E mërkurë, 19 prill 2023 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 2:22-38.

O burra izraelitë, pa dëgjoni këto fjalë: Jisu Nazaretasin, një njeri të dëshmuar tek ju nga Perëndia me fuqira e me çudira e me shenja, të cilat i bëri Perëndia me anë të tij në mes tuaj, siç e dini dhe vetë, këtë që ju qe dhënë sipas qëllimit të caktuar dhe sipas paranjohjes së Perëndisë, ju e zutë dhe me duar paudhësie e gozhduat dhe e vratë. Këtë Perëndia e ngjalli, pasi zgjidhi dhimbjet e forta të vdekjes, se nuk mund të mbahej ai prej saj. Sepse Davidi thotë për të: “Shihja Zotin përpara meje gjithnjë, sepse është nga e djathta ime, që të mos tundem. Prandaj u gëzua zemra ime, dhe gjuha ime u ngazëllua; por edhe mishi im do të prehet me shpresë. Sepse nuk do të braktisësh shpirtin tim në had, as do të lesh shenjtin tënd të shohë prishje. Më tregove udhë jete; do të më mbushësh me gëzim me fytyrën tënde”. O burra vëllezër, mund t’ju them me guxim për kryeatin David, se ai edhe vdiq edhe u varros, dhe varri i tij është tek ne deri në këtë ditë. Po duke qenë profet, dhe duke ditur se Perëndia me betim i premtoi se nga fryti i mesit të tij, do të ngjallë Krishtin, sipas mishit, që ta ulë në fronin e tij, e pa që më përpara dhe foli për ngjalljen e Krishtit, se shpirti i tij nuk u la në had, as mishi i tij nuk pa prishje. Perëndia e ngjalli këtë Jisu, për të cilin ne të gjithë jemi dëshmitarë. Si u ngrit pra lart me të djathtën e Perëndisë dhe mori nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, derdhi këtë që ju tani shihni e dëgjoni. Sepse Davidi nuk u ngjit në qiejt; po ai thotë: “I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathtën time, deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbëse të këmbëve të tua”. Le ta dijë pra fort mirë gjithë shtëpia e Izraelit se këtë Jisuin, të cilin ju e kryqëzuat, Perëndia e bëri Zot dhe Krisht. Edhe si dëgjuan këto, u mallëngjyen në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: C’të bëjmë, o burra e vëllezër? Atëherë Pjetri u tha atyre: Pendohuni, edhe gjithësecili prej jush le të pagëzohet në emrin e Jisu Krishtit, për ndjesën e mëkateve; edhe do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë.

UNGJILLI - Joani 1:35-52.

Të nesërmen përsëri Joani ishte duke ndenjur, si edhe dy prej nxënësve të tij. Edhe kur hodhi sytë dhe pa Jisuin duke ecur, thotë: Ja qengji i Perëndisë. Edhe të dy nxënësit e dëgjuan atë duke folur, edhe shkuan pas Jisuit. Edhe Jisui si u kthye dhe pa ata duke shkuar pas tij, u thotë atyre: Ç’kërkoni? Edhe ata i thanë: Rabbi, që e përkthyer do me thënë, Mësues, ku banon? U thotë atyre: Ejani dhe shihni. Erdhën pra dhe panë ku banonte; edhe qëndruan pranë tij atë ditë; edhe ora ishte rreth së dhjetës. Njëri prej atyre të dyve që dëgjuan nga Joani dhe shkuan pas tij, ishte Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit. Ky gjen i pari të vëllanë e tij, Simonin, edhe i thotë: Gjetëm Mesinë, që e përkthyer do të thotë Krishtin. Edhe e pruri tek Jisui. Edhe Jisui hodhi sytë mbi të, edhe tha: Ti je Simoni, i biri i Jonait. Ti do të quhesh Qefa, që përkthehet Pjetër (gur). Të nesërmen Jisui deshi të dalë në Galile; edhe gjen Filipin e i thotë: Eja pas meje. Edhe Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas dhe i Pjetrit. Filipi gjen Nathanailin, edhe i thotë: Kemi gjetur atë për të cilin shkroi Moisiu në ligj, edhe profetët, Jisuin, të birin e Josifit nga Nazareti. Edhe Nathanaili i tha: A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti? Filipi thotë: Eja dhe shih. Jisui pa Nathanailin duke ardhur drejt tij, edhe thotë për të: Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka gënjeshtër. Nathanaili i thotë: Nga më njeh? Jisui u përgjigj e i tha: Para se të të thërrasë Filipi, të pashë kur ishe nën fik. Nathanaili u përgjigj e i thotë: Rabbi, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit. Jisui u përgjigj e i tha: Sepse të thashë që të pashë nën fik beson? Do të shohësh më të mëdha se këto. Pastaj i thotë: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, që tani e tutje do të shihni qiellin të hapur, edhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.