Sinodi i Shtatë Ekumenik u mblodh në Nikea, në Bitini, që nga 24 shtatori e deri më 13 tetor 787, me iniciativën e perandoreshës regjente Irena. Nën kryesinë e patriarkut të Konstandinopojës, shën Tarasit (25 shkurt), u mblodhën 350 episkopë orthodhoksë, të cilëve iu bashkuan më pas edhe 17 hierarkë të shenjtë dhe të gjithë së bashku dënuan herezinë ikonoklaste.
Ata i dhanë fund periudhës së parë ikonoklaste e cila, në kohën e Leon V Armenit (813-820), do të rimerrte përsëri fuqi dhe në vitin 843, falë perandoreshës Theodhora dhe patriarkut shën Metodi, do të zhdukej përfundimisht, Etërit e shenjtë dënuan me anatemë patriarkët heretikë: Anastasin, Konstandinin dhe Nikitën, hodhën poshtë të ashtuquajturin sinod ekumenik, i mbledhur në leria me iniciativën e Konstandinit V (754) dhe shpallën kujtimin e përjetshëm të mbrojtësve të shenjtë të Orthodhoksisë: të patriarkut Gjerman (715-730)47, të shën Joan Damaskinit, të Gjergjit të Qipros, dhe të të gjithë atyre që u dorëzuan në internime, tortura për mbrojtjen e ikonave të shenjta.
Në përkufizimin që shpallën gjatë mbledhjes së shtatë dhe pas sesionit të Sinodit, Etërit deklaruan:
“Përcaktojmë me saktësinë dhe kujdesin më të madh se: ashtu si paraqitjet e Kryqit të çmuar dhe jetëdhënës, edhe ikonat e nderuara e të shenjta, qofshin këto të pikturuara, në mozaik ose në lëndë tjetër të përshtatshme, duhet të vendosen në kishat e shenjta të Perëndisë, në enët dhe veshjet, në mure dhe piktura, në shtëpi dhe në rrugë; gjithashtu edhe ikona e Zotit tonë, Perëndisë dhe Shpëtimtarit Jisu Krisht, si dhe e Zonjës sonë të papërlyer, e Nënës së Perëndisë, e engjëjve të shenjtë dhe e të gjithë shenjtorëve. Sa më shpesh t’i shikojmë këto paraqitje figurative, aq më shumë do ta kujtojnë modelin e tyre ata që i soditin, aq më shumë do të shkojnë drejt tyre dhe do të dëshmojnë duke i puthur me nderim dhe respekt, veçse kjo të jetë sipas besës sonë, adhurimit të vërtetë, adhurim i cili i përket vetëm Perëndisë. Ashtu sikundër bëjmë me shenjën e Kryqit të çmuar e jetëbërës, për Ungjijtë e shenjtë dhe objektet e tjera të shenjta, ofrojmë temjan dhe qirinj për nder të tyre, sipas zakonit të devotshëm të të parëve. Pasi nderi që u bëhet ikonave shkon deri te modeli i tyre, dhe ai që nderon një ikonë, nderon në të personin (hipostazën) që paraqitet atje. Në këtë mënyrë do ta ruajmë mësimin e Etërve tanë dhe traditën e Kishës katholike, e cila mori mesazhin e Ungjillit nga një skaj i botës te tjetri”.
Kështu Etërit nuk mbrojtën vetëm nderimin e ikonave të shenjta, por thellë-thellë vetë realitetin e Mishërimit të Birit të Perëndisë: “Paraqes Perëndinë e Padukshëm, – thotë shën Joan Damaskini, – jo si të padukshëm, por në masën që u bë i dukshëm për ne me marrjen e mishit dhe të gjakut. Nuk nderoj lëndën, por nderoj Krijuesin e lëndës, i cili për mua u bë lëndë, që jetoi në lëndë dhe që përmes lëndës (d.m.th. përmes trupit të tij të vdekshëm dhe të ngjallur) kreu shpëtimin tim”. Referim i citimit të shën Joan Damaskinit: Fjalimi i parë mbi ikonat e shenjta, 16.
Duke marrë natyrën njerëzore, Fjala e Perëndisë e hyjnizoi atë, pa humbur cilësitë e Tij hyjnore. Prandaj ikona e Krishtit mund të pikturohet, edhe pse natyra e Tij njerëzore e lavdëruar është përtej kuptimit të shqisave tona. Dhe imazhi i Krishtit, besnikëria e të cilit garantohet nga tradita e Kishës, bëhet prani e vërtetë e Personit hyjnor dhe njerëzor që përfaqëson kanal hiri dhe shenjtërimi për ata që e nderojnë me besim.
