E hënë, 31 tetor 2022 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Filipianëve 4:10-23.

Edhe u gëzova shumë në Zotin, se tashmë më së fundi e lulëzuat kujdesin që keni për mua, gjë që edhe e kishit në mendje, po s’kishit kohën e duhur. Nuk e them këtë se jam në nevojë; sepse unë jam mësuar të jem i kënaqur me ato që kam. Di të përulem, di edhe të rroj me të tepërta; kudo dhe në të gjitha jam mësuar edhe të ngopem edhe të kem uri, edhe të rroj me të tepërta edhe të kaloj me skamje. Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit që më jep fuqi. Por bëtë mirë që m’u bëtë shokë në shtrëngimin tim. Edhe ju, Filipianë, e dini se në fillim të ungjillit, kur dola nga Maqedonia, asnjë kishë nuk më shoqëroi për dhënie e për marrje veç ju vetëm; sepse edhe në Selanik një herë e dy herë në nevojë më dërguat ndihmë. Jo se kërkoj dhuratë; po kërkoj frytin që shumohet për llogarinë tuaj. Por të gjitha i kam dhe më teprojnë; jam plot, se prita prej Epafroditit ato që më dërguat ju, aromë me erë të mirë, theror të pranueshëm, të pëlqyer nga Perëndia. Edhe Perëndia im ka për të plotësuar gjithë nevojën tuaj sipas pasjes së tij në lavdi, me anë të Krishtit Jisu. Edhe Perëndisë dhe Atin tonë i qoftë lavdia në jetë të jetëvet. Amin. Përshëndