Mesazhe të Krishtlindjeve ndër vite nga Kryepiskopi Anastas – Rinia Orthodhokse “BIJ TË DRITËS”

Lutje për paqe – Kushtet paraprake – Krishtlindje 2022
“Ti, që je Perëndi i paqes dhe Atë i dhembshur,

na dërgove Engjëllin e Këshillit tënd të madh,

që na dhuron paqe…”.

(Zbritësoret e së kremtes së Krishtlindjes)

Dëshira e zjarrtë për paqe së fundmi është kthyer në dhimbje të përditshme, klithmë dhe përgjërim për qindra mijëra njerëz. Për shkak të luftës së papranueshme katastrofike të Rusisë kundër Ukrainës, mbizotëron një hidhërim i pamasë. Në të njëjtën kohë, konflikte të armatosura ka në Siri, në Jemen dhe, përgjithësisht, në Azi e në Afrikë, dhe sulmet terroriste janë të shpeshta në qendrat e mëdha urbane perëndimore. Botën vazhdojnë ta mundojnë edhe luftërat e një lloji tjetër, ato ekonomike, diplomatike, ideologjike. Dhuna dhe arbitrariteti nuk kursyen së përdhosuri as vendet e shenjta. Për interesat e fuqive të ndryshme, keqinformimi përdoret si armë luftarake për të nënshtruar mendimin dhe ndërgjegjen e shumë njerëzve.

E kremtja e Krishtlindjes thekson jo vetëm kërkesën dhe dëshirën për paqe, por tregon edhe mënyrën se si mund të arrihet ajo. Ardhja e Shpëtimtarit të botës, Jisu Krishtit, që u prit me himnin engjëllor: “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe, dhe mbi njerëzit mirëdashje” (Llk. 2:14), përbën përmbushjen e profecisë së Isaisë (shek. 8 pr. Kr.): “Se një djalë na lindi… dhe do të quhet Engjëll i Këshillit të madh, Këshilltar i mrekullueshëm, Perëndi i fuqishëm, Mbizotërues, Princ i paqes, Atë i jetës së amshuar… dhe paqja e tij nuk do të ketë kufij…” (Isa. 9:6-7).

Paqja nuk është thjesht një urim, por është dhuratë hyjnore dhe arrihet përmes bashkëpunimit të njeriut me Perëndinë. Rrezatimi i hirit hyjnor është i mirëqenë, ndërsa përpjekja e njeriut pritet të ndodhë. Përvoja e krishterë orthodhokse dëshmon për një paqe të shumanshme me veten, me të tjerët, me Perëndinë, me krijimin. Në rrafshin profetik, Krishtlindja përmbledh, në trajtën e tyre fillestare, të vërtetat e mëdha, të cilat shpalosen plotësisht gjatë jetës së Krishtit, kulmojnë me Pësimin dhe Ngjalljen dhe jetësohen nga Kisha në të kremtet e mëdha.

Në pamje të parë, e kundërta e paqes mendohet të jetë lufta. Jam i bindur se e kundërta e paqes, thellë-thellë, është egocentrizmi, në trajta të ndryshme: mburrje, krenari, sedër e sëmurë, mendjemadhësi; është ky që prish marrëdhëniet ndërmjet njerëzve e popujve dhe nxit konflikte të vogla e të mëdha. Brenda dritës së Lindjes së Krishtit shfaqet qartazi, gjithashtu, se egocentrizmi mposhtet përmes dashurisë dhe përulësisë, të cilat janë kushtet paraprake për vendosjen e paqes.

Thelbi i mesazhit të krishterë është ky: “Aq shumë e deshi Perëndia botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme” (Jn. 3:16). Shprehjet e dashurisë, të përcaktuara nga besimi i krishterë, rrezatojnë pareshtur në Personin e Jisu Krishtit dhe të atyre që e ndjekin pas me përkushtim. Sikurse thekson edhe shën Maksim Omologjeti: “Mjaft njerëz kanë folur shumë për dashurinë, por nëse e kërkon atë, do ta gjesh vetëm te nxënësit e Krishtit, sepse vetëm ata kanë pasur si mësues të dashurisë vetë Dashurinë e vërtetë” (Rreth Dashurisë, 4, 100).

Biri dhe Fjala e Perëndisë nuk u bë njeri për të na parashtruar një teori të përgjithshme e të papërkufizuar rreth dashurisë, po për të na e zbuluar atë duke qëndruar mes nesh; për të hedhur dritë, përmes njohjes së Perëndisë, mbi të vërtetën që “Perëndia është dashuri. Kush qëndron në dashurinë, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të” (1 Jn. 4:16). Tufa e rrezeve të dritës së dashurisë përmban gjithë spektrin e virtyteve: drejtësinë, mirësinë, faljen, të vërtetën, që janë kushtet paraprake për forcimin e paqes.

Biri dhe Fjala e Perëndisë, i Gjithëfuqishmi dhe i Pakuptueshmi për mendjen, falë dhembshurisë së Tij pa kufi, merr natyrë njerëzore që ta lartësojë atë në mënyrë të paperceptueshme për mendjen e njeriut drejt hyjnizimit sipas hirit. Perëndinjeriu erdhi si foshnjë, si fëmijë i pafajshëm, dhe, me tërë jetën dhe flijimin e Tij, na nxit: “Mësoni nga unë, se kam zemër të butë dhe të përulur, dhe do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj” (Mt. 11:29).

“… Të udhëhequr drejt dritës së njohjes së Perëndisë”.

Me ndjenja mirënjohjeje për dritën e mahnitshme të njohjes së Perëndisë, që na dhuron Zoti ynë Jisu Krisht me Lindjen e Tij, le ta lavdërojmë Atë duke kultivuar paqen brenda vetes, me të tjerët dhe me Perëndinë; dhe le të përpiqemi të jemi bashkëpunëtorë të Tij, sipas porosisë së Tij: “Lum paqebërësit, se ata do të quhen bij të Perëndisë” (Mt. 5:9).

Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri 2023 qoftë paqeprurës dhe shëndetplotë!

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Qëndresë paqësore – Nuk jemi vetëm – Krishtlindje 2021
Klerit dhe popullit besimtar

Bij fort të shtrenjtë më Zotin,

Lindja e Krishtit kështu ka qenë…”

(Matth.1:18)

Në këto ditë festive, zakonisht përsëriten mendime, mesazhe dhe komente të ndryshme rreth paqes, dashurisë, gëzimit dhe shpresës. Sigurisht, ka dhe nga ata që preferojnë ta shkëpusin kuptimin e tyre nga thelbi i Krishtlindjes, duke i quajtur në mënyrë abstrakte “urime me rastin e festave të fundvitit”. Megjithatë, ndriçimi që sjell ngjarja çlirimtare e Ardhjes së Shpëtimtarit ndër njerëzit, shtrihet në dheun tonë të vuajtur.

Nga rrezet e shumta të Diellit të Drejtësisë, dy janë veçanërisht aktuale për kohën tonë: qëndresa paqësore e personave kryesorë në rrëfimin biblik për Lindjen dhe thelbi i kuptimit të Krishtlindjes.

Kushtet specifike, në të cilat Biri dhe Fjala e Perëndisë erdhi në botën tonë, nuk ishin komode. Pak ditë para Lindjes së Tij, Nëna e Tij bëri një udhëtim të mundimshëm nga Nazareti i Galilesë në Bethlehem të Judesë. Kur mbërritën atje, nuk u gjend për ta ndonjë shtëpi mikpritëse. Indiferenca e banorëve ishte e akullt. Madje edhe në han, “nuk kishte vend për ta atje ku kishin rënë”. Strehë gjetën në një stallë, “edhe lindi birin e saj, të parëlindurin, dhe e mbështolli me shpërgënj, dhe e vuri në grazhd” (Llk. 2:7). Që nga çasti i parë, Jisu Krishti mohoi kënaqësinë dhe luksin e kësaj bote. Nuk vonoi të shfaqet shpërthimi maniak i Herodit, që u bë shkak për ikjen në dhé të huaj, në Egjipt. Por, të gjitha këto vështirësi të paparashikuara dhe kushte jo të favorshme u përballuan me qëndresë paqësore, plot me durim, zemërgjerësi dhe qetësi.

