Ju burrat duajini gratë tuaja, siç deshi edhe Krishti kishën, edhe dha veten e tij për të, që ta shenjtërojë, duke e pastruar atë me larjen e ujit, me anë të fjalës; që ta nxjerrë atë përpara vetes kishë të lavdishme, pa pasur njollë, ose rrudhë, a ndonjë të tillë, por që të jetë e shenjtë e patëmetë.
Kështu e kanë për detyrë burrat të duan gratë e tyre, si trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten e tij. Sepse askush ndonjëherë s’e urreu trupin e tij, po e ushqen dhe e ngroh, sikurse edhe Zoti kishën. Sepse jemi pjesë të trupit të tij, prej mishit të tij dhe prej eshtrave të tij. “Prandaj njeriu do të lerë të atin e të ëmën dhe do të ngjitet pas gruas së tij, edhe do të jenë të dy një mish.” Ky mister është i madh; por unë e them për Krishtin dhe për kishën.
Po edhe ju, secili veç e veç kështu le ta dojë gruan e tij si veten e tij; edhe gruaja le t’i druhet burrit.
Edhe pse më thërritni, Zot, Zot, dhe nuk bëni ato që them? Kushdo që vjen tek unë dhe dëgjon fjalët e mia, dhe i bën, do t’ju tregoj juve me cilin ngjan: Ngjan me një njeri që ndërtonte një shtëpi, i cili edhe gërmoi edhe thelloi edhe vuri themel mbi shkëmb; edhe kur vërshuan ujërat, u përplas lumi në atë shtëpi dhe nuk mundi ta tundë; sepse ishte themeluar mbi shkëmb.
Po ai që dëgjoi e nuk bëri, ngjan me një njeri që ndërtoi shtëpi mbi dhe pa themel. Në këtë u përplas lumi, dhe përnjëherë ra, edhe rrënimi i asaj shtëpie u bë i madh.
Edhe pasi mbaroi gjithë fjalët e tij në veshët e popullit, hyri në Kapernaum.