Mesazhe të Pashkëve ndër vite nga Kryepiskopi Anastas – Rinia Orthodhokse “BIJ TË DRITËS”

Të jetojmë me frymën paskale – Pashkë 1993
“Krishti u ngjall prej së vdekurish…”

I

URREJTJA E THELLË NJERËZORE, duke përdorur dhunën brutale të pushtetit shtetëror, kërkoi të shfarosë “Birin e njeriut”, Jisu Krishtin, të Papërlyerin dhe të Vërtetin. Armiqtë e Tij e kryqëzuan, siguruan dhe varrin, duke besuar se kështu e kishin hequr qafe përfundimisht. Mirëpo Krishti, duke qenë njëherësh “Biri i njeriut” dhe “Biri i Perëndisë”, tri ditë pas kryqëzimit të Tij, u Ngjall. Dhe mbetet përgjithmonë Zoti i Ngjallur.

Ngjallja përbën vulën që na vërteton se kush është me të vërtetë Jisu Krishti. Gjatë shekujve miliarda njerëz ndërruan jetë. Shumë prej tyre mahnitën me mençurinë apo fuqinë e tyre dhe entuziazmuan popujt. Veçse, përfundimisht, të gjithë iu nënshtruan vdekjes. Ai, që me flijimin e Tij të vullnetshëm mundi vdekjen dhe shkallmoi pushtetin e saj, është Jisu Krishti, Zoti dhe sunduesi i gjithësisë. Me gjakun e Tij të tërëshenjtë na çliroi prej mallkimit të mëkatit, shkaku i vdekjes, dhe na çeli rrugën e jetës së përjetshme. “…atij që na deshi, dhe që na lau nga nga mëkatet tona… atij i qoftë lavdia dhe fuqia në jetë të jetëve. Amin” (Zbulesa 1:5-6).

Mesazh themelor i Kishës nuk është vetëm se Krishti u Ngjall, por se fitorja e Tij ka një rëndësi për tërë gjininë njerëzore, për tërë natyrën njerëzore, të cilën e mori si “Adam i dytë”. Sikurse mosbindja dhe mëkati i Adamit të parë e çoi në vdekje mbarë njerëzimin, ashtu edhe bindja, rrjedhojë e dashurisë, deri në flijim në kryq e Adamit të dytë, e Krishtit, çon në Ngjallje. “Krishti u ngjall prej së vdekurish; u bë pema e parë e atyre që kanë fjetur….Sepse sikurse të gjithë vdesin në Adamin, kështu edhe të gjithë do të marrin jetë në Krishtin” (I Kor. 15:20-22). Me fuqinë e Krishtit të Ngjallur, shkojmë në një jetë të re, të amshuar. Dhe në të hyjmë me pagëzimin dhe me pjesëmarrjen tonë në misteret e Kishës. “Të bashkëkryqëzuar me Të”, bëhemi pjesëmarrës edhe në Ngjalljen e Tij.

II

Edhe në Shqipëri, pas një periudhe të frikshme persekutimi të egër, ku shteti ateist, me di- nakëri dhe pasion, kryqëzoi shpresën te Perëndia dhe te Perëndinjeriu dhe luftoi me tërbim për ta zhdukur përgjithmonë, besimi u ngjall përsëri shkëlqimplotë.

Krishti u Ngjall! Përsërisim dhjetëra herë me llambadhe të ndezura, duke shpallur se kjo siguri e jona ndriçon mendjen, zemrën, vullnetin dhe përcakton jetën tonë shpirtërore dhe rrugën shoqërore. Me këtë besim përpiqemi për krijimin e një shoqërie të re, të çliruar nga iluzionet, nga frika e të një shoqërie që do të respektojë njeriun dhe do t’i ofrojë me të vërtetë të drejta të barabarta dhe shanse të barabarta.

Krishti u Ngjall! Përshëndetja e Tij e parë pas Ngjalljes ishte “Paqe mbi ju” (Jn. 20:19). Përshëndetje kjo, por njëkohësisht porosi dhe përcaktim i detyrimit të përjetshëm të njerëzve të Tij: që të jenë gjithmonë paqësorë, faktorë që do të punojnë për një paqe të ndershme, e cila zhvillohet në dritën e së vërtetës, të drejtësisë dhe lirisë së ndërgjegjes. Dhe sot kur zjarri i luftës vrundullon në zonën tonë, të gjithë ne, duhet të falemi me zell dhe të përpiqemi me nisma pozitive për t’i dhënë fund dhunës, për pajtim dhe për bashkekzistencë paqësore.