Shpëtimtari mori pjesë në të vërtetën e ashpër të jetës njerëzore, duke u përballur, ende foshnjë, me varfërinë, përndjekjen, jetën në dhé të huaj. Mesazhi është përcaktues për të gjithë ne që duam të ecim në gjurmët e Jisuit: Qëndresë paqësore në mërzitjet e shumëllojta që shfaqen në rrugën tonë, në privime, në vuajtje, në hidhërime. Qëndresë paqësore kur përballemi me armiqësinë që nuk e presim, me shpifjet, me persekutimet. Qëndresë paqësore në rrugët e ashpra të jetës si të huaj. Kjo nuk do të thotë pasivitet. Gjatë përmbushjes së misionit të Tij shpëtimtar, Jisui “i butë dhe i përulur” iu kundërvu padrejtësisë  dhe ritualizmit. Ai dënoi me forcë hipokrizinë dhe djallëzinë, gjithmonë me qëndresë paqësore, madje edhe në gjendjet më të skajshme, në Pësimet e frikshme.

E kremtja e ndritshme e Krishtlindjes përcakton themelin e kësaj qëndrese. Ajo forcon sigurinë, se me ardhjen e Shpëtimtarit nuk jemi vetëm, se Biri dhe Fjala e Perëndisë erdhi për të qëndruar  me ne. “Emanuel” është një nga emrat e Tij kryesorë, pra, “Perëndia me ne”. Gjurmë nga kërkimi i Transhendentes, i Fuqisë së Epërme të Gjithësisë, konstatohen edhe në qytetërime të tjera. Por ajo që e bën unik mesazhin e krishterë, është se Vetë Perëndia i parajetshëm u bë njeri.

Kuptimin e së kremtes na e japin të përmbledhur dy thënie themelore të Etërve: “Sepse ai u bë njeri, që ne të hyjnizohemi”, thekson shën Athanasi i Madh, ndërsa shën Vasili i Madh nënvizon se Biri i Perëndisë erdhi në tokë, “për ta risjellë të gjithë njerëzimin te Vetja”. Perëndia i pafund mori natyrën njerëzore, që të na udhëhiqte drejt pikës më të lartë të zhvillimit dhe të përsosjes, në hyjnizimin sipas hirit. Bashkimi në Krishtin i natyrës hyjnore dhe asaj njerëzore, i dha njerëzimit një dinamikë të re dhe e lartësoi brenda dritës së energjive hyjnore të pakrijuara, me anë të të cilave rrezaton dashuria e Tij.

Në këtë panair festiv e ngazëllues, Kisha na fton, jo vetëm ta himnojmë Atë që po vjen, por edhe të forcojmë besimin tonë në praninë e Tij të vazhdueshme, brenda historisë së botës – si dhe brenda historisë sonë – me lutje dhe pjesëmarrje me gjithë zemër në Eukaristinë Hyjnore jetëdhënëse.

Shumë besojnë vetëm në Jisu Krishtin historik, në një person të së shkuarës, por nuk besojnë në Zotin përjetësisht të pranishëm. Besimi i krishterë i mëshon faktit se Krishti është gjithmonë me ne, jo vetëm në orët e pendimit dërrmues dhe të paqes, por edhe në ditët e hidhërimit, të dyshimit, të frikës, të shqetësimit dhe të sprovave, që pandemia e paprecedentë ka përhapur kudo në kohën tonë.

Ndërgjegjësimi për praninë e Zotit Jisu frymëzon, ngushëllon, fuqizon sigurinë se padyshim Perëndia do të ndërhyjë në çastin e duhur, kur Ai e gjykon.

Por, për të gjithë ne që besojmë, nuk mjafton të ndiejmë se nuk jemi vetëm, duhet edhe të përkujdesemi që prania hyjnore të jetë e prekshme në mjedisin tonë, me fjalën, veprat dhe dëshminë e jetës sonë.

Vëllezër dhe motra, dhurata më e bukur e Krishtlindjes për ne dhe për të tjerët rreth nesh, është të forcojmë besimin se Perëndia i së vërtetës, i dashurisë dhe i fuqisë është bashkë me ne. Biri dhe Fjala e Mishëruar e Perëndisë le të udhëheqë mendimet dhe veprimet tona,  që të përballojmë me qëndresë paqësore problemet e vogla dhe të mëdha të jetës sonë.

Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri, me shëndet të palëkundur dhe ndjesinë e pareshtur të pranisë së Tij.

Me dashuri të përzemërt në Krishtin Jisu,

† Αnastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Prania vendimtare – Krishtlindje 2020
“Emri i tij… Perëndia është me ne” (Matth.1:23)

Këtë vit, Krishtlindjen do ta kremtojmë pa festime sipërfaqësore, pa u mbledhur familjarisht ose me miq të shumtë, por edhe pa pjesëmarrjen e gjerë të besimtarëve në ceremonitë adhuruese. Në të njëjtën kohë, kufizimet për shkak të pandemisë do të kenë edhe disa efekte anësore pozitive. Para së gjithash, ky është një rast për të vlerësuar se sa shumë rëndësi kanë në jetën tonë shpirtërore dhe shoqërore ato gjëra që besimtarët i konsiderojnë të vetëkuptueshme, si për shembull mundësia për të shkuar në kishë, kur të duam ne, për t’u lutur, për të marrë pjesë në shërbesat fetare dhe në misteret e Kishës. Këtë herë bëhet fjalë për një lloj tjetër “kreshme” dhe ushtrimi, të imponuara nga kushtet e jashtme.

Në këtë të kremte të madhe, ndoshta do të jenë më të pakta shfaqjet sipërfaqësore, si zhurma shurdhuese e tepruar dhe elementet pa lidhje që kanë depërtuar brenda saj, me synim kryesor fitimin dhe lavdinë e kotë, duke e tjetërsuar kuptimin e vërtetë të kësaj të kremteje unike. Do të kremtojmë me thjeshtësi, privim, por edhe me dhimbje për ata që ndërruan jetë të vetmuar dhe për sa mbijetuan mes hidhërimit dhe dëshpërimit, të torturuar nga vështirësi të shumëllojta.

Me gjithë këtë tjetërsim dhe shkretim që na kërcënon, në të kremten e Krishtlindjes mbizotëron gjithmonë ngjarja unike: Ardhja dhe prania e Birit dhe e Fjalës së Perëndisë. Krishti nuk vjen si vizitor për të na përshëndetur tërë mirësjellje e më pas të largohet pa u ndjerë. Ai vjen të qëndrojë me ne. Ky është kuptimi i fjalës Emanuel, që do të thotë: “Perëndia është me ne”. Nuk vjen si një njeri i pushtetshëm për të na e hequr lirinë, duke na imponuar vullnetin e Tij. Ai vjen si foshnjë, duke ndarë me ne privimin, të qenit i huaj dhe, me buzëqeshje paqeje e shprese vjen të qëndrojë me ne. Edhe Ai vetë do të vuajë sprova, fyerje, armiqësi, që do të kulmojnë gjatë Pësimit të Tij, teksa merr pjesë në vuajtjet e mbarë njerëzimit. Ai vjen të qëndrojë me ne si i vënë në dyshim nga të tjerët, i përndjekur, që të na mbështesë dhe të na ngushëllojë me premtimin e Tij ngjallësor: “Edhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët, deri në mbarim të jetës” (Matth.28:20). Ai është me ne jo vetëm në kohë të gëzuara suksesesh, kur kemi shëndet të mirë dhe marrëdhënie harmonike me të tjerët. Ai vazhdon të qëndrojë mistikërisht me ne edhe në periudha të turbullta, kur qenien tonë e stërmundojnë hidhërimi, dështimi, sëmundja.

Mbi të gjitha, kjo prani vendimtare duhet të jetë e ndërgjegjshme dhe e vazhdueshme gjatë formësimit dhe kontrollit të mendimeve, të ideve, të vendimeve dhe të veprimeve tona. Nuk mund të lutemi që të jetë i pranishëm në orët e vështira të jetës sonë dhe të tregohemi indiferentë e të mos i kushtojmë rëndësi vullnetit të Tij në mentalitetin dhe sjelljen tonë të përditshme. Vetëm ndjesia e vazhdueshme e pranisë së Tij mund të na udhëheqë saktë në peripecitë e jetës sonë.

Pikërisht, këtë prani të Tij të shumanshme ftohemi ta përjetojmë me më shumë intensitet; këtë herë duke u mburrur më pak për dijen tonë, për aftësitë dhe fuqinë tonë njerëzore. Duke bërë më shumë kërkime rreth përparësive të gjinisë njerëzore dhe me më tepër solidaritet në nivel lokal e global. Duke pasur më tepër shpresë. Është diçka simbolike, se vaksina që pritet të japë zgjidhjen për të dalë nga robëria jonë e shumanshme e koronavirusit, vjen në jetën tonë si një dhuratë e veçantë Krishtlindjeje.

