E diel, 30 prill 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 6:1-7.

Edhe në ato ditë kur po shumoheshin nxënësit, u bë një ankim prej Greqishtarëve kundër Hebrenjve, se të vejat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm. Atëherë të dymbëdhjetët thërritën grupin e nxënësve, e thanë: Nuk është e pëlqyeshme për ne të lëmë fjalën e Perëndisë, e të shërbejmë nëpër tryezat. Mendohuni pra, o vëllezër, e zgjidhni prej jush shtatë burra me dëshmi të mirë e të mbushur me Frymë të Shenjtë e me urtësi, të cilët t’i vëmë në këtë punë. Kurse ne do të qëndrojmë në falje e në shërbesën e fjalës. Edhe kjo fjalë u pëlqye përpara të gjithë grupit; dhe zgjodhën Stefanin, burrë plot me besim e me Frymë të Shenjtë, edhe Filipin e Prohorin e Nikanorin e Timonin e Parmenain, edhe Nikollën që ishte prozelit nga Antiokia; të cilët i vunë para apostujve; edhe pasi u lutën, vunë duart mbi ata. Edhe fjala e Perëndisë shtohej, edhe numri i nxënësve shumohej fort në Jerusalem; edhe një shumicë e madhe nga priftërinjtë dëgjonin besimin.

UNGJILLI - Marku 15:43-16:8.

Erdhi Josifi që ishte nga Arimatea, anëtar i nderuar i këshillit, që edhe ai priste mbretërinë e Perëndisë; edhe guxoi e hyri tek Pilati dhe lypi trupin e Jisuit. Edhe Pilati u çudit, nëse tashmë kishte vdekur; edhe thirri pranë kryeqindësin, edhe e pyeti në ka kohë që ka vdekur. Edhe si mori vesh prej kryeqindësit, i fali trupin Josifit. Edhe ky bleu pëlhurë, edhe e zbriti, edhe e mbështolli me pëlhurën, edhe e vuri në një varr, që ishte latuar prej shkëmbi; edhe rrokullisi një gur në derën e varrit. Edhe Maria Magdalena, edhe Maria e Josiut, vinin re ku po vihet. Edhe si shkoi e shtuna, Maria Magdalena, edhe Maria e Jakovit, edhe Saloma, blenë erëra, që të vijnë e ta lyejnë. Edhe shumë herët në mëngjes, të parën ditë të javës, vijnë në varr, sapo lindi dielli. Edhe thoshin në mes tyre: Cili do të na rrokullisë gurin prej derës së varrit? Edhe kur hodhën sytë, shohin se guri ishte rrokullisur; sepse ishte fort i madh. Edhe si hynë në varr, panë një djalosh duke ndenjur në të djathtë, të veshur me rroba të bardha; edhe u trembën. Po ai u thotë atyre: Mos u trembni; kërkoni Jisu Nazaretasin, që u kryqëzua. U ngjall, nuk është këtu. Ja vendi ku e vunë. Po shkoni, e u thoni nxënësve të tij dhe Pjetrit se shkon më përpara se ju në Galile. Atje do ta shihni, siç ju tha juve. Edhe ato dolën e ikën nga varri; sepse i kishte zënë tmerr e habi; edhe asnjeriu s’i thanë gjë, sepse kishin frikë.