E premte, 3 shkurt 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 2 Petro 1:1-10.

Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jisu Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë besim të çmuar sa edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jisu Krisht; hir dhe paqe u shumoftë mbi ju me anë të njohjes së Perëndisë dhe të Jisu Krishtit, Zotit tonë. Sikundër fuqia e tij hyjnore na fali të gjitha ato që duhen për jetë e shpresëtari me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdi e me virtyt; me anë të të cilave na dhuroi premtimet më të çmueshme e më të mëdha, që me anë të këtyre të bëheni pjesëtarë të natyrës së Perëndisë, duke larguar prishjen që vjen në botë me anë të dëshirimit. Edhe pikërisht për këtë, duke bërë çdo përpjekje, shtoni në besimin tuaj virtytin, edhe në virtytin diturinë, edhe në diturinë vetëpërmbajtjen, edhe në vetëpërmbajtjen durimin, edhe në durimin shpresëtarinë, edhe në shprestarinë vëllazërimin, dhe në vëllazërimin dashurinë. Sepse po të jenë këto ndër ju dhe të shtohen, nuk do t’ju bëjnë të plogësht, as të pafrytshëm në njohjen e Zotit tonë Jisu Krisht. Sepse ai, tek i cili nuk janë këto, është i verbër, dritëshkurtër, edhe harroi pastrimin e mëkateve të tij të vjetër. Prandaj, o vëllezër, kujdesuni më tepër të siguroni thirrjen dhe zgjedhjen tuaj; sepse duke bërë këto, nuk do të mëkatoni kurrë.

UNGJILLI - Llukai 2:25-38.

Edhe ja tek ishte në Jerusalem një njeri, me emrin Simeon; dhe ky njeri ishte i drejtë edhe me frikë Perëndie, duke pritur ngushëllimin e Izraelit edhe Fryma Shenjtë ishte mbi të. Edhe ishte zbuluar tek ai prej Frymës së Shenjtë se nuk do të shihte vdekje para se të shihte Krishtin e Zotit. Edhe erdhi me anë të Frymës në tempull; edhe kur prindërit prunë brenda djalin Jisu, që të bënin për të sipas zakonit të ligjit, ai e mori në krahët e tij dhe bekoi Perëndinë e tha: Tani, o Zot, përlëshoje shërbëtorin tënd, sipas fjalës sate, me paqe; sepse sytë e mi panë shpëtimin tënd, që e bëre gati përpara faqes së të gjithë popujve, dritë për ndriçimin e kombeve dhe lavdi për popullin tënd Izrael. Edhe Josifi dhe e ëma e tij po çuditeshin për ato që fliteshin për të. Edhe Simeoni i bekoi ata, edhe i tha Mariamës, nënës së tij: Ja ky tek është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael, edhe për shenjë kundërshtimi. Edhe ty vetë shpirtin një shpatë ka për ta depërtuar, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Edhe atje ishte Ana, një profeteshë, e bija e Fanuelit, prej fisit të Asirit. Kjo ishte shumë e shkuar në ditë, edhe kishte jetuar me burrin shtatë vjet pas virgjërisë së saj. Edhe kjo ishte një e ve rreth tetëdhjetë e katër vjeç, e cila nuk ndahej prej tempullit, duke i shërbyer Perëndisë me agjërime e me lutje natë e ditë. Edhe kjo, pasi arriti në atë orë, lavdëronte Zotin, edhe u fliste për të, gjithë atyre që pritnin çlirim në Jerusalem.