Le të rezistojmë brenda kësaj atmosfere izolimi të çuditshëm, vetmie, ankthi dhe frike të imponuar nga pandemia, duke kremtuar Krishtlindjen e sivjetshme me përkushtim të plotë ndaj pranisë çlirimtare të Birit dhe Fjalës së pakrijuar të Perëndisë, i Cili hyn brenda krijesës së dukshme, duke e pasur Ai fjalën e fundit në ecurinë e jetës sonë dhe të mbarë krijesës.

Në vetminë e papërcaktuar dhe të papritur që na ka ngrirë akull, prania mistike e Krishtit e ngroh mendimin dhe i gjallëron mushkëritë tona. Ky mesazh optimist i Krishtlindjes, i pastër si diamanti, pa zbukurime të shumta, pa veshje me ar dhe ambalazhime marramendëse, sivjet duhet të nxirret në pah dhe të përjetohet në një mënyrë të veçantë. Jo si kujtim i thjeshtë i një foshnje që është i denjë për t’u dashur, por si mesazh vendimtar shprese, si shprehja e vetme e dashurisë, e plotfuqishmërisë së Atit, Zotit dhe Krijuesit të gjithësisë; si garanci për faktin se nuk jemi të vetëm në aventurën tonë personale e globale, dhe as në këtë pandemi.

Këtë përvojë vendimtare duhet jo vetëm që ta fuqizojmë brenda vetes sonë, por edhe ta transmetojmë si antitrupa shpirtërorë tek ata që jetojnë rreth nesh. Me dhembshuri, me përulësi, me fjalë, me heshtje, pa egoizëm acarues. Nuk është vetëm koronavirusi që transmetohet pa zhurmë dhe në mënyrë aktive; shumë herë më tepër kjo ndodh me besimin tonë në këtë prani çlirimtare, i cili transmetohet qetësisht dhe në mënyrë të frytshme nga njëri besimtar tek tjetri dhe nga njëri grup tek tjetri.

Vëllezërit e mi, pra, dhurata më esenciale e Krishtlindjes, që mund t’ia ofrojmë vetes sonë dhe atyre përreth, është të kuptuarit dhe dëshmia e pranisë së Shpëtimtarit Krisht në jetën tonë të përditshme.

Krishtlindje të bekuara dhe me shëndet! Viti i Ri 2021 na sjelltë paqe dhe qoftë plot me dritë!

Me lutje të zjarrta te Zoti,.

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Pajtimi – Krishtlindje 2019
Në Krishtlindje, në të kremten e madhe të ardhjes së Birit dhe Fjalës së Perëndisë brenda njerëzimit, kremtojmë nismën mahnitëse të Perëndisë Atë për t’u pajtuar me gjininë njerëzore. Ati, i shtyrë nga dashuria e Tij e pafund, “dërgoi në botë Birin e tij të vetëmlindur, që të rrojmë me anë të tij” (1Jn. 4:9), për ta bashkuar njerëzimin me veten Tij, duke u bërë anëtar i tij- si Perëndinjeri.

Realiteti i ri që u krijua me ardhjen e Krishtit, është një entitet i ri kolektiv, “Kisha”. Ne të krishterët nuk e shprehim fetarinë tonë si individë të izoluar. Bëjmë pjesë në një komunitet të bekuar, jemi qeliza të gjalla të një trupi shpirtëror, të Kishës, që ka Krye Krishtin. Pra, në kundërvëniet, në debatet dhe polarizimet, që janë të natyrshme në një organizëm të gjallë, “vetëshërimi” që është dhuratë Perëndie, fuqia e natyrshme e shërimit të çdo trupi është pajtimi. Ky është trajtimi terapeutik në periudha krizash, armiqësish dhe ndasish, një element i domosdoshëm për kohezionin social dhe bashkekzistencën paqësore të njerëzve, të komuniteteve dhe të popujve.

Në një kohë kur ndasitë, tensionet dhe konfliktet po torturojnë botën, do ta kremtojmë Krishtlindjen në mënyrë më esenciale, vetëm nëse marrim pjesë, sipas mundësive tona, në përpjekjet për pajtim në ambientin tonë të ngushtë, në jetën profesionale, shoqërore, kishtare e politike. Pajtimi kërcënohet vazhdimisht nga egocentrizmi me shfaqjet e tij të ndryshme, si inati, zemërimi, dëshira për hakmarrje. Mënyra me të cilën Biri dhe Fjala e Perëndisë, i buti dhe i përuluri, vjen në historinë njerëzore, përcakton edhe mënyrën se si do të fitojmë mbi egocentrizmin. Parakusht kryesor për pajtimin mbetet falja, shprehja më e fortë e fuqisë së dashurisë. Fjala e Mishëruar, Krishti, këmbënguli që ne të themi vazhdimisht: “dhe falna fajet tona, sikundër edhe ne ua falim fajtorëve tanë…”. Ndjesa mbështet dhe gjallëron solidaritetin, bashkëjetesën paqësore të çdo grupimi shoqëror.

Për të kontribuuar në këtë pajtim, është e nevojshme të jemi pajtuar me veten tonë- me ndërgjegjen tonë, me mundësitë dhe me limitet tona- me qëllimin e jetës sonë. Duhet të përpiqemi vazhdimisht që, me Hirin hyjnor, të paqësohemi “me veten tonë” (1Thes. 5:13).

Para se gjithash, nevojitet pajtimi ynë me Perëndinë, me vullnetin dhe porositë e Tij, siç përcaktohen në Shkrimin e Shenjtë. Atëherë, me anë të ndriçimit të Shpirtit të Shenjtë, do të zbulojmë se: “të pamundurat për njerëzit, janë të mundura për Perëndinë” (Llk.18:27). Apostull Pavli, i nisur nga përvoja e tij, deklaronte: “Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi” (Fil. 4:13). Dhe diku tjetër: “Edhe të gjitha janë prej Perëndisë, që na pajtoi me veten e tij me anë të Jisu Krishtit dhe na dha shërbesën e pajtimit” (2 Kor. 5:18).

Biri dhe Fjala e Perëndisë që erdhi në botë, veçanërisht gjatë kësaj periudhe festive, na kërkon që të marrim pjesë në veprën e Tij, e cila nisi nga grazhdi dhe përfundoi në Kryq. Që të ecim përpara drejt një pajtimi të vërtetë me Atë, me veten tonë dhe me njerëzit tanë të afërm, që të kemi mundësi të bashkëpunojmë për pajtimin e përgjithshëm, i cili ka si qëllim, nga ana eskatologjike, “t’i përmbledhë të gjitha në Krishtin”(Efes.1:10).

Duke kujtuar me mirënjohje mirëdashjen e Perëndisë që kremtojmë në Krishtlindje dhe, duke marrë pjesë në “shërbesën e pajtimit”, që nisi me Lindjen e Tij në botën tonë, do të bëhemi të denjë të psalim së bashku në mënyrë të ndërgjegjshme “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe, dhe në njerëzit mirëdashje”.

Krishtlindje të bekuara!

Viti i Ri le të na sjellë paqe me shpresë gjallëruese, si dhe solidaritet të pandërprerë në sprovat e papritura të jetës.

Me dashuri të tërëshpirtshme më Krishtin, i Cili “na dha shërbesën e pajtimit”,

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Antidoti i pasigurisë – Krishtlindje 2018
Klerit dhe popullit besimtar

Bij fort të shtrenjtë më Zotin,

“Ja, Krishti lind, lavdërojeni… Ja, Krishti mbi dhenë, ngrihuni.”

(Zbritësoret e Krishtlindjes)

Një pasiguri e përgjithshme është përhapur si re pluhuri bërthamor në mbarë shoqërinë e sotme, duke shkaktuar vështirësi shqetësuese në frymëmarrje. Shumë përpiqen të përballen me të duke akumuluar pasuri materiale të çdo lloji. Të tjerë kërkojnë miq të fortë, njerëz me pushtet politik dhe ekonomik. Disa gjejnë strehë në ideologji të çuditshme fetare me origjinë aziatike. Me mënyra të shumëllojta njerëzit synojnë të fitojnë siguri.

E kremtja e Krishtlindjes vjen që të na ofrojë antidotin e efektshëm kundër virusit të pasigurisë, të rigjallërojë në mendjen dhe në ndërgjegjen tonë një të vërtetë që shpesh harrohet se “Perëndia është me ne”. Pikërisht ky është kuptimi i emrit të Shpëtimtarit që po vjen: “Emanuel”. Fjala e Perëndisë “u bë mish dhe banoi ndër ne” (Jn. 1:14).

