim nën ligj, të mbyllur brenda në besimin, i cili ishte për t’u zbuluar.
Prandaj ligji u bë mësuesi ynë në Krishtin, që të drejtësohemi prej besimit. Por si erdhi besimi, nuk jemi më nën mësues.
Sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit që është në Krishtin Jisu. Sepse sa u pagëzuat në Krishtin, në Krishtin u veshët.
Nuk ka më Jude as Grek; nuk ka më shërbëtor, as të lirë; nuk ka më mashkull e femër; sepse ju të gjithë jeni në Krishtin Jisu. Edhe në jeni ju të Krishtit, atëherë jeni farë e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.
Edhe them se, sa kohë trashëgimtari është foshnjë, nuk dallon fare nga shërbëtori, ndonëse është i zoti i të gjithave; por është nën mbikqyrës e kujdestarë, deri në kohën e caktuar nga i ati.
Kështu edhe ne, kur ishim foshnja, ishim robër nën elementë te botës; po kur erdhi plotësia e kohës, Perëndia dërgoi të Birin, që lindi prej gruaje dhe që ishte nën ligj, që të shpërblejë ata që ishin nën ligj, që të marrin birësinë.
Edhe një të shtunë ishte duke mësuar në një sinagogë. Edhe ja ishte një grua që kishte frymë sëmundjeje tetëmbëdhjetë vjet, edhe ishte e kërrusur e nuk mundej fare të ngrihej drejt. Edhe Jisui kur e pa, e thirri dhe i tha: Grua, je e çliruar prej sëmundjes sate. Edhe vuri duart mbi të, edhe ajo menjëherë u drejtua, dhe lavdëronte Perëndinë.
Po i pari i sinagogës u përgjigj me zemërim, sepse Jisui e shëroi të shtunën, edhe i thoshte turmës: Gjashtë ditë janë, në të cilat duhet të punoni; ndër këto, pra, ejani e shërohuni e jo ditën e shtunë. Zoti atëherë u përgjigj e i tha: Hipokrit, gjithësecili prej jush të shtunën a nuk e zgjidh kaun e tij a gomarin nga grazhdi, edhe e sjell e i jep ujë?
Edhe kjo që është bijë e Abrahamit, të cilën ja tek e pati lidhur satanai tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej prej kësaj lidhjeje ditën e shtunë?
Edhe ndërsa ai po thoshte këto, gjithë kundërshtarët e tij turpëroheshin; edhe gjithë turma gëzohej për tërë punët e lavdërueshme që bëheshin prej tij.