E mërkurë, 21 qershor 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Romakëve 8:2-13.

Sepse ligji i Frymës së jetës në Jisu Krishtin më çliroi prej ligjit të mëkatit dhe prej vdekjes. Sepse atë që s’mundej të bënte ligji, sepse ishte i dobët me anë të mishit, Perëndia, duke dërguar Birin e tij me shëmbëllim mishi mëkatar, dhe për mëkat, dënoi mëkatin në mish; që të përmbushet drejtësia e ligjit tek ne që nuk ecim sipas mishit, po sipas Frymës. Sepse ata që rrojnë sipas mishit, kanë ndër mend punët e mishit; por ata që rrojnë sipas Frymës kanë ndër mend punët e Frymës. Sepse mendimi i mishit është vdekje, por mendimi i Frymës është jetë dhe paqe. Sepse mendimi i mishit është armiqësi tek Perëndia; sepse në ligj të Perëndisë nuk bindet, po as nuk mundet. Edhe sa janë të mishit nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë. Po ju nuk jeni të mishit, po të Frymës, në qoftë se rri Fryma e Perëndisë tek ju. Po nëse nuk ka ndonjë Frymën e Krishtit, ky nuk është i atij. Po nëse është Krishti tek ju, trupi është i vdekur për mëkatin; po shpirti është jetë për drejtësinë. Po në rri tek ju Fryma e atij që ngjalli Jisuin prej së vdekurish, ai që ngjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj të vdekshëm, me anë të Frymës së tij që rri në ju. Kështu pra, vëllezër, jemi të detyruar jo tek mishi, që të rrojmë sipas mishit. Sepse në rrofshi sipas mishit, keni për të vdekur, po në vrafshi veprat e trupit me anë të Frymës, do të rroni.

UNGJILLI - Mateu 10:16-22.

Ja tek po ju dërgoj unë juve si dhen në mes të ujqve; bëhuni pra të mençur si gjarpërinjtë, dhe të pastër si pëllumbat. Edhe ruhuni nga njerëzit; sepse do t’ju dorëzojnë ju nëpër kuvende, edhe do t’ju fshikullojnë nëpër sinagogat e tyre; Edhe do të silleni për shkakun tim përpara prijësve edhe përpara mbretërve, për dëshmi në ta dhe në kombet. Po kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se si apo ç’do të flisni, sepse do t’ju jepet juve në atë orë se ç’do të flisni. Sepse nuk jeni ju ata që flisni, po Fryma e Atit tuaj që flet ndër ju. Edhe vëllai do të dorëzojë të vëllanë në vdekje, edhe i ati të birin; edhe bijtë do të ngrenë krye kundër prindërve e do t’i vrasin. Edhe do të urreheni nga të gjithë për emrin tim; por ai që të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.