Kjo përbën përvojën thelbësore të Kishës: Perëndia i pafund dhe i pakonceptueshëm, nuk e braktisi botën dhe nuk e la të vetme kundër fuqive të urrejtjes dhe egocentrizmit. Biri dhe Fjala e Perëndisë mori natyrën njerëzore. Sipas shën Vasilit të Madh, Ai erdhi në tokë “për ta sjellë tërë njerëzimin te vetja”,për ta rilidhur me Krijuesin e tij, Perëndinë personal, “i cili është dashuri”.

Shumë njerëz e hedhin poshtë zbulesën në Krishtin, duke mbështetur mendimin se gjithësia drejtohet nga një Mendje dhe Fuqi e Epërme jopersonale. Aftësi intelekti disponon edhe njeriu, krijesamë e përsosur në botë, por karakteristikë e tij e veçantë është vetëndërgjegjësimi i tij, se është person. Përse ata, të cilët i referohen në mënyrë abstrakte një Fuqie të Epërme, e duan të jetë jopersonale? Përse e mohojnë faktin se ky Realitet i Epërm është njëkohësisht një Person, me vetëndërgjegjësim, që na siguron, sipas shprehjes biblike, se është “Ai që është”, “Ai që ekziston”?

Ne të krishterët besojmë se Krijuesi dhe Zoti i gjithësisë nuk është një fuqi jopersonale, abstrakte, por është Perëndia i Gjallë, i Cili zbulohet me dëshirën e Tij dhe krijon një marrëdhënie dashurie me njeriun. Kisha nuk kërkon ta imponojë këtë të vërtetë. Veçanërisht, gjatë së kremtes së madhe të Krishtlindjes,e shpall në mënyrë lavdëruese, duke na ftuar t’i afrohemi esencialisht me besë të nxehtë dhe dashuri autentike.

“Ja, Krishti lind, lavdërojeni… Ja, Krishti mbi dhenë, ngrihuni.”

Lartësimi shpirtëror më Krishtin nuk kryhet automatikisht. Fillimisht, ka si kusht paraprak besimin. Dhe e kremtja e Krishtlindjes kërkon të na zgjojë për ta pranuar personalisht Jisu Krishtin, si Shpëtimtar, si Udhërrëfyes, si Frymëzues të mendimeve, të ndjenjave, të vendimeve dhe të veprimeve tona.

Kuptimi i thellë i pranisë së Tij të vazhdueshme, na paqëson dhe na jep kurajë, “nëse Perëndia është me ne, kush është kundër nesh?” (Rom. 8:31). Kjo siguri shpërbën çdo ndjesi pasigurie, duke ofruar ngushëllim, fuqi dhe shpresë. Dhe besimtari përsërit me gëzim paqësor psalmin: “Sepse edhe po të eci në mes të hijes së vdekjes, nuk do të kem frikë nga ndonjë e keqe, se ti me mua je” (Ps. 22).

“Ja, Krishti mbi dhenë, ngrihuni.” Jisu Krishti nuk erdhi si një profet i thjeshtë për të fshikulluar dukuritë negative, nuk na dha thjesht një sistem të ri idesh dhe parimesh. Ai erdhi për të na lartësuar, për të na bërë bij të Perëndisë, “që të marrim birësinë” (Gal. 4:5). Dhe pikërisht kjo kryhet me anë të besimit, “sepse të gjithë jemi bij të Perëndisë me anë të besimit, që është në Jisu Krishtin” (Gal. 3:26). Siç e përmbledh në mënyrë tronditëse Ungjillor Joani, duke iu referuar ardhjes së Mesisë, “Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij, të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që i beson atij, po të ketë jetë të përjetshme” (Jn. 3:16).

Marrëdhënia me Krishtin, esencialisht, është marrëdhënie dashurie, e cila formon një mënyrë jetese për të gjithë. Jisui e përcaktoi para Pësimit të Tij: “ai që ka porositë e mia dhe i ruan, ky është ai që më do; dhe ai që më do, do të duhet prej Atit tim; dhe unë do ta dua, dhe do të tregoj veten time tek ai” (Jn. 14:21). Të mira janë shprehjet e jashtme të shpresëtarisë dhe të adhurimit, por pasja e një marrëdhënieje esenciale dashurie me Krishtin, do të thotë që të bëhemi të njëtrajtshëm me llojin e dashurisë, që Ai e zbuloi me fjalën, jetën dhe sakrificën e Tij. Shën Joan Gojarti, duke komentuar himnin e apostull Pavlit “cili do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?” (Rom. 8:31-39), e përfundon duke thënë me guximin e tij të njohur: “Kjo është gjëja më e madhe nga të gjitha, ta kesh Krishtin edhe personin që ti e dashuron, edhe atë që të do ty”.

Nxënësi konsekuent i Krishtit nuk kufizohet duke u marrë vetëm me vetene tij. Paralelisht, ai ndien detyrimin të luftojë për drejtësinë, të vërtetën, pajtimin dhe paqen në ambientin e tij të ngushtë dhe më gjerë, duke kontribuuar në kohezionin e sigurt social. Nuk kufizohet vetëm në detyrat e jashtme fetare. Nuk harron se, “të bësh drejtësi dhe të jesh i vërtetë, është më e pëlqyer për Perëndinë sesa blatimet me gjak” (Fjalët e Urta 21:3). Të gjithë e dimë se tronditja dhe pasiguria që helmojnë shoqërinë, mbahen në këmbë nga korrupsioni shumëformësh, të cilin e ushqejnë gënjeshtra, lakmia, egocentrizmi, arroganca. Pikërisht këto erdhi t’i përmbysë me praninë e Tij, Biri i bërë njeri dhe Fjala e Perëndisë. Bashkërendimi ynë me parimet qëAi përcaktoi, përbën garancinë më të madhe për sigurinë e jetës sonë dhe, më gjerë, të shoqërisë.

“Ja, Krishti lind, lavdërojeni…”, vëllezërit e mi, “Ja, Krishti mbi dhenë, ngrihuni”. Krishti qëndron bashkë me ne, jo vetëm në orët e pendimit dërrmues dhe të adhurimit, por edhe në ditët e turbullta të dyshimit dhe të pafuqisë. Ndërgjegjësimi për praninë e Fjalës së mishëruar të Perëndisë shpërbën retë e pasigurisë, si dhe çdo frikë e shqetësim.

Le ta presim me besë dhe dashuri të ripërtërirë. Le ta lartësojmë në mënyrë adhuruese mendjen dhe zemrën tonë,duke kundruar Fytyrën e Krishtit të Dashur. Dhe njëkohësisht, le të punojmë për Ta njohur Atë edhe njerëzit e tjerë, afër dhe larg nesh. Krishti ofron antidotin e efektshëm kundër shqetësimit që krijon virusi i pasigurisë.

Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri le të jetë i mbushur plot me sigurinë e pranisë së Krishtit në jetën tonë të përditshme dhe në ecurinë e botës.

Me dashuri të tërëshpirtshme në Krishtin Jisu, Shpëtimtarin tonë,

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Tjetërsimi dhe kuptimi esencial i Krishtlindjes – Krishtlindje 2017
Klerit dhe popullit besimtar

Bij fort të shtrenjtë më Zotin,

“Perëndia është dashuri. Në këtë u shfaq dashuria

e Perëndisë te ne: Se Perëndia, Birin e tij, të vetëmlindurin,

e dërgoi në botë, që të rrojmë me anë të atij” (1 Jn. 4:8-9)

E kremtja e Krishtlindjes, në shoqëritë tradicionalisht të krishtera, ruan diçka të veçantë. Ajo rrezaton dritë, paqe, dashuri dhe shpresë. Por, për shkak të mënyrës si kremtohet në vendet tona të shekullarizuara, shpeshherë kuptimi i Krishtlindjes tjetërsohet dhe humbet brenda zbukurimeve të shumta. Histeria e konsumizmit dhe indiferenca shpirtërore e rrudhin interesin fetar. Shfaqjet e luksit dhe të lavdidashjes e deformojnë bukurinë e thjeshtësisë dhe të pafajësisë. Nuk bëhet fjalë për fenomene të jashtme. Ky modifikim ndodh pakuptuar në ndërgjegjen tonë.

Tjetërsimi plotësohet me pushtimin e një figure që nuk ka lidhje me Krishtlindjen, që quhet “Shën Vasili” apo babagjyshi i Krishtlindjes, i cili na shfaqet si një plak i shëndoshë me rroba të kuqe, që vjen nga Veriu dhe shpërndan dhurata. Ky mit i krijuar, që rrëmben fantazinë e të vegjëlve dhe të mëdhenjve, në thelb është një shtrembërim i frikshëm i figurës së mrekullueshme të mësuesit të urtë ekumenik, Shën Vasilit të Madh, Kryepiskopit të Qesarisë, i cili e jetoi dhe e predikoi Ungjillin e Krishtit, duke lehtësuar vuajtjen njerëzore me vepra dashurie të realizuara për herë të parë në histori.

