E shtunë, 10 qershor 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Romakëve 1:7-13.

Të gjithë juve që jeni në Romë, të dashur të Perëndisë, të thirrur shenjtorë, hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, edhe prej Zotit Jisu Krisht. Më përpara falënderoj Perëndinë tim me anë të Jisu Krishtit për të gjithë ju, sepse besimi juaj po shpallet në gjithë botën; sepse dëshmitari im është Perëndia, të cilit i shërbej me shpirtin tim në ungjillin e Birit të tij, se pa pushim ju kujtoj ju, duke u lutur gjithnjë në faljet e mia, që të dojë Perëndia ndonjëherë të ma bëjë mbarë të vij tek ju. Sepse kam shumë mall t’ju shoh ju, që t’ju jap ndonjë dhunti shpirtërore që të forcoheni. Edhe kjo është të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit të përbashkët, tuajit dhe timit.

UNGJILLI - Mateu 5:42-48.

Jepi atij që lyp prej teje; edhe mos e kthe fytyrën mënjanë prej atij që do hua prej teje. Keni dëgjuar se është thënë: Të duash të afërmin tënd, edhe të urresh armikun tënd. Por unë po ju them juve: Doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë juve, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë, edhe lutuni për ata që ju bëjnë keq e ju përndjekin ju; që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiejt, sepse ai bën diellin e tij të lindë mbi të ligj e mbi të mirë, edhe lëshon shiun mbi të drejtë e mbi të padrejtë. Sepse në doni ata që ju duan, çfarë page keni? A nuk bëjnë të njëjtën edhe tagrambledhësit? Edhe në përshëndetshi vetëm vëllezërit tuaj, ç’bëni më tepër? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? Bëhuni, pra, ju të përsosur, siç është i përsosur Ati juaj që është në qiejt.