Krishti u Ngjall! psal në gjuhë të ndryshme Kisha, duke shpallur me zë të lartë se Ungjilli i Krishtit i drejtohet gjithë botës, hedh ura në mosmarrëveshjet dhe kontradiktat e vjetra, vëllazëron popujt në një shoqëri botërore paqeje, respektimi të ndërsjellë dhe solidariteti.

III

Veçse, pjesëmarrja jonë në gëzimin e Ngjalljes, vëllezër të mi, nuk është mjaftueshme të kufizohet vetëm në urimet e Ngjalljes dhe në zakonet e jashtme të Pashkës, por nga viti në vit kjo pjesëmarrje duhet të bëhet më thelbësore dhe më personale. Nuk mjafton që ta psalim me gojë “Krishti u Ngjall”. Duhet të marrim frymë ngjalljeje dhe të jetojmë me frymë Pashke. Të rrezatojmë Ngjalljen. Jetoj me frymë Pashke do të thotë:

1.	Kam besim absolut tek Ai që u bë njeri, te Biri i Perëndisë, i Cili me doktrinën, veprën, flijimin, Ngjalljen e Tij mundi vdekjen dhe forcat demoniake që përhapin kudo frymën e Ferrit, dhe e drejtoi njerëzimin në një hapësirë të re jete.

2.	Kushdo që jeton me frymë Pashke drithërohet nga besimi në jetë; nga siguria se jeta është më e fortë se vdekja; se fundi i ekzistencës së njeriut nuk është shuarja e tij, por ngjallja; se punët dhe veprimet tona kanë një rëndësi vendimtare, dhe se jeta njerëzore mbyll në vetvete përjetësi dhe pafundësi.

3.	Kushdo që jeton me frymë Pashke rrezaton një dashuri të guximshme. Me Ngjalljen triumfale të Krishtit u përmbysën tinëzitë dhe urrejtja e armiqve të Tij. Por fitorja e Tij nuk kishte asnjë gjurmë hakmarrjeje. Pashka është triumfi i dashurisë. Asnjë hije antipatie ose pakënaqësie nuk i rreziston dritës së saj. Prandaj, në veçanti këto ditë, kisha jonë i fton të gjithë në falje, në pajtim dhe në përqafim të përzemërt dashurie. Kjo ndjenjë e fuqishme e dashurisë i çon të krishterët në vepra të guximshme vetëflijimi, sepse ata e dinë se nuk ka Pashkë pa Kryqëzim dhe se sakrifica e vetvetishme dhe e painteres e lartëson dhe e denjëson njeriun.

4.	Kushdo që jeton me frymë Pashke drithërohet nga shpresa dhe ngazëllimi që i përshkojnë gjithë qenien dhe shpërndajnë çdo re melankolie dhe dëshpërimi. Eshtë fjala për një gëzim paqësor, i cili shumëfishohet duke u ofruar. Kushdo që akordohet në ngazëllimin e Pashkës, bëhet edhe vetë bartës shprese dhe optimizmi.

IV

Fryma e Pashkës është dhuratë dhe hir Perëndie. Ngjallja bashkekziston në mënyrë mistike në jetën e kryqëzuar më Krishtin. U dhurohet gjithë atyre që besojnë tek Ai, i cili tha se “Unë jam ngjallja edhe jeta” (Jn. 11:25) dhe përpiqen të jenë të bashkuar me Të. Ky moral ngjalljesor nuk fitohet me anë të përgjithësimit të një feste, formohet nga devotshmëria ndaj të Ngjallurit dhe nga përpjekja për Ta njohur përditë e më tepër me gjithë qenien tonë. Nuk është fjala vetëm për njohjen e një të vërtete historike, por për njohjen e një Personi, Krishtit të Ngjallur dhe të një fuqie, fuqisë së Ngjalljes. “Të njoh atë dhe fuqinë e ngjalljes së Tij, dhe pjesëmarrjen e pësimeve të tij, duke u bërë në një formë me vdekjen e tij” (Filip. 3:10). Thelbësorja nuk është që të mësojmë për Krishtin, por ta njohim vetë Krishtin, duke marrë pjesë në dashurinë e Tij të Kryqëzimngjalljes; t’i afrohemi përditë e më tepër dhe, duke vështruar Fytyrën e Tij, të mund të thërrasim si Thomai: “Zoti im dhe Perëndia im” (Jn. 20:28).