Kisha këmbëngul të zbulojë kuptimin esencial të së kremtes: “Perëndia është dashuri”. Kështu u shfaq dashuria e Perëndisë për ne: dërgoi Birin e Tij, të vetëmlindurin, në botë, që të rrojmë me anë të Atij, duke përjetuar të vërtetën, fuqinë dhe hirin e Tij. “Perëndia u shfaq në mish” (1 Tim. 3:16). Kjo e dallon në mënyrë specifike besimin e krishterë nga çdo ideologji dhe sistem tjetër fetar. Duke theksuar se Perëndia është dashuri, shpallet qartë se Krijuesi dhe Zoti i gjithësisë nuk është një energji personale e përmbiepërme, dituri, fuqi, që njeriu do të kishte mundësi t’i afrohej me anë të aftësive të tij intelektuale. Është Perëndi personal dhe e shfaq dashurinë e Tij me marrëdhënie konkrete me gjininë njerëzore.

Biri dhe Fjala e Tij merr natyrën njerëzore, “mishërohet”. Kuptimi unikal i së kremtes formulohet saktë nga Athanasi i Madh: “Fjala e Perëndisë u bë njeri që t’i çojë njerëzit në hyjnizim”. Lindja e Krishtit i ngjan një vaksine dashurie, që vepron mistikisht dhe përhapet në mënyrë afatgjatë brenda trupit të njerëzimit. Gjithnjë e më tepër dashuria tërheq respektin dhe admirimin e gjithanshëm dhe pranohet si vlera kryesore mbarënjerëzore.

Gjatë periudhës së këtyre të kremteve, çdo besimtar ftohet në një riorganizim të brendshëm. Ftohet të ndërgjegjësohet më thellë rreth kuptimit të ardhjes së Shpëtimtarit Krisht në rrugëtimin historik të njerëzimit. Kjo Ngjarje vazhdon të mbetet rrënja e zbulesës së krishterë dhe ushqen çdo lloj propozimi dhe çdo vlerë tjetër të krishterë.

Veçanërisht e rëndësishme është se Perëndia është Ai që i pari shfaq dashurinë e Tij: “Në këtë është dashuria, jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi ne dhe dërgoi Birin e tij shpërblim për mëkatet tona” (1 Jn. 4:10). Nga ky burim i dashurisë buron edhe detyrimi i dashurisë sonë: “Të dashur, nëse na deshi kështu Perëndia, edhe ne kemi detyrë të duam njëri-tjetrin” (1 Jn. 4:11). Perëndia dashuron pavarësisht nëse të tjerët janë ose jo të denjë për dashurinë e Tij, dhe nëse në fund i përgjigjen siç duhet kësaj dashurie. Rrezaton atë që Vetë është: Dashuri. Dhe ata që e ndjekin, i fton pikërisht në këtë cilësi të dashurisë.

Por ekziston akoma edhe një tjetërsim. Ky e plagos rëndë kuptimin e dashurisë. Dashuria, kjo fjalë e mrekullueshme, përdoret me semantika të ndryshme që e modifikojnë kuptimin e saj të vërtetë. Ky tjetërsim i saj mbizotëron në aq shumë forma të artit të epokës sonë, saqë njeriu pyet veten: Ku është dashuria që humbi në erotizëm? Dhe ku është erosi që humbi në pasione, të cilat vështirë se mund t’i nxërë goja e njeriut?

Kisha, si “Trup i Krishtit”, nxjerr vazhdimisht në pah kuptimin e dashurisë, siç e zbuloi Jisu Krishti me Lindjen e Tij, me tërë jetën dhe doktrinën e Tij. Dashuria gërshetohet me përulësinë e vullnetshme. Çlirimtari erdhi në botë si foshnjë e pafajshme. Ky është një veprim i mahnitshëm i Perëndisë së pashprehshëm dhe të pakonceptueshëm të dashurisë. Është diçka e pakapshme për frekuencat e kapacitetit perceptues njerëzor.

Dashuria është një lëvizje lirie për t’u çliruar nga robëria e egocentrizmit. Ajo përcakton sjelljen njerëzore në të gjitha shprehjet e saj. Dashuria është zemërgjerë, ka fuqinë për të falur, nuk ka smirë, nuk mburret, nuk mbahet me të madh, nuk kërkon të sajat, nuk zemërohet, nuk mendon të keqen për të tjerët, nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet kur shikon të mbizotërojë e vërteta (shih 1 Kor. kap. 13). Dashuria nuk njeh kufij racorë, socialë apo politikë.

Reagimi i të krishterëve besimtarë ndaj epidemisë së lakmisë dhe padrejtësisë që fshikullon shoqëritë e shekullarizuara kapitaliste, si dhe ndaj amokut të dhunës dhe të urrejtjes që në shekullin tonë shpërthejnë me parulla fetare, është përjetimi dhe ofrimi i dashurisë me përulësi dhe predispozitë flijuese. Asnjë institucion social nuk e zëvendëson dot Kishën në këtë kontribut. Ajo është punishtja diakronike e dashurisë. Duke pasur si krye të saj Krishtin, i Cili është Dashuria e Mishëruar e Perëndisë, shpall se: “Perëndia është dashuri” (1 Jn. 4:16) dhe se mënyra e vetme për një jetë të vërtetë është të përjetojmë dashurinë, siç e përjetuan shenjtorë të panumërt në të gjitha epokat. Vetëm kështu “do të rrojmë me anë të tij” dhe të jemi në kungim me Atë: “Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë, dhe Perëndia në atë” (1 Jn. 4:16).

Vëllezërit e mi, e kremtja e Lindjes së Krishtit zbulon një dimension të pamasë të dashurisë. Le t’i përqasemi asaj me meditim, lutje dhe mirënjohje për këtë dhuratë të mrekullueshme të Perëndisë. Krishtlindje të bekuara me dashuri jo të shtirur në zemrën tonë, por me dashuri të mbushur me përulësi, paqe dhe ndjeshmëri sociale, siç na e zbuloi Jisu Krishti, Çlirimtari dhe Zoti ynë.

Me lutje të zjarrta te Zoti

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Mposhtja e arrogancës – Krishtlindje 2016
Klerit dhe popullit besimtar

Bij fort të shtrenjtë më Zotin,

“Zbrazi veten e tij duke marrë formë shërbëtori…” (Filip. 2:7)

“Bir na lindi ne” (Is. 9:6)

Të vërtetat që burojnë nga e kremtja e Krishtlindjes, befasojnë. Të magjeps qetësia, pafajësia fëmijërore, ngazëllimi, dashuria, lavdërimi dhe shpresa. Por ka edhe diçka tjetër brenda kësaj të kremteje, e cila shpesh nuk vihet re: mposhtja e arrogancës, e një prirjeje që e çon gjininë njerëzore në konflikte të frikshme, në tragjedi dhe rrugë pa krye.

Krishti “nuk erdhi me arrogancë” (1 Klementit), thekson ati apostolik, Klementi i Romës. Ngjarjet që lidhen me ardhjen e Perëndinjeriut, me anë të fytyrës rrezatuese të Foshnjës Hyjnore, e shfuqizojnë në mënyrë mahnitëse joshjen e arrogancës. Perëndia i Pashprehshëm, i Pakonceptueshëm dhe i Tërëfuqishëm, duke marrë natyrën njerëzore, nuk përzgjedh pamjen e një të dituri të pranuar nga të gjithë, të një gjigandi të fortë, të një perandori të fuqishëm. Ai vjen si foshnjë, si fëmijë i pafajshëm, që gjatë gjithë jetës së Tij, “e zbrazi veten duke marrë formë shërbëtori” (Filip. 2:7). Ai iu kundërvu çdo forme të arrogancës: pushtetit gjakatar të Herodit, egoizmit arrogant fetar të farisenjve dhe skribëve, krenarisë së pushtetshme të Pilatit.

Arroganca nuk ka reshtur kurrë së minuari bashkëjetesën paqësore të njerëzve dhe përparimin e shoqërisë. Dhe sot, mbi 2000 vjet pas Lindjes së Krishtit, arroganca vijon ta sundojë njerëzimin me mënyra nga më të ndryshmet. Karakteristika autentike e arrogancës na zbulohet nga shën Joan Gojarti: “Arroganca shfaqet tek ata njerëz që, ndërsa nuk janë asgjë, i mendojnë të gjithë tjerët poshtë vetes”. Arroganca shoqërohet nga zemërngurtësia, padrejtësia, paranoja, dhuna. Ajo nuk respekton dinjitetin dhe lirinë e të tjerëve. Mbi të gjitha, arroganca e përbuz të vërtetën; sipas shprehjes së shën Klementit, ajo “vepron larg së vërtetës”. Shkakton çdo lloj katastrofe, duke udhëhequr shpesh drejt vetëshkatërrimit.

