Perëndia nuk e hodhi tej popullin e tij, të cilin e njohu që përpara. Apo nuk dini ç’thotë Shkrimi për Ilian? Si i flet Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë: “Zot, profetët e tu i vranë, edhe theroret e tu i shembën; edhe unë mbeta i vetëm, edhe kërkojnë jetën time”. Po ç’i thotë përgjigjja e Perëndisë? “Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, të cilët nuk u ulën në gjunjë përpara Baalit”.
Kështu pra edhe në kohën e tanishme ka ngelur një mbetje sipas zgjedhjes së hirit. Edhe nëse është prej hiri, nuk është më prej veprash; sepse ndryshe hiri nuk është më hir; po nëse është prej veprash, nuk është më hir, sepse vepra nuk është më vepër. Çfarë pra?
Izraeli nuk e gjeti atë që kërkon; po të zgjedhurit e gjetën, edhe të tjerët u verbuan, siç është shkruar: “Perëndia u dha atyre frymë përgjumje, sy që të mos shohin, edhe veshë që të mos dëgjojnë” deri në ditën e sotme. Edhe Davidi thotë: “Iu bëftë atyre tryeza për kurth e për lak e për pengesë e për shpagim. U errësofshin sytë e tyre për të mos parë; edhe kurrizin e tyre kërruse përgjithnjë”.
Them pra: Mos u penguan, që të rrëzohen? Qoftë larg. Po me anë të rrëzimit të tyre u bë shpëtimi i kombeve, që t’i shtjerë ata në zili. Edhe në është rënia e tyre pasuri për botën, edhe dështimi i tyre pasuri për kombet, sa më të tepër do të jetë plotësia e tyre?
Atëherë zuri të qortojë ashpër qytetet, në të cilat u bënë çuditë më të shumta të tij, sepse nuk u penduan: Mjerë ti, Horazin! Mjerë ti, Betsaida! Sepse çuditë që janë bërë tek ju, po të ishin bërë në Tir e në Sidonë, qëkur do të ishin penduar të veshur në thes e të ulur në hi.
Veç po ju them juve: Në Tir e në Sidonë më i durueshëm do të jetë dënimi në ditët e gjyqit, se për ju. Edhe ti, Kapernaum, që je ngritur lart deri në qiell, do të zbresësh deri në had; sepse këto çudi që janë bërë tek ti, po të ishin bërë në Sodomë, do të kishte mbetur deri në ditët e sotme. Veç po ju them juve, se për dheun e Sodomës më i durueshëm do të jetë dënimi në ditët e gjyqit se për ty.
Në atë kohë Jisui u përgjigj e tha: Të lavdëroj ty, o Atë, Zot i qiellit edhe i dheut, se ua fshehe këto të diturve e të mençurve, edhe ua zbulove ato fëmijëve. Po, o Atë, sepse kështu u bë e pëlqyer përpara teje.