E diel, 11 qershor 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Hebrenjve 11:33-12:2.

Të cilët me anë të besimit mundën mbretëri, punuan drejtësi, fituan premtime, mbyllën gojë luanësh, shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i thikës, morën fuqi nga dobësitë, u bënë të fortë në luftë, thyen ushtritë e të huajve. Gra morën të vdekurit e tyre të ngjallur; edhe të tjerë u munduan, sepse nuk pranuan shpëtimin, që të fitonin një ngjallje më të mirë. Edhe të tjerë u provuan me të përqeshura e me të rrahura, po edhe me të lidhura e me burgime. U vranë me gurë, u sharruan më dysh, u nganë, vdiqën të vrarë prej shpate; endeshin lart e poshtë veshur me lëkurë dhensh, e me lëkurë dhish, në nevojë, në shtrëngime, në keqtrajtime, ata për të cilët bota nuk ishte e denjë; duke u endur nëpër shkretëtira e nëpër male e nëpër shpella e nëpër vrimat e dheut. Edhe këta të gjithë, ndonëse morën dëshmi të mirë me anë të besimit, nuk morën premtimin, sepse Perëndia pati urdhëruar që përpara një gjë më të mirë për ne, që të mos bëhen të përsosur pa ne. Prandaj dhe ne, të rrethuar prej një reje kaq të madhe dëshmitarësh, le të hedhim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pushton lehtë, edhe me durim le të vrapojmë në rrugën që është përpara nesh, duke shikuar tek Jisui që është kryet dhe fundi i besimit, i cili për gëzimin që ishte përpara tij duroi kryqin, duke përbuzur turpin, edhe ndenji në të djathtë të fronit të Perëndisë.

UNGJILLI - Mateu 10:32-33, 37-38, 19:27-30.

Kushdo, pra, që të më pohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta pohoj atë përpara Atit tim që është në qiejt. Por këdo që të më mohojë përpara njerëzve, do ta mohoj edhe unë atë përpara Atit tim që është në qiejt. Ai që do të atin ose të ëmën më tepër se mua, nuk është i denjë për mua; edhe ai që do bir a bijë më tepër se mua, nuk është i denjë për mua. Edhe ai që nuk merr kryqin e tij e nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua. Atëherë u përgjigj Pjetri e i tha: Ja ne tek i lamë të gjitha, edhe të ndoqëm pas. Vallë, ç’do të jetë për ne? Edhe Jisui u tha: Me të vërtetë po ju them juve, se ju që më ndoqët pas, në krijimin e ri, kur të rrijë i Biri i njeriut mbi fronin e lavdisë së tij, do të rrini edhe ju mbi dymbëdhjetë frone duke gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Edhe kushdo që la shtëpi, a vëllezër, a motra, a atë, a nënë, a grua, a bij, a ara, për hir të emrit tim, do të marrë njëqind fish, edhe do të trashëgojë jetë të pasosur. Po shumë të parë do të jenë të fundit, edhe të fundit të parë.