Sot të gjithë e pranojnë nevojën e paqes së përbotshme dhe të solidaritetit. Por, ajo që zakonisht injorohet dhe është një e vërtetë e vyer, është fakti se e kundërta e paqes dhe e drejtësisë nuk është lufta dhe shfrytëzimi ekonomik, por egocentrizmi- rrënja e arrogancës. Egocentrizmi i individëve, i grupeve, i kombeve.

Virusi i arrogancës transformohet më tej duke ndotur rrezikshëm shumë njerëz dhe jo vetëm ata që ndodhen në pozita të larta politike, akademike dhe kishtare. Shfaqet edhe te njerëzit inteligjentë dhe me integritet, por edhe te të pashkolluarit dhe mendjengushtët; ndot të pasurit dhe të varfrit.

Rreziku i arrogancës, me metastazat dhe format e shumëllojta, vihet re veçanërisht dhe në mënyrë të përsëritur, tek ata që zënë poste të larta. “Sa më i madh të jesh, aq më tepër përule veten tënde dhe do të gjesh hir para Zotit” (Urtësia e Sirakut 3:18). Literatura biblike dhe ajo patristike thellohen dhe e theksojnë këtë të vërtetë, se “Perëndia u kundërvihet kryelartëve, por të përulurve u jep hir”.

Sigurisht, ritmet e sotme të shoqërisë miklojnë forma të shumëllojshme të arrogancës dhe janë në kundërshtim me frymën e përulësisë, që transmeton e kremtja e Krishtlindjes. Ky mesazh humbet brenda zhurmës shurdhuese të dukjes dhe luksit, brenda shkëlqimit të rremë dhe fantazmagorisë. Përulësia dhe thjeshtësia në epokën tonë, e cila rend pas kënaqësisë, duken si gjëra jashtë vendi dhe kohe. Madje edhe brenda mjediseve kishtare, pavarësisht se flitet shumë për përulësinë, mënyra e të menduarit dhe e sjelljes shpesh tradhton një mendim të lartë për veten, që është i gabuar.

Pavarësisht nga këto, mposhtja e arrogancës që u realizua me ardhjen e Fjalës së Perëndisë dhe përulësia sipas Krishtit përcaktojnë në mënyrë të qëndrueshme të fshehtën e fuqisë shpirtërore dhe të rrezatimit të Kishës, të shoqëruar me dashurinë sakrifikuese “të atyre që kërkojnë Zotin”. Antidotin e efektshëm ndaj egocentrizmit kancerogjen na e ofron Jisu Krishti – i Cili lindi në mënyrë të përulur dhe e përfundoi misionin e Tij me përulësinë e skajshme të Kryqit- me shembullin e Tij, me fjalën e Tij: “Mësoni nga unë, se jam i butë dhe i përulur në zemër, dhe do të gjeni prehje në shpirtrat tuaj” (Matth. 11:29).

Rrezatimin e Hirit të Krishtit, e kuptojmë dhe e pranojmë veçanërisht me misterin e Eukaristisë Hyjnore. Ky mister thekson mbi gjithçka tjetër përulësinë e Tij të skajshme dhe transmeton në mënyrë diakronike Hirin e Tij te njerëzimi. Dhe vazhdon të jetë, ashtu siç u shpall me fuqi në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të orthodhoksëve në qershor 2016, qendra kryesore e jetës shpirtërore orthodhokse dhe e unitetit të Kishës.

“Krishti, Perëndia ynë i vërtetë, që lindi në shpellë dhe u shtri në grazhd” le të na çlirojë nga çdo formë e dukshme apo e fshehtë e arrogancës dhe nga çdo lloj robërie ndaj egocentrizmit dhe varianteve të tij të shumëllojta. Dhe le të na bëjë të denjë të jetojmë me përulësi e thjeshtësi shpirti, duke ndjekur gjurmët e Tij.

Krishtlindje të gëzuara!

Viti i Ri qoftë i bekuar dhe krijues!

Me dashuri të tërëshpirtshme në Krishtin,

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Sprovat dhe prania e Perëndisë – Krishtlindje 2015
Klerit dhe popullit shpresëtar,

Bij fort të shtrenjtë më Zotin,

«Besoj në një Zot, Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin,… që u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri.»

1. Shqetësim, dhimbje dhe frikë shtrihen sot në jetën tonë. Varfëri shumëformëshe, emigrime, privime të vështira për t’u përballuar. Shpërthime terroriste agresiviteti e dhune. Dhe pikërisht brenda kësaj trazire, e kremtja e Krishtlindjes vjen si dritë e tërëshkëlqyer ngushëllimi, paqeje dhe shprese.

Ngjarjet në lidhje me Lindjen e Krishtit, siç i përshkruajnë ungjillorët Matthe dhe Lluka, theksojnë se Jisu Krishti, ende foshnjë, përballet me një sërë vështirësish. Lindet pas një udhëtimi të gjatë të së Tërëshenjtës, Nënës së Tij, në një vend të varfër në Bethlehem, banorët e të cilit sillen ftohtë dhe indiferentë. Pason urrejtja e të fuqishmëve, plani djallëzor i Herodit, një persekutim i palogjikshëm dhe i padrejtë, që E detyron të gjejë strehë në Egjipt. Por, në çdo hap të vështirë të jetës së Jisuit të vogël mbizotëron prania e Perëndisë Atë.

Pra, le të mos çuditemi dhe të mos e humbasim mendjen kur gjendemi para vuajtjeve, armiqësive, padrejtësive, varfërisë, indiferencës dhe rrugëve pa krye. Sprovat janë pjesë e jetës njerëzore. Le të mësojmë të përballemi paqësisht me to. Mbi të gjitha, me besim dhe shpresë në përkujdesjen dhe praninë e Perëndisë. Madje edhe në fazat e errëta të jetës sonë, kur na shtrëngojnë kërcënime, privime, sëmundje, dështime, kumbon në mënyrë ngushëlluese vargu i Psalmistit: “Nëse eci në mes të hijes së vdekjes, nuk do të kem frikë nga të këqijat, se ti me mua je” (Ps. 22:4).

Ndjesia e pranisë së kudondodhur dhe të përhershme të Perëndisë na ngushëllon, na fuqizon dhe na siguron rezistencë e paqe në dhimbje dhe në hidhërime. Gjithashtu, e mbush shpirtin me dritë ngazëllimi në kohë suksesi e krijimi.

2. Njohja e pranisë dhe e përkujdesjes së Perëndisë në botë ishte një e vërtetë e pranuar qysh nga zbulesa e Dhiatës së Vjetër. E Reja tronditëse që thekson e kremtja e Krishtlindjes është, se Perëndia jo vetëm që është i pranishëm në botë, por se Biri dhe Fjala e Tij “u mishërua”, mori natyrën njerëzore. Kjo zbulesë e dallon besimin e krishterë nga besimet e tjera fetare. Simboli i besimit të krishterë nënvizon: “Besoj në një Zot, Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin,… që u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari dhe u bë njeri”.

Që nga ai çast, të gjithë sa besojnë në Atë dhe pagëzohen në emrin e Trinisë së Shenjtë bëhen gjymtyrë të trupit mistik të Krishtit “që është Kisha” (Kol. 1:24). Marrin Hirin dhe fuqinë për të qëndruar “në Atë”, të gjenden në një kungim personal me Krishtin.

Përjetimi që e paqëson besimtarin e krishterë është diçka më intensive sesa prania e thjeshtë hyjnore. Është “kungimi” ekzistencial me Fjalën e Perëndisë të bërë njeri, me Jisu Krishtin. “Fjala e Shfaqur, për këtë arsye e bashkoi veten e tij me natyrën e vdekshme të njerëzve, që ta bashkëhyjnizojë njeriun nëpërmjet kungimit me Hyjninë”, siç na e shpjegon shën Grigori i Nisës. Me “mishërimin” e Tij, Biri i Perëndisë na ofroi të drejtën e pakonceptueshme “për të qëndruar në Atë”, për të marrë pjesë mistikisht në jetën e dashurisë së Trinisë së Shenjtë. Ungjillori Joan e formuloi në mënyrë lakonike të vërtetën e mrekullueshme, që e përmbledh në Dhiatën e Re: “Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë, dhe Perëndia në atë” (1Jn. 4:16).