Më e rëndësishmja pra që kemi për të uruar këtë Pashkë është të shtohet pandërprerë brenda nesh përjetimi i Ngjalljes dhe të jetojmë gjithmonë me frymë Pashke. Me besim dhe përkush- tim te Zoti i me besim në vlerën e njeriut dhe të jetës; me një ofertë dshurie pa interes; me gatishmëri për flijim, duke transmetuar shpresë dhe paqe kudo që gjendemi.

Krishti u Ngjall! Gëzuar, pra, Pashkën, vëllezër të mi me Ngjalljen gjithmonë brenda nesh!

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Në vend që të përshkruajmë errësirën, le të ndezim një llambadhe Pashke – Pashkë 1992
“Ku është, o vdekje, thumbi yt? Ku është, o had, fitorja jote?”

I

ISHTE NJË EPOKË kur në këtë vend mbretëroi fryma e Ferrit. Një ateizëm i dhunshëm vriste ndërgjegjet, mbyste çdo gjë me vlerë që ka jeta njerëzore: lirinë, besimin dhe dashurinë. Të fuqishmit e asaj kohe kërkuan të vrasin Perëndi- në në zemrat e njerëzve, kryqëzuan përsëri Krish- tin për vite me radhë.

E varrosën Atë dhunshëm për dekada. Dhe e vulosën varrin me gurin e rëndë të heshtjes së the- llë. Dhe shpallën në formë panegjirike, me vendi- me kongresesh, se në Shqipëri vdiq Perëndia. Por atje ku të çmendur kërkuan të vrasin Perëndinë, shumë shpejt u zbulua se, ata vranë përfundi- misht njeriun që është shëmbëlltyra e Perëndisë; dhe për më tej, shkrinë shoqërinë njerëzore, e cila nuk mund të jetojë pa Diellin e drejtësisë: Perëndinë. Ateizmi shkatërroi marrëdhëniet individuale dhe shoqërore, u kalli frikën madje edhe luleve në ara, duke mbjellë në vend kafkat e bunkerëve, duke e mbushur atë me varre plot frikë dhe ankth.

Por kjo periudhë kaloi njëherë e mirë. “Krishti u ngjall prej së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli, edhe të varrosurve jetën u fali”. Ky marsh i Orthodhoksëve përmbledh atë çka po ndodh sot në Shqipëri. U ngjall Krishti, dhe bashkë me Të u ngjallën liria, shpresa dhe gëzimi në shpirtrat e njerëzve. Pashka përbën kulmin e besimit të krishterë orthodhoks dhe Ngjallja gjendet në zemrën e spiritualitetit orthodhoks, në shpirtin e besimtarëve orthodhoksë. Prandaj porsa u lejua rikrijimi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me këtë mesazh filloi riorganizimi i saj. Me fjalët “Krishti u Ngjall!” në gojë udhëtuam nëpër qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë si i dërguar i Patrikanës Ekumenike të Konstandinopolit, të qendrës së orthodhoksisë sonë, e cila kujdeset për besimtarët orthodhoksë në mbarë botën. Siguria e Ngjalljes mbush tani plot me dritë e fuqi zemrat tona dhe kënga e ngjalljes për dashurinë e shpresën jehon në qytetet, malet dhe luginat e këtij vendi dikur të kryqëzuar.

II

Me përshëndetjen gazmore “Krishti u Ngjall!” e kremtojmë ne të krishterët Pashkën. Kjo fjalë përmbledh në vetvete kuptimin e thellë të Ngjalljes së Krishtit. Në Dhiatën e Vjetër fjala Pashkë ka kuptimin e daljes së popullit të Perëndisë nga robëria e Egjiptit drejt lirisë. Kisha e përdori këtë term për të shpallur Pashkën e re, të cilën e përuroi Krishti me Pësimin, Kryqin dhe Ngjalljen e Tij. Dhe me të Krishti vulosi Dhiatën e Re të dashurisë, duke udhëhequr popullin që do ta pasonte në një jetë të re të lirisë, të fitores përfundimtare mbi fuqitë e errësirës e të vdekjes. “Pashkë e Zotit, Pashkë” këndojmë “se prej vdekjes në jetë dhe prej dheut në qiell na shpuri Krishti Perëndia ynë duke kënduar himne fitoreje”.

Me Ngjalljen e Krishtit u krye një kalim i dyfishtë. Së pari, u plotësua kalimi i Perëndisë drejt njerëzimit, shpëtimi i gjinisë njerëzore, që nisi me lindjen e Zotit tonë Jisu Krisht. Së dyti, me Ngjalljen bëhet i mundur edhe kalimi i njeriut drejt Perëndisë, drejt një udhe të re, që përfundimisht shpie në bashkimin me Të, në Hyjnizimin e njeriut. Me Ngjalljen “lindi një jetë e re, një lloj i ri jetese, një ndryshim i vetë natyrës sonë”. Mbi këtë siguri të Ngjalljes u mbështet tërë besimi, përvoja dhe dëshmia e Kishës sonë.

