Duke ditur së pari këtë, se asnjë profeci e shkrimit nuk bëhet me shpjegim vetjak. Sepse kurrë nuk erdhi ndonjë profeci prej dëshire njeriu, por të shtyrë nga Fryma e Shenjtë folën njerëz të shenjtë të Perëndisë.
Por kanë qenë edhe profetë të rremë në popull, sikundër do të ketë edhe ndër ju mësues të rremë, të cilët do të fusin fshehurazi herezira humbjeje, duke mohuar edhe Zotin që i bleu ata, edhe duke tërhequr kështu mbi veten e tyre humbje të shpejtë.
Edhe shumë veta do të shkojnë pas humbjeve të atyre, për të cilët udha e së vërtetës do të blasfemohet. Edhe për lakmi do t’ju tregtojnë me fjalë gënjeshtare; dënimi i qëmotshëm i të cilëve nuk vonon, edhe humbja e tyre nuk fle.
Sepse nëse Perëndia nuk kurseu engjëjt që mëkatuan, por i hodhi në fund të dheut të lidhur me hekura errësire, e i dha që të ruhen për gjyq; edhe nëse nuk kurseu botën e moçme, po pruri përmbytje mbi botën e të pabesëve, edhe ruajti Noen vetë i tetë, këtë predikues të drejtësisë; edhe dënoi në humbje qytetet e Sodomës e të Gomorrës, edhe i bëri hi, shembull për ata që do të rronin me pabesi; edhe shpëtoi Lotin e drejtë, që hidhërohej prej sjelljes së shthurur të njerëzve të pafre; sepse ky i drejtë, duke ndenjur ndërmjet tyre, vuante ditë për ditë në shpirtin e tij të drejtë duke parë e duke dëgjuar punët e tyre të paudha; Zoti di të shpëtojë nga ngasja shpresëtarët, edhe të padrejtët t’i ruajë për ditën e gjyqit që të mundohen.
Po ju vështroni veten tuaj, sepse do t’ju dorëzojnë ju nëpër këshilla, e nëpër sinagoga do të rriheni, edhe përpara qeveritarëve e mbretërve do të rrini për shkakun tim, për dëshmi tek ata.
Edhe duhet të predikohet Ungjilli më përpara nëpër gjithë kombet. Edhe kur t’ju çojnë që t’ju dorëzojnë ju, mos u kujdesni që më parë, se ç’do të flisni, as mos u mendoni; po ç’t’ju jepet juve në atë kohë, këtë flisni; sepse s’jeni ju ata që flisni, po Fryma e Shenjtë.
Edhe vëllai do të dorëzojë të vëllain për vdekje, edhe i ati të birin; edhe djemtë do të ngrenë krye kundër prindërve dhe do t’i vrasin. Edhe të gjithë do t’ju urrejnë për emrin tim; po kush të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.