U ushtrua në kohën e Perandor Dioklecianit (284-305). Dorotheu dhe Efsevia, të pasur dhe të pëlqyer nga Perëndia, por pa fëmijë, luteshin që të bëheshin me fëmijë. Dhe kështu lindën vajzë ditën e diel (ditën që kujtohet ngjallja e Krishtit), ndaj dhe e pagëzuan me emrin Kiriaki (greqisht Kiriaki: dita e Zotit, zotërore), që përkon me ditën e Diel. Duke u rritur, ajo pati shumë kërkesa për nuse nga arkondët, për hir të bukurisë së saj shpirtërore dhe trupore. Por, duke dëshiruar dhëndrin e shpirtrave, Jisuin, nuk i pranonte propozimet për martesë.
Kështu, një idhujtar, që e kërkonte nuse për të birin, u zemërua dhe e denoncoi pranë Dioklecianit, i cili hetoi prindërit dhe të bijën. I ati u rrah pa mëshirë. Më pas, së bashku me bashkëshorten i dërguan tek arkondi brutal i qytetit armen, Melitini, se mos ndoshta i kthente në paganizëm. Por nuk ia arriti dot dhe u preu kokën.
Kiriakinë, Diokleciani ia dërgoi bashkëperandorit Maksimian (286-305), i cili në atë kohë ndodhej në Nikomedia të Propontidës, në Vithini të Azisë së Vogël. (Nikomedia në vitin 293 u bë kryeqytet i Dioklecianit). Meqenëse nuk e gënjeu me lajka, urdhëroi dhe e tendosën me këmbë e duar dhe e fshikulluan me orë të tëra. Ndërsa torturuesit u lodhën, virgjëresha, e fuqizuar nga Hiri hyjnor, dukej e gëzuar. Maksimiani i qortoi, duke kujtuar se nuk e godisnin fort ngaqë u vinte keq për bukurinë e saj.
Më pas e dërgoi te komandanti gjakatar i Vithinisë, i cili urdhëroi dhe e varën prej flokësh për orë të tëra dhe e digjnin me llambadhe. Në burg iu shfaq Zoti, e inkurajoi dhe e shëroi, saqë komandanti u mahnit. Ajo pranoi të shkonin në tempullin e hyjnive, siç i kërkoi ai, por në vend që të bënte fli, ajo iu lut Krishtit. Kështu ra tërmet dhe u rrëzuan idhujt duke u thyer copa-copa, dhe një erë e fortë i shpërndau, ndërsa një rrufe goditi për vdekje tiranin.
Predikoi lirisht, derisa pasardhësi i tij e arrestoi. E hodhi në zjarr, por zjarri u shua nga një shi i papritur. E hodhën te luanët, por ata u sollën me të si kafshë shtëpiake. Atëherë shumë njerëz besuan dhe i vranë. Në fund, kur do t’i prisnin kokën, ajo iu lut xhelatëve dhe ata e lejuan që të lutej. Atëherë u shfaqën engjëjt dhe morën shpirtin e saj.
Peregrini, Lukiani, Pompeu, Hisiki, Papia, Saturnini dhe Gjermani ishin të krishterë të devotshëm nga Italia dhe u strehuan në Durrës (Dyrrahium) për t’i shpëtuar persekutimit të Trajanit. Morën pjesë në martirizimin e shën Astit (6 korrik) dhe shkuan për ta varrosur trupin e tij me ndere.
U kapën nga rojet dhe shpallën se ishin nxënës (dishepuj) të Krishtit. I dorëzuan në duart e Agrikolës, i cili i la mbi një anije në det. U mbytën dhe nëntëdhjetë vjet më vonë, pas një zbulimi, lipsanet e tyre u mblodhën nga kryepiskopi i Aleksandrisë, i cili i varrosi denjësisht, dhe ndërtoi një kishë për nder të tyre.