E shtunë, 24 shtator 2022 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - 2 Timotheut 3:10-15.

Po ti i re prapa mësimit tim, sjelljet, qëllimin, besimin, zemërgjerësinë, dashurinë, durimin, përndjekjet, pësimet, që më ndodhën në Antioki, në Ikoni, në Listër. Çfarë përndjekjesh pësova! Dhe Zoti më shpëtoi nga të gjitha. Po edhe gjithë sa duan të rrojnë me shprestari në Krishtin Jisu do të përndiqen. Po njerëzit e ligj e gënjeshtarë do të shkojnë mbarë në më të ligën, duke gënjyer dhe duke u gënjyer. Po ti qëndro në ato që mësove e u vërtetove, duke ditur prej cilit i ke mësuar; edhe se që nga foshnjëria i di shkronjat e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtim me anë të besimit që është në Krishtin Jisu.

UNGJILLI - Llukai 4:31-36.

Edhe zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë; e ishte duke i mësuar ata të shtunave. Edhe mahniteshin për mësimin e tij; sepse fjala e atij ishte me pushtet. Edhe në sinagogë ishte një njeri që kishte frymë demoni të ndyrë, edhe bërtiti me zë të madh, duke thënë: Ah! Ç’ka mes nesh dhe teje, Jisu Nazaretasi? Erdhe të na humbasësh? Të njoh cili je, Shenjti i Perëndisë. Po Jisui e qortoi, duke thënë: Pusho, dhe dil prej tij. Edhe demoni si e hodhi në mes, doli prej tij, pa e dëmtuar fare. Edhe të gjithë u shtangën, dhe flisnin njëri me tjetrin, duke thënë: Ç’është kjo fjalë, që me pushtet e me fuqi urdhëron frymët e ndyra, dhe dalin?