“Po të mos ngjallej Krishti, i kotë do të ishte besimi ynë”. Gjinia njerëzore mund të ndeshet akoma me vdekjen dhe frymërat vdekjeprurëse të padrejtësisë, të urrejtjes, të mëkatit, por vetë vdekja është mundur njëherë e mirë, ajo është shkelur me vdekjen dhe me Ngjalljen e të Tërëfuqishmit, Zotit të gjithësisë, Jisu Krishtit. Dhe ai që bashkohet me të, me anën e besimit, da- shurisë dhe hirit të mistereve të Kishës së Trupit të Tij, do ta mundë edhe ai vdekjen dhe gjithçka lidhet me të dhe do të nxjerrë erën e keqe të saj.

Ky është mesazhi qendror i ditës së sotme.

Sot “kremtojmë vdekjen e vdekjes, rrëzimin e ferrit, nisjen e një jete tjetër dhe himnojmë me ngazëllime shkaktarin”. Akoma më gjerë: “Krishti me Ngjalljen e tij mori nga Perëndia Atë çdo pushtet, në qiell e mbi dhé”, ripërtëriti gjithësinë. Dhe ne psalim sot: “U ndriçua gjithësia me Ngjalljen Tënde, o Krisht”.

III

Për çdo Pashkë, Kisha jonë na fton të çlirohemi nga atmosfera e frikës dhe turbullimit, në fushën e shpresës dhe të paqes; nga padija, në të vërtetën e Perëndisë; nga errësira e mëkatit, në dritën e jetës më Krishtin; nga izolimi i egoizmit, në dashurinë aktive, në shoqërinë më Krishtin; nga ajo çka jemi, në atë që Krishti i Ngjallur dëshiron të bëhemi: njerëz të Tij, që të bashkërendojmë vullnetin tonë me vullnetin e Tij. Me këtë kuptim, le t’i urojmë njëri-tjetrit: Gëzuar Pashkën!

Po veç kësaj, veçanërisht sivjet, bashkë me urimin e ngjalljes “Gëzuar Pashkën”, do të dëshi- roja të shtoj një thirrje, e cila përmblidhet në shprehjen: Në vend që të përshkruajmë errësi- rën, le të ndezim një llambadhe Pashke. Llambadhja e Pashkës simbolizon dritën që shkëlqen nga varri i boshatisur i Krishtit, dritën e shpresës dhe të fitores që shpërndan errësirën. “Ejani, merrni dritë nga drita që nuk perëndon”. Po, llambadhja e Pashkës lidhet dhe me një dinamikë të posaçme. Drita e saj mund dhe duhet t’u jepet dhe llambadheve të tjera të afërta, të shuara, që të ndizen edhe ato. Dhe ka akoma shumë, që, për shkaqe të ndryshme, mbajnë shpirtin e tyre larg nga drita e besimit. Akoma ka shumë nga vëllezërit dhe motrat tona, me ndjenja të holla dhe tendenca fisnike, që mbeten në errësirën e padijes, sepse i mbajnë akoma të lidhur frymët vdekjeprurëse të propagandës ateiste të së kaluarës. Le t’i afrojmë të gjithë këta me respekt, me dashuri, dhe mirëdashje të sinqertë për të kremtuar së bashku këtë të kremte të madhe. “Le t’i ndjejmë të gjithë me rastin e Ngjalljes dhe kështu le të thërresim: Krishti u ngjall prej së vdekurish…”.

Në vend që të mbetemi në errësirë, le të ndezim brenda nesh një llambadhe të Pashkës. Në vend që të përshkruajmë errësirën, le të ndezim një llambadhe për ata që kemi përreth nesh, le të ndezim shumë llambadhe Pashke në shoqërinë tonë, në mënyrë që edhe marshimi i ri përpara i popullit fisnik të Shqipërisë të bëhet një Pashkë e re gëzimi.  Me këtë triptik, të dashur vëllezër, le ta panegjerizojmë Pashkën e sivjetme. Përshëndetja jo- në: Krishti u Ngjall! Urimi ynë: Gëzuar Pashkën! Le të mbajmë parasysh gjithmonë: Në vend që të përshkruajmë errësirën, le të ndezim një llambadhe Pashke.

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.