Apo ç’bashkim ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, siç tha Perëndia: “Se do të banoj në mes tyre, dhe do të eci; dhe do të jem Perëndia i tyre, dhe ata do të jenë populli im”.
Prandaj “dilni nga mesi i tyre”, edhe “ndahuni nga ata, thotë Zoti”, edhe “mos prekni asgjë të papastër”, edhe “unë do t’ju pres brenda”, edhe “do të jem Ati juaj, dhe do të jeni bijtë e mi dhe bijat e mia, thotë Zoti i Gjithëpushtetshëm”.
Duke pasur pra, o të dashur, këto premtime, le të pastrojmë veten tonë nga çdo ndyrësi të mishit e të shpirtit, duke punuar shenjtëri me frikë Perëndie.
Edhe ndodhi që pas kësaj Jisui po shkonte në një qytet që quhej Nain; edhe shkonin bashkë me të mjaft nga nxënësit e tij dhe shumë popull. Edhe kur u afrua në portën e qytetit, ja tek po nxirrnin përjashta një të vdekur, të cilin e ëma e kishte bir të vetëm, edhe ajo ishte e ve; edhe shumë popull prej qytetit ishte bashkë me të.
Edhe Zotit, kur e pa, iu dhimbs, edhe i tha asaj: Mos qaj. Edhe u afrua e preku shtratin; edhe ata që e mbanin qëndruan; edhe ai tha: Djalosh, po të them, ngrihu. Edhe i vdekuri u ngrit e ndenji, edhe zuri të flasë. Edhe ia dha së ëmës.
Dhe të gjithëve u hyri frikë, edhe lavdëronin Perëndinë, duke thënë se një profet i madh është ngritur tek ne, edhe se Perëndia hodhi sytë mbi popullin e tij.