Krishti në mënyrë të përsëritur iu referua misterit të marrëdhënies së Tij me Atin e Tij Qiellor. “Besomëni se unë jam tek Ati, dhe Ati tek unë” (Jn. 14:11). Dhe “ai që më dërgoi është bashkë me mua. Ati nuk më la vetëm, sepse unë bëj përherë ato që i pëlqejnë” (Jn. 8:29). Në këtë marrëdhënie kungimi me Atë i fton të gjithë nxënësit dhe apostujt e Tij, ku me qartësi deklaroi: “Në më do ndonjë, fjalën time do ta ruajë, dhe Ati im do ta dojë, dhe do të vijmë tek ai, dhe do të bëjmë banesë tek ai” (Jn. 14:23). Pra, parakusht për “kungimin” me Perëndinë është përshtatja e sjelljes sonë me fjalën e Tij, me vullnetin e Tij, me parimet që Ai përcaktoi: me drejtësinë, dashurinë për të vërtetën, zemërgjerësinë, faljen, dëlirësinë, përulësinë dhe vetësakrifikimin.

Vëllezërit e mi, dhurata më e madhe që na ofrojnë Krishtlindjet, është siguria se Perëndia “është me ne”. Perëndia i pafund dhe i tërëfuqishëm, i pakohshëm dhe i panxënshëm, Ai që është Dashuri, hyri në kohën dhe në hapësirën tonë. “Dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë, dhe Perëndia në atë” (1Jn. 4:16). Ai që do dhe ndien vazhdimisht praninë e Perëndisë, kungimin me Fjalën e Tij të bërë njeri, nuk ka frikë askënd dhe asgjë. “Frikë nuk ka në dashuri, por dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën” (1Jn. 4:18), çdo formë frike.

Le të lutemi që Perëndia në Trini të na japë Fuqinë e Tij, që të mos përkulemi nga hidhërimet, padrejtësitë, vuajtjet që ngrihen në rrugën tonë; që të mbështesë ndjesinë e pranisë së Atit qiellor, sigurinë se në qendër të historisë njerëzore mbizotëron Emanueli- Krishti. Dhe me Hirin e Shpirtit të Shenjtë, sprovat të transformohen në mundësi pjekurie shpirtërore dhe shenjtërimi.

Krishtlindjet le të na sjellin paqe, Viti i Ri qoftë i bekuar dhe krijues!

Me dashuri të thellë më Krishtin,

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Të mahnitshme janë ndërhyrjet e Perëndisë. Kapërcimi i së pamundurës – Krishtlindje 2014
Klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks,

Bij të shtrenjtë më Zotin,

“ Atje ku do Perëndia, mposhtet rregulli i natyrës.”

(Himn nga Mëngjesorja e Krishtlindjes)

Të papritura janë mënyrat me të cilat vepron Perëndia; të pakapshme për logjikën njerëzore. Ngjarjet e Krishtlindjes na sigurojnë për këtë të vërtetë.

Jisu Krishti, Shpëtimtari i botës, nuk vjen në historinë e njerëzimit si ushtarak apo qeveritar i tërëfuqishëm. Nuk imponohet me anë të fuqisë, pasurisë dhe diturisë së jashtme. Lind në një vend të varfër, në grazhdin e një stalle, në një ambient jomikpritës, indiferent deri në armiqësor. Nëna e Tij e dhembshur, “e mbështolli me shpërgënj dhe e vuri të rrijë në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata atje ku kishin rënë” (Llk.2:7).

Bërja njeri e Fjalës së Perëndisë gërshetohet me rrethana kundërshtuese dhe rrugë të shumëllojta pa krye. Para Lindjes, Josifi i drejtë skandalizohet dhe do që të braktisë Nënën e tërëdëlirë të Jisuit. Banorët e Bethlehemit tregojnë indiferencë të plotë për të Tërëshenjtën  që është gati të lindë. Ende foshnjë, Jisui kërcënohet nga mania e Herodit paranojak. Mes këtyre kërcënimeve zgjidhja vjen me energji hyjnore në bashkëpunim me virtytin njerëzor të Josifit “të drejtë” dhe të Marisë së panjollëshme.

Rrëfimet e Ungjillorëve për Lindjen na zbulojnë se përkujdesja e Perëndisë ndjek rrugë të panjohura më parë. Kjo ka vlerë jo vetëm për mbarë historinë njerëzore, por edhe për historinë tonë personale. Sa më shumë që lidhemi me Krishtin, me besim të thellë dhe bindje të plotë te vullneti i Tij, problemet e shumëllojta personale, familjare e shoqërore zgjidhen paqësisht. Njëkohësisht, me frymëzimin dhe fuqinë e Tij hyjnore mundemi edhe ne të kontribuojmë në kapërcimin e rrugëve të ndryshme pa krye: Duke çelur hapësira mirëkuptimi dhe pajtimi atje ku të gjitha janë të vulosura nga zemërngurtësia, dyshimi i lig, mendjeshkurtësia, urrejtja, fanatizmi.

Paralelisht, ngjarjet historike të Lindjes së Krishtit përcaktojnë shembullin e jetës për ata që E pasojnë me devocion. Jisui u përul, duke theksuar vlerën e të përulurve. Lindi në vend të varfër, që të mos përbuzen të varfrit. U persekutua, duke theksuar dinjitetin e atyre që ndiqen me të padrejtë. Vuajti, duke frymëzuar dhembshurinë për ata që heqin keq. U mundua si fëmijë, që të mos harrojmë të drejtat dhe nevojat e fëmijëve të botës.

Por, ekziston edhe një tjetër dimension i Krishtlindjes, ai theologjik dhe kozmologjik, që na e zbulon Ungjillor Joani. Ai thekson faktin se Misteri i madh i Lindjes lidhet me mbarë krijesën: “Në fillim ishte Fjala,… dhe Fjala ishte Perëndi… Dhe Fjala u bë mish dhe qëndroi ndër ne” (Jn. 1:1,14). Ungjillori hedh dritë mbi misterin e Mishërimit që përbën kapërcimin e së pamundurës nga ana njerëzore dhe na fton të shikojmë kuptimin dhe perspektivën e tij më të thellë.

Me gjithë përkimet e vjetra me filozofinë antike greke dhe përpunimin e saj hebraik, koncepti i Fjalës merr një kuptim të ri theologjik tek Ungjilli sipas Joanit. Fjala është Jisu Krishti, Krijuesi i gjithësisë, drita dhe jeta e njerëzimit, i Cili u bë njeri për shpëtimin e botës. Shën Joan Gojarti e përmbledh këtë shkurt: “Dhe mos kërko se si. Se atje ku do Perëndia, kapërcehet rregulli i natyrës. E deshi, e bëri atë të mundur. Zbriti (në tokë) shpëtoi. …Ndërsa ishte Perëndi, bëhet njeri, pa reshtur së qeni Perëndi. Por nuk u bë njeri me tjetërsim të Hyjnisë dhe as u bë përsëri nga njeri Perëndi me zhvillim progresiv. Por, duke qenë Fjala pa pësim, pa kurrfarë tjetërsimi mori mish, pa ndryshuar natyrën e Tij hyjnore” (Migne P.G.56:385-386). Në personin e Krishtit u bashkuan natyra hyjnore dhe ajo njerëzore.

Perëndia i paafrueshëm dhe i pafund mori natyrën njerëzore, duke nxjerrë në pah vlerën e pafundme të njeriut, si në entitetin e tij shpirtëror, ashtu edhe në atë trupor. Si rrjedhojë, ajo që i jep vlerë çdo njeriu nuk është origjina e tij, raca, dijet, aftësitë e tij, gjinia, paraqitja e jashtme, pasuria, por fakti se është njeri.

Shumë, nuk e pranojnë të vërtetën e mishërimit të Fjalës. “Sepse besimi nuk është tek të gjithë” (2Thes.3:2). Ungjillor Joani e nxjerr këtë në pah: “Erdhi në të tijtë dhe të tijtë nuk e pritën atë” (Jn.1:11). Judenjtë që e prisnin si Mesi, nuk e njohën si Shpëtimtar. Të tjerë e quajtën si “dobësi” faktin që “Perëndia u shfaq në mish” (1Tim.3:16). “Edhe sa e pritën, atyre u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë me anë të tij” (Jn.1:12). Falë besimit të tyre, Perëndia u fal aftësinë dhe pushtetin që të bëhen jo vetëm pasues të Tij, por “bij të Tij”, duke u hapur atyre rrugët për kapërcimin e mëkatit dhe të vdekjes, që të bëhen “pjesëmarrës të natyrës hyjnore” (2Petr.1:3-4). Kjo mundësi unikale vihet në veprim brenda Trupit mistik të Krishtit “që është Kisha”, me hirin dëlirësues të Mistereve.

