E shtunë, 8 korrik 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 1 Timotheut 4:9-15.

E besueshme është fjala dhe e denjë për t’u pranuar. Sepse për këtë edhe mundohemi edhe përbuzemi, se shpresuam në Perëndinë e gjallë, i cili është shpëtimtari i gjithë njerëzve, po më fort i besimtarëve. Këto porosit edhe mëso. Askush le të mos të të përbuzë për rininë tënde, po bëhu shembull i besimtarëve në fjalë, në shoqëri, në dashuri, në frymë, në besim, në dëlirësi. Deri sa të vij unë, jepu pas leximit, pas këshillimit, pas mësimit. Mos ji i pakujdesshëm për dhuntinë që është tek ti, e cila t’u dha me anë profecie, me vënien e duarve të pleqësisë. Për këto kujdesu, në këto qëndro, që të shfaqet mbarësia jote tek të gjithë.

UNGJILLI - Mattheu 9:9-13.

Edhe duke shkuar Jisui andej, pa një njeri të quajtur Matthe, duke ndenjur në doganë. Edhe i thotë: Eja pas meje. Edhe ai u ngrit e shkoi pas tij. Edhe ndodhi që tek po rrinte në shtëpi të Mattheut, ja tek erdhën shumë tagrambledhës e mëkatarë, edhe rrinin bashkë me Jisuin edhe me nxënësit e tij. Edhe Farisenjtë kur panë, u thanë nxënësve të tij: Përse mësuesi juaj ha bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë? Po Jisui kur dëgjoi, u tha atyre: Ata që janë të shëndoshë s’kanë nevojë për mjek, por ata që kanë keq. Edhe shkoni e mësoni ç’është “Dua përdëllim, e jo therore”, sepse s’kam ardhur të thërres të drejtë, por mëkatarë në pendim.