Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju bashkë me të do të shfaqeni në lavdi. Bëni pra të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi dhe, imoralitetin, papastërtinë, dëshirimin, dëshirën e keqe dhe lakmimin, që është idhujtari, për të cilat vjen zemërata e Perëndisë përmbi bijtë e pabindjes.
Në këto edhe ju ecët dikur, kur rronit në to. Po tani hidhini tej edhe ju të gjitha këto, zemëratën, mërinë, ligësinë, blasfeminë, fjalët e ndyra prej gojës suaj. Mos gënjeni njëri-tjetrit, pasi zhveshët njeriun e vjetër bashkë me punët e tij, edhe veshët të riun që përtërihet në njohje sipas shembëllesës së atij që e ka krijuar; ku s’ka Grek e Jude, rrethprerje e parrethprerje, barbar, Skit, shërbëtor, të lirë, por të gjitha e mbi të gjitha është Krishti.
Edhe ai i tha atij: Një njeri bëri një darkë të madhe dhe ftoi shumë. Edhe në kohën e darkës dërgoi shërbëtorin e tij që t’u thoshte të ftuarve. Ejani, se tani të gjitha janë gati. Edhe të gjithë si të ishin në një mendje nisën të hiqeshin mënjanë.
I pari i tha: Bleva një arë dhe kam nevojë të dal e ta shoh; të lutem të më ndjesh. Edhe një tjetër tha: Bleva pesë pendë qe dhe po shkoj t’i provoj; të lutem, të më ndjesh.
Edhe një tjetër tha: Mora grua dhe prandaj nuk mund të vij. Edhe ai shërbëtori erdhi dhe ia tregoi të zotit këto. Atëherë i zoti i shtëpisë u zemërua, e i tha shërbëtorit të tij: Dil shpejt nëpër rrugët e nëpër udhët e qytetit, edhe fut këtu brenda të varfërit e të gjymtuarit, edhe të çalët e të verbërit.
Edhe shërbëtori tha: Zot, u bë siç urdhërove, po ende ka vend. Edhe i zoti i tha shërbëtorit: Dil nëpër udhët e nëpër gardhet dhe shtrëngoi të hyjnë, që të mbushet shtëpia ime. Sepse po ju them juve, se asnjë nga ata njerëzit që qenë ftuar nuk do të shijojë darkën time.
Sepse shumë veta janë të thirrur, por pak të zgjedhur.