E shtunë, 18 shkurt 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 1 Thesalonikasve 4:13-17.

Edhe nuk dua që ju të mos dini, o vëllezër, për ata që kanë fjetur, që të mos ju vijë keq, si edhe të tjerëve që s’kanë shpresë. Sepse nëse besojmë që Jisui vdiq dhe u ngjall, kështu edhe Perëndia ata që kanë fjetur me anë të Jisuit do t’i sjellë bashkë me atë. Sepse këtë jua themi juve me fjalë të Zotit, se ne të gjallët që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit nuk do t’ua arrijmë atyre që kanë fjetur; sepse Zoti vetë do të zbresë nga qielli me urdhër, me zë kryeengjëlli, edhe me trumbetë Perëndie, edhe të vdekurit në Krishtin do të ngjallen më përpara; pastaj ne të gjallët që do të kemi mbetur do të rrëmbehemi bashkë me ata në retë, për të takuar Zotin në ajër; edhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin.

UNGJILLI - Llukai 21:8-9, 25-27, 35-36.

Edhe ai tha: Shikoni të mos gënjeheni; sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë se unë jam; edhe se koha u afrua. Mos shkoni, pra, prapa atyre. Edhe kur të dëgjoni luftra e trazira, mos u frikësoni; sepse këto duhet të bëhen më parë; po nuk do të jetë menjëherë fundi. Edhe do të ketë shenja në diell e në hënë e në yjet; edhe mbi dhe shtrëngim kombesh që nuk dinë se ç’do të bëhet, edhe do të gjëmojë deti dhe shkulmi i valës, njerëzve do t’u dalë shpirti nga frika e nga pritja e atyre që po vijnë mbi botë; sepse fuqitë e qiellit do të tunden. Dhe atëherë do të shohin të Birin e njeriut duke ardhur në re me fuqi e me lavdi të madhe. Sepse si lak do të vijë përmbi të tërë ata që rrinë mbi faqe të gjithë dheut. Rrini zgjuar pra, duke u lutur në çdo kohë, që të bëheni të denjë t’u shpëtoni gjithë këtyre që do të bëhen, edhe të rrini përpara Birit të njeriut.