E hënë, 7 gusht 2023 – Leximet biblike

APOSTULLI - 1 Korinthianëve 15:12-20.

Edhe nëse predikohet Krishti se u ngjall prej së vdekurish, si thonë disa veta ndër ju se nuk ka ngjallje të vdekurish? Edhe nëse nuk ka ngjallje të vdekurish, as Krishti nuk u ngjall. Edhe nëse nuk u ngjall Krishti, pa fjalë predikimi ynë është i kotë, edhe besimi juaj i kotë, dhe qenkemi edhe dëshmitarë të rremë të Perëndisë, sepse dëshmuam për Perëndinë se ngjalli Krishtin, të cilin nuk e paska ngjallur, në qoftë pra se nuk u ngjallkan të vdekurit. Sepse nëse nuk ngjallen të vdekurit, as Krishti nuk u ngjall. Po nëse nuk u ngjall Krishti, besimi juaj është i kotë dhe jeni ende në mëkatet tuaja. Pa fjalë edhe ata që fjetën në Krishtin janë të humbur. Në shpresofshim në Krishtin vetëm në këtë jetë, jemi më të mjerët e gjithë njerëzve. Po tani Krishti u ngjall prej së vdekurish; u bë fryti i parë e atyre që kanë fjetur.

UNGJILLI - Marku 9:2-9.

Edhe pas gjashtë ditësh Jisui merr Pjetrin e Jakovin e Joanin, edhe i ngjit ata vetëm mbi një mal të lartë veçan; edhe ndërroi fytyrën përpara tyre. Edhe rrobat e tij u bënë të shndritshme, të bardha fort si dëbora, të tilla që rrobëzbardhës mbi dhe s’mund t’i zbardhë kështu. Edhe iu shfaq atyre Ilia bashkë me Moisiun; edhe ishin duke folur bashkë me Jisuin. Edhe Pjetri u përgjigj e i tha Jisuit: Rabbi, mirë është të jemi ne këtu; edhe le të bëjmë tri tenda, një për ty, edhe një për Moisiun, edhe një për Ilian. Sepse s’dinte se ç’të fliste, sepse ishin trembur keq. Edhe një re i mbuloi, edhe erdhi një zë prej resë duke thënë: Ky është biri im i dashur, atë dëgjoni. Edhe befas kur vunë re përqark, s’panë më asnjë, po Jisuin vetëm bashkë me veten e tyre. Edhe ndërsa ata ishin duke zbritur nga mali, i porositi ata të mos i tregojnë asnjeriu sa panë, veç kur të ngjallet i Biri i njeriut prej së vdekurish.