Vëllezër të mi, mos e mbani me anësi besimin e Zotit tonë të lavdisë, Jisu Krishtit. Sepse po të hyjë në mbledhjen tuaj ndonjë njeri që ka unazë të artë me veshje të shkëlqyer, edhe të hyjë edhe një i varfër me rrobë të fëlliqur, edhe të hidhni sytë mbi atë që ka veshur veshjen e shkëlqyer, edhe t’i thoni atij: Ti rri më mirë këtu; edhe të varfërit t’i thoni: Ti rri atje; apo: Rri këtu nën nënkëmbësen time; a nuk bëtë në veten tuaj dallim në mes tyre, edhe a nuk u bëtë gjykatës mendimesh të liga?
Pa dëgjoni, vëllezër të mi të dashur, a nuk zgjodhi Perëndia të varfërit e botës si të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë, të cilën u ka premtuar atyre që e duan? Po ju e turpëruat të varfërin. A nuk ju mundojnë ju të pasurit, edhe ata a nuk ju zvarrisin nëpër gjykata? A nuk shajnë ata emrin e mirë, me të cilin jeni quajtur? Nëse ruani pra ligjin mbretëror, sipas Shkrimit: “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”, mirë bëni. Po nëse mbani anë, bëni mëkat, edhe qortoheni nga ligji si shkelës.
Sepse ai që të ruajë gjithë ligjin dhe të mëkatojë në një, është fajtor në të gjitha. Sepse ai që tha: “Mos shkel kurorën”, tha edhe: “Mos vrit”. Po në mos shkelsh kurorën, por vret, u bëre shkelës i ligjit.
Kështu flisni edhe kështu bëni, sikur të gjykoheni prej ligjit të lirisë. Sepse gjyqi do të jetë i pamëshirshëm për atë që s’bëri përdëllim; edhe përdëllimi triumfon mbi gjyqin.
Edhe ndodhi që në një nga ato ditë, ndërsa ai mësonte popullin në tempull, edhe jepte lajmin e mirë, kryepriftërinjtë e shkruesit bashkë me pleqtë erdhën befas, e i folën, duke thënë: Na thuaj, me ç’pushtet i bën këto? Ose cili është ai që të ka dhënë këtë pushtet?
Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Edhe unë do t’ju pyes ju një fjalë, edhe më thoni:
Pagëzimi i Joanit prej qielli ishte a prej njerëzish?
Dhe ata mendoheshin me veten e tyre duke thënë se, në thënçim: Prej qielli, do të thotë: Pse s’i besuat pra?
Po në thënçim: Prej njerëzish, gjithë populli do të na qëllojë me gurë, sepse është i bindur që Joani është profet.
Edhe u përgjigjën se nuk e dinë nga është.
Edhe Jisui u tha atyre: As unë nuk ju them me çfarë pushteti i bëj këto.