Më në fund, o vëllezër të mi, gëzohuni në Zotin. T’ju shkruaj juve këto, për mua nuk është e lodhshme, po për ju është siguri.
Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e ligj, ruhuni nga prerja; sepse rrethprerja jemi ne që adhurojmë Perëndinë me frymë, edhe që mburremi në Krishtin Jisu, edhe nuk besojmë në mish; ndonëse dhe unë kam besim edhe në mish.
Nëse pandeh ndonjë tjetër se ka besim në mish, unë më tepër. I rrethprerë tetë ditësh, prej kombit të Izraelit, prej fisit të Beniaminit, Hebre prej Hebrenjsh, sipas ligjit Farise, nga zelli përndjekës i kishës, nga drejtësia që është sipas ligjit i paqortueshëm.
Po ato që ishin për mua fitim, këto i pashë si dëm për Krishtin. Po, me të vërtetë mendoj se të gjitha janë dëm për epërsinë e njohjes së Krishtit Jisu, Zotit tim; për të cilin u dëmtova në të gjitha, edhe i shikoj si plehra, që të fitoj Krishtin.
Edhe Jisui ishte duke nxjerrë një demon, edhe ai ishte i shurdhër; edhe kur doli demoni, i shurdhri foli; edhe turmat u çuditën. Po disa nga ata thanë, se i nxjerr demonët me anë të Beelzebulit, të parit të demonëve. Edhe të tjerë duke e ngarë, kërkonin prej tij shenjë nga qielli.
Po ai, si kuptoi mendimet e tyre, u tha: Çdo mbretëri që ndahet kundër vetes së saj, shkretohet; edhe një shtëpi kundër shtëpisë, bie. Edhe Satanai pra, në u ndaftë kundër vetes së tij, si do të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse thoni se unë i nxjerr demonët me anë të Beelzebulit. Edhe në i nxjerr unë demonët me anë të Beelzebulit, bijtë tuaj me anë të cilit do t’i nxjerrin? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
Por nëse i nxjerr demonët me gishtin e Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë arriti tek ju. Kur i forti ruan i armatosur avllinë e tij, pasuria e tij është në paqe. Po kur vjen një më i fortë se ai, e mund, i merr gjithë armët e tij, në të cilat shpresonte, edhe ndan plaçkën e tij. Kush nuk është me mua, është kundër meje; dhe kush nuk mbledh bashkë me mua, shpërndan.