E mërkurë, 26 prill 2023 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 4:13-22.

Edhe duke vështruar guximin e Pjetrit e të Joanit, edhe duke kuptuar, se ishin njerëz të pashkollë e të zakonshëm, çuditeshin, po i njihnin se kishin qenë bashkë me Jisuin. Edhe si shihnin njeriun e shëruar duke ndenjur bashkë me ata, s’kishin se ç’të thoshin kundër. Atëherë i urdhëruan ata të dalin jashtë këshillit, dhe dhanë e morën në mes tyre, duke thënë: ç’t’u bëjmë këtyre njerëzve? Sepse një çudi e njohur u bë me anë të tyre, kjo është e dukshme për të gjithë ata që rrinë në Jerusalem, edhe nuk mund ta mohojmë. Po që të mos përhapet më tepër në mes të popullit, le t’i kërcënojmë fort, që asnjë njeriu të mos i flasin më për këtë emër. Edhe i thërritën e i porositën të mos flasin fare, as të mos mësojnë në emrin e Jisuit. Po Pjetri e Joani iu përgjigjën atyre, e u thanë: Në është e udhës përpara Perëndisë sonë t’ju dëgjojmë ju më tepër se Perëndinë, gjykoni. Sepse ne nuk mund të mos flasim për sa pamë e dëgjuam. Edhe ata, si i kërcënuan përsëri, i lëshuan, sepse nuk gjenin se si t’i ndëshkonin ata, për shkak të popullit, sepse të gjithë lavdëronin Perëndinë për atë që u bë. Sepse njeriu, tek i cili u bë kjo çudi e shërimit, ishte më tepër se dyzet vjeç.

UNGJILLI - Joani 5:17-24.

Po Jisui iu përgjigj atyre: Ati im punon deri tani, edhe unë punoj. Prandaj judenjtë më tepër kërkonin ta vritnin, sepse jo vetëm e prishte të shtunën, po edhe se thoshte se Perëndia është i ati i tij, duke e bërë veten e tij të barabartë me Perëndinë. Jisui pra, u përgjigj e u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Biri s’mund të bëjë asgjë prej vetvetes, në mos paftë Atin duke bërë këtë; sepse ato që bën ai, këto i bën gjithashtu edhe Biri. Sepse Ati e do Birin, edhe i tregon gjithë ato që ai bën; edhe do t’i tregojë punë më të mëdha se këto, që të çuditeni ju. Sepse sikurse Ati ngjall të vdekurit dhe jep jetë, kështu edhe Biri u jep jetë atyre që do. Sepse Ati nuk gjykon asnjë, po gjithë gjyqin ia dha Birit, që të gjithë të nderojnë Birin, sikurse nderojnë Atin. Ai që nuk nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se ai që dëgjon fjalën time, edhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, edhe në gjyq nuk vjen, por ka shkuar prej vdekjes në jetë.