Sigurisht këto të vërteta nuk imponohen as me dhunë, as me forma intelektuale. Ato mund të përqasen dhe përjetohen “në besim”. Dhe Kisha na fton të përqasemi në këtë mënyrë, veçanërisht në të kremtet e mëdha.

“Atje ku do Perëndia, mposhtet rregulli i natyrës.”

E kremtja e Krishtlindjes, vëllezërit e mi, na kujton kushtet specifike dhe vështirësitë në të cilat eci, qysh foshnjë, Jisu Krishti, por, mbi të gjitha, faktin se Ai është Fjala, i Cili u mishërua“dhe banoi ndër ne”. Shpesh edhe ne përballemi me kundërvënie të pakapërcyeshme. Le të mos e humbasim mendjen. Besimi në Krishtin fal bindjen se nuk jemi të vetëm në një botë të ashpër. Fjala e mishëruar e Perëndisë mbetet në mënyrë të pandërprerë me ne. Ai jep kuptim, dritë dhe fuqi në çdo fazë të jetës sonë. Ai çel udhë në vende të vështira për të kaluar. Ofron mundësinë e kapërcimit të asaj që është e pamundur nga ana njerëzore. Me sigurinë se “të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë” (Llk.18:27), le të kremtojmë Krishtlindjen, duke marrë frymëzim, besim, qëndrueshmëri dhe shpresë në sprovat e vogla ose të mëdha, në problemet tona personale dhe sociale.

Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri le të na sjellë paqe!

Me dashuri të thellë më Krishtin,

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Vlera e pakonceptueshme e jetës njerëzore – Krishtlindje 2013
Klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks,

Bij të shtrenjtë më Zotin,

“Unë erdha të kenë jetë dhe ta kenë me të tepërt” (Joani 10:10).

Në epokën tonë, në deklaratat publike, mbisundon theksimi i dinjitetit të njeriut. Por ngjarja që tregon me forcë unikale vlerën e jetës njerëzore, është ajo që zotëron në të kremten e sotme: Biri i Perëndisë së gjallë, të paafrueshëm dhe të tërëfuqishëm, mori natyrën njerëzore, u bë njeri. Ky vazhdon të jetë mesazhi qendror mahnitës i Krishtlindjes. Perëndia nuk dërgoi engjëj për shpëtimin e botës, nuk mori formën e një krijese tjetër, por u bë njeri. Në këtë mënyrë theksoi qartazi vlerën e jetës së njeriut në vetvete dhe shfaqi shenjtërinë e çdo qenieje njerëzore. Por, njëkohësisht, Ungjilli zbulon se Krishti erdhi për të lartësuar natyrën njerëzore, që t’i injektojë asaj jetë me bollëk. Pra, e kremtja e sotme, në të gjitha dimensionet dhe perspektivën e saj, është mbi të gjitha e kremtja e jetës.

Brenda atmosferës festive të Krishtlindjes, na jepet rasti të mendojmë më thellë për vlerën esenciale të kësaj dhurate që na e ka falur Perëndia, të cilën jemi duke e shijuar dhe gjithashtu, të rrisim respektin për çdo qenie njerëzore anekënd botës.

1. Duke e nisur së pari nga jeta jonë, është koha të shikojmë me kujdes gjërat që i quajmë të vetëkuptueshme. P.sh. siç është detyrimi ynë për të ruajtur më së miri jetën tonë biologjike, duke shmangur shpërdorime, pasione dhe gabime që e cenojnë dhe e minojnë dhe duke u përkujdesur për të zhvilluar të gjitha potencialet tona shpirtërore. Si një qelizë e gjallë e racës njerëzore, kemi përgjegjësinë dhe detyrimin për të kultivuar të gjitha dhuratat tona, të gjithë spektrin e krijueshmërisë sonë dhe që t’i ofrojmë njerëzimit gjënë më të mirë që disponojmë. Madje, edhe në çastet më të errëta të dëshpërimit, le të sjellim ndër mend vlerën e pakapërcyeshme të jetës dhe se, në asnjë rast, nuk kemi të drejtë ta shkatërrojmë vetë me duart tona. Sprovat e shumëllojshme të jetës njerëzore, vështirësitë e shëndetit, varfëria, përndjekjet, shpifjet, shpesh çelin horizonte të reja shpirtërore dhe ekzistenciale.

Të përthithur nga përkujdesja për jetën tonë të përditshme, zakonisht neglizhojmë dimensionin tjetër që Krishti, Biri i Perëndisë çeli me ardhjen e Tij. Ai erdhi të na udhëheqë drejt një lulëzimi dhe frytshmërie shpirtërore, të na ofrojë “të tepërtën edhe të kësaj jete; pra, kjo është gjëja më e vyer, pjesëmarrja e përsosur e Shpirtit të Shenjtë” (Shën Kirilli i Aleksandrisë). “Me të tepërt” ka kuptimin e plotësisë cilësore që fal prania e Shpirtit jetëbërës tek ata “që mbeten në Krishtin”.

2. Drejtimi i dytë i meditimit krishtlindësor duhet të shikojë në forcimin e respektit ndaj jetës së bashkënjerëzve tanë. Kërcënimet e ndryshme kundër jetës, aktet vrastare, konfliktet e përgjakshme, kamxhikojnë realitetin e përditshëm. Me gjithë pretekstet e ndryshme, marrja e një jete njerëzore përbën jo vetëm krim ndaj viktimës, por në përgjithësi, është krim kundër njerëzimit.

Por përbuzja e jetës nuk kryhet vetëm me akte kriminale dhe dhunë të shumëllojshme. Njerëz të panumërt kërcënohen nga forma të ndryshme padrejtësie në sferën sociale dhe private. Padrejtësia i çon shumë njerëz drejt privacioneve, varfërisë dhe mjerimit. Diçka që vepron, pa u dalluar qartë, kundër jetës njerëzore, është indiferenca ndaj cilësisë së jetës së bashkënjerëzve tanë. Ky fenomen nuk dënohet nga ligji, por nuk resht së minuari jetë të panumërta njerëzore. Madje në një epokë krizash, siç është kjo e jona, indiferenca shpesh kthehet në vdekjeprurëse. Detyra imediate e të gjithëve ne, është të mbrojmë çdo jetë njerëzore me ndihmë konkrete, të shprehur në praktikë dhe solidaritet aktiv, duke mbështetur me fjalë dhe vepra, me dashuri të sinqertë, ata që ndodhen në sprova, ata që i ka plagosur varfëria, sëmundja dhe dëshpërimi.

Njëkohësisht, detyrimi i të krishterëve të ndërgjegjshëm është edhe dëshmia se përpos jetës biologjike, ekziston edhe një jetë e një cilësie më të lartë: ajo shpirtërore që fal dhe nxit besimin, që mundëson hapjen e zemrës sonë në zonën e Shpirtit. Një jetë që lëviz vazhdimisht duke u transformuar së brendshmi me sigurinë se Krishti erdhi “… që kushdo i cili shikon Birin dhe beson në atë të ketë jetë të përjetshme…” (Joani 6:40).

“Unë erdha që të kenë jetë dhe ta kenë me të tepërt” (Joani 10:10).

Mesazhi mahnitës i Krishtlindjes është se Biri i Perëndisë së Paafrueshëm u bë njeri. Bërja njeri e Fjalës Hyjnore shpall me bujë, vëllezërit e mi, vlerën e jashtëzakonshme të jetës njerëzore. Por në të njëjtën kohë, zbulon se Krishti erdhi  të na injektojë një jetë më të lartë, “pjesëmarrjen e përsosur të Shpirtit”, që shtrihet në përjetësi.

Le të përkujdesemi që në këto ditë festive, të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e dhuratës së jetës që na e ka dhuruar Perëndia. Dhe për më tepër të shprehim mirënjohjen tonë me përpjekje të pandërprerë për zhvillimin e jetës shpirtërore. Në të njëjtën kohë, le të forcojmë respektin për jetën e bashkënjerëzve tanë, duke luftuar dhunën, padrejtësinë dhe indiferencën që e minojnë atë. Le ta mbështesim me solidaritetin tonë dashuror.

Krishtlindje të bekuara, me përpjekje të ndërgjegjshme për një shoqëri më njerëzore! Me frymëzimin e Krishtit, Viti i Ri le të jetë sa më shumë njerëzor!

Me dashuri të tërëshpirtshme më Krishtin,

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.