Sinodi i Dytë në Nikea është i Shtati dhe Sinodi i fundit Ekumenik i njohur nga Kisha Orthodhokse. Megjithatë, kjo nuk të thotë se sinode të tjera ekumenike nuk mund të zhvillohen në të ardhmen, por më tepër, duke marrë rangun e shtatë, Sinodi i Nikeas ka qenë simboli i përsosmërisë dhe i përmbushjes që paraqet ky numër në Shkrimin e Shenjtë (p.sh. Gjen. 2.1-3). Ai mbyll erën e debateve të mëdha dogmatike, të cilat i lejuan Kishës të saktësonte me përkufizime, duke përjashtuar çdo ambiguitet, limitet e besës së shenjtë orthodhokse. Që tani e tutje, çdo herezi mund dhe do të mundet të asimilohet në njërin apo tjetrin gabim që Kisha ka dënuar me anatemë, kur u mblodh në Sinodet e përgjithshme, që prej të parit në Nikea (325), deri në të dytin në po të njëjtin vend (787).
Shën Longini jetoi gjatë mbretërimit të perandorit Tiber (15-34 pas Krishtit). Vinte nga Kapadhokia dhe shërbente në ushtrinë romake si centurion nën urdhrat e Pilatit, qeveritar i Judesë. Atë e kishin caktuar për të ekzekutuar torturat e Krishtit dhe të ruante varrin. Kështu pra edhe Longini ishte dëshmitar i mrekullive të Krishtit.
Kur ai i pa të gjitha këto, sytë e zemrës së tij u hapën dhe ai tha: «Me të vërtetë, ky është Bir i Perëndisë!» (Matth. 27.54; Mark 15.39). Kur ushtarët panë varrin bosh shkuan tek Longini që t’i jepnin një shumë parash që të shpërndanin lajmin se nxënësit shkuan dhe e morën trupin e tij. I ndriçuar nga drita e besimit të Ngjalljes, ai nuk pranoi. E braktisi ushtrinë dhe u kthye në atdheun e tij, Kapadhokinë, që të shpallte Lajmin e mirë si apostujt.
Për t’u hakmarrë ndaj Longinit, judenjtë i dhanë para Pilatit dhe ky i fundit i shkroi një letër perandorit Tiber që ta denonconte Longinin. Një ditë, disa miq qëndruan në shtëpinë e Longinit dhe i kërkuan t’i strehonte. Shenjti i priti me tërë të mirat. Ata i treguan se kërkonin një farë Longini për ta vrarë. Natën shenjti shkoi dhe përgatiti varrin e tij bashkë me një shok, i cili ishte arratisur nga Palestina dhe kërkoi të martirizohej bashkë me Longinin.
Kur shenjti mbërriti në shtëpi, u zbuloi miqve se ai ishte Longini që ata kërkonin. U befasuan të dërguarit e perandorit dhe u ndjenë keq ta vrisnin Longinin, i cili i kishte pritur aq mirë. Shenjti u kërkoi të mos vononin, por të përmbushnin qëllimin për të cilin kishin ardhur. Ia prenë kokën Longinit dhe e dërguan në Jerusalem, që Pilati dhe judenjtë të siguroheshin që Longini ishte vrarë. Më pas e hodhën kokën e tij në një gropë me gaz përreth Jerusalemit.
Shumë vite më vonë, një zonjë e pasur nga Kapadhokia, e cila u sëmur rëndë dhe e humbi shikimin, bëri një pelegrinazh në vendet e shenjta e shoqëruar nga i biri. Por si hynë në qytet, djali i saj vdiq dhe pikëllimi iu shtua edhe më tepër. Një natë, Longini iu shfaq në ëndërr dhe i zbuloi vendin ku ishte fshehur koka e tij, dhe i premtoi se prej saj do të shërohej. Gruaja e hidhëruar kërkoi dhe e gjeti kokën e shenjtit, e cila e shëroi nga verbëria. Jo vetëm sytë e trupit iu hapën, por edhe ato të shpirtit. E ngushëlluar e mori kokën e Longinit dhe e vendosi në një arkë bashkë me trupin e birit të saj dhe i çoi në Kapadhoki, ku i vendosi në një kishë që u ndërtua për nder të shenjtit.
– OSHËNAR MALI –
E braktisi botën, gjithë të mirat dhe prindërit, dhe u nis drejt shkretëtirës, në vende të pabanuara. U dha me zell në agjërim, lutje dhe çdo lloj pune tjetër asketike. Fytyra shkëlqente me gëzimin e Ngjalljes.
Kreu shumë mrekulli vetëm me thirrjen e emrit të Jisuit: shëronte të lebrosur, nxirrte demonë, u rikthente shikimin të verbërve dhe pas largimit të tij nga kjo botë u la besimtarëve trupin e tij, prej të cilit buron miro që shëron nga të këqijat.