E enjte, 22 qershor 2023 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - Romakëve 8:22-27.

Sepse e dimë se i gjithë krijimi bashkërënkon dhe bashkëvuan në dhimbje lindjeje deri tani. Edhe jo vetëm ai, po edhe ata që kanë frytin e parë të frymës, edhe ne vetë rënkojmë në veten tonë, duke pritur birësimin, shpërblimin e trupit tonë. Sepse me shpresën shpëtuam; por shpresa që shihet nuk është shpresë, sepse për atë që sheh njeriu, përse edhe të shpresojë? Po nëse shpresojmë për atë që nuk e shohim, me anë të durimit e presim. Gjithashtu edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse nuk dimë për çfarë të lutemi siç duhet, por vetë Fryma lutet për ne me rënkime të pazëshme. Dhe ai që shqyrton zemrat e di se ç’është mendimi i Frymës, se sipas Perëndisë ndërmjeton për shenjtorët.

UNGJILLI - Mateu 10:23-31.

Edhe kur t’ju ndjekin ju në këtë qytet, ikni në tjetrin; sepse me të vërtetë po ju them juve: Nuk do t’i mbaroni dot qytetet e Izraelit, deri sa të vijë i biri i njeriut. Nuk është nxënësi përmbi mësuesin, as shërbëtori përmbi të zotin. Mjafton për nxënësin të bëhet si mësuesi i tij, edhe shërbëtori si i zoti. Në qoftë se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebul, sa më shumë pjesëtarët e shtëpisë së tij? Mos u keni frikë pra atyre; sepse nuk ka asgjë të mbuluar që nuk do të zbulohet; edhe të fshehur që nuk do të njihet. Atë që po ju them juve në errësirë, thuajeni në dritë, edhe atë që dëgjoni në vesh, shpalleni mbi çati. Edhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, po shpirtin s’mund ta vrasin; por kini frikë më shumë nga ai që mund të humbasë në gjehenë edhe shpirtin edhe trupin. A nuk shiten dy harabela për një aspër? Por as edhe një nga ata nuk do të bjerë mbi dhe, pa lejen e Atit tuaj. Po juve edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës ju janë të numëruara. Mos kini frikë, pra; ju ndryshoni nga shumë harabel.