E shtunë, 15 tetor 2022 – Leximet biblike

APOSTULLI - 1 Korinthianëve 15:39-45.

Çdo mish nuk është i njëjti trup; po tjetër është mish i njerëzve, e tjetër mish i kafshëve, e tjetër i peshqve, e tjetër i shpendëve. Ka edhe trupa qiellorë edhe trupa tokësorë; po tjetër është lavdia e qiellorëve, edhe tjetër e tokësorëve. Tjetër është lavdia e diellit, edhe tjetër lavdia e hënës, edhe tjetër lavdia e yjeve; sepse ylli nga ylli dallon në lavdi. Kështu edhe ngjallja e të vdekurve; mbillet në prishje, ngrihet në paprishje; mbillet në çnderim, ngrihet në lavdi; mbillet në dobësi, ngrihet në fuqi; mbillet trup gjallësor, ngrihet trup shpirtëror. Ka trup gjallësor, ka edhe trup shpirtëror. Kështu edhe është shkruar: Njeriu i parë, Adami, “u bë shpirt i gjallë”; Adami i fundit, shpirt jetëdhënës.

UNGJILLI - Llukai 6:1-10.

Edhe ndodhi që të shtunën e dytë pas së parës ai po shkonte nëpër të mbjellat; edhe nxënësit e tij këputnin kallinj e hanin, duke i fërkuar me duar. Edhe ca nga Farisenjtë u thanë atyre: Pse bëni atë që nuk lejohet ta bëni të shtunave? Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: A nuk e keni lexuar as këtë që bëri Davidi, kur i erdhi uri atij dhe atyre që ishin bashkë me të? Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, dhe mori bukët e blatës, edhe hëngri, edhe u dha edhe atyre që ishin bashkë me të, të cilat nuk lejohet t’i hanë përveçse vetëm priftërinjtë? Edhe u thoshte atyre se i Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës. Edhe ndodhi që një tjetër të shtunë hyri në sinagogë, edhe i mësonte; edhe atje ishte një njeri që e kishte dorën e djathtë të thatë. Edhe shkruesit e Farisenjtë e vështronin, nëse do të shërojë të shtunën, që të gjenin akuzë kundër tij. Po ai i dinte mendimet e tyre e i tha njeriut, që kishte dorën e thatë: Ngrihu, dhe qëndro në mes. Edhe ai u ngrit e qëndroi. Jisui u tha pra atyre: Do t’ju pyes, çfarë lejohet njeriu të shtunave, të bëjë mirë apo të bëjë keq? Të shpëtojë shpirt apo të humbë? Edhe pasi i vuri re për rreth të gjithë ata, i tha atij: Shtri dorën tënde. Edhe ai bëri ashtu, dhe dora e tij u bë e shëndoshë si tjetra.