Prandaj nuk jeni më të huaj e të jashtëm, por bashkëqytetarë të shenjtëve dhe pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë; sepse u ndërtuat mbi themelin e apostujve e të profetëve, ku gur qosheje është vetë Jisu Krishti, në të cilin e gjithë ndërtesa e lidhur bashkë rritet në një tempull të shenjtë në Zotin, në të cilin edhe ju jeni ndërtuar së bashku për të qenë banesë e Perëndisë me anë të Frymës.
Prandaj unë, Pavli, i burgosuri i Krishtit Jisu për ju kombet edhe nëse dëgjuat ekonominë e hirit të Perëndisë që m’u dha për ju, se si me zbulesë ma bëri të njohur misterin, siç ju shkrova përpara me pak fjalë, prej të cilave duke i lexuar mund të kuptoni mëndjen time në misterin e Krishtit, mister i cili në brezat e tjerë nuk iu bë i njohur bijve të njerëzve, siç iu zbulua tani apostujve të tij të shenjtë dhe profetëve me anë të Frymës, që të jenë kombet bashkëtrashëgimtarë e një trup dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin me anë të ungjillit, të cilit unë iu bëra shërbëtor sipas dhuratës së hirit të Perëndisë, që m’u dha sipas veprimit të fuqisë së tij.
Edhe mos gjykoni, dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni, edhe nuk do të dënoheni; ndjeni, edhe do të ndjeheni. Jepni, dhe do t’ju jepet juve; masë të mirë, të ngjeshur e të tundur e të derdhur prej buze do t’ju japin në gjirin tuaj; sepse me atë masë që matni, do t’ju matet edhe juve.
Edhe u tha atyre një paravoli: A mundet një i verbër të udhëheqë një të verbër? A nuk do të bien që të dy në gropë? Nuk ka nxënës mbi mësuesin e tij; po çdo nxënës i përsosur do të jetë si mësuesi i tij.
Edhe pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd, dhe traun që është në syrin tënd nuk e ndien? Apo si mund t’i thuash vëllait tënd: Vëlla, lër të nxjerr lëmishten që ke në syrin tënd, kur ti nuk sheh traun që është në syrin tënd? Hipokrit, nxirr më parë traun prej syrit tënd, dhe atëherë do të shohësh mirë të nxjerrësh lëmishten që është në syrin e vëllait tënd.
Sepse nuk ka pemë të mirë që bën fryt të keq; as pemë të keqe që bën fryt të mirë. Sepse çdo pemë njihet prej frytit të vet; sepse nuk mbledhin fiq nga gjembat, as nuk vjelin rrush nga ferrat. Njeriu i mirë nxjerr të mirën prej thesarit të mirë të zemrës së tij; edhe njeriu i lig nxjerr të ligën prej thesarit të lig të zemrës së tij; sepse goja e tij flet nga teprica e zemrës.