E diel, 23 prill 2023 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 12:1-11.

Në atë kohë mbreti Irod vuri duart t’u bëjë keq disave prej kishës. Edhe vrau me thikë Jakovin, të vëllain e Joanit. Edhe kur pa se kjo është e pëlqyeshme për Judenjtë, vuri ndër mend të zërë edhe Pjetrin; dhe ishin ditët e të pabrumëtave. Edhe e zuri atë dhe e vuri në burg, edhe ua dorëzoi katër palë ushtarëve prej katër vetash secila, që ta ruajnë, sepse pas pashkës donte ta nxirrte përpara popullit. Pjetri pra po ruhej në burg; po prej kishës bëhej pa pushim lutje për të. Edhe kur do ta nxirrte atë Irodi përpara, atë natë Pjetri lidhur me dy vargonj ishte duke fjetur në mes të dy ushtarëve, edhe rojet ruanin burgun përpara derës. Edhe ja një engjëll i Zotit erdhi papandehur, edhe dritë ndriti në atë vend; edhe si i ra Pjetrit në brinjë, e zgjoi, duke thënë: Ngrihu shpejt. Edhe i ranë vargonjtë nga duart. Edhe engjëlli i tha: Ngjishu, edhe mbath sandalet e tua; edhe ai bëri ashtu. Edhe i thotë: Vish rrobën tënde, edhe eja pas meje. Edhe ai si doli, i vinte pas, edhe nuk dinte se ishte e vërtetë kjo që bëhej prej engjëllit, po pandehte se sheh vegim. Edhe si kaluan rojen e parë e të dytë, erdhën në portën e hekurt që çon në qytet, e cila iu hap atyre prej vetiu; edhe si dolën, shkuan nëpër një rrugë; edhe përnjëherë engjëlli u nda nga ai. Edhe Pjetri, si erdhi në vete, tha: Tani e di me të vërtetë se Zoti dërgoi engjëllin e tij dhe më shpëtoi nga dora e Irodit dhe nga gjithë shpresa e popullit të Judenjve.

UNGJILLI - Joani 20:19-31.

Në atë ditë pra, të parën e javës, si u ngrys, edhe dyert ishin mbyllur atje ku ishin mbledhur nxënësit nga frika e Judenjve, erdhi Jisui dhe ndenji në mes, edhe u thotë atyre: Paqe mbi ju. Edhe si tha këtë, u tregoi atyre duart dhe brinjën e tij. U gëzuan pra nxënësit kur panë Zotin. Edhe Jisui pra u tha atyre përsëri: Paqe mbi ju. Siç më dërgoi Ati, edhe unë ju dërgoj ju. Edhe si tha këtë, fryu dhe u thotë atyre: Merrni Frymë të Shenjtë. Kujtdo që t’u falni mëkatet, u janë falur atyre; kujtdo që t’ua mbani, u janë mbajtur. Po Thomai, një nga të dymbëdhjetët, që quhet Binjak, nuk ishte bashkë me ata, kur erdhi Jisui. Nxënësit e tjerë i thoshin pra: Pamë Zotin. Po ai u tha atyre: Në mos pafsha në duart e tij shenjën e gozhdëve, edhe të vë gishtin tim në shenjën e gozhdëve, edhe të vë dorën në brinjën e tij, s’kam për të besuar. Edhe pas tetë ditësh përsëri ishin brenda nxënësit e tij, edhe Thomai me ata. Vjen Jisui, ndonëse dyert ishin mbyllur, dhe ndenji në mes e tha: Paqe mbi ju. Pastaj i thotë Thomait: Sill gishtin tënd këtu, edhe shih duart e mia; edhe sill dorën tënde e vëre në brinjën time, edhe mos u bëj i pabesë, po besëtar. Edhe Thomai u përgjigj, e i tha: Zoti im dhe Perëndia im. Jisui i thotë: Sepse më pe, besove. Lum ata që nuk panë dhe besuan. Edhe shumë çudira të tjera bëri Jisui përpara nxënësve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër. Po këto u shkruan që të besoni se Jisui është Krishti, i Biri i Perëndisë, edhe duke besuar të keni jetë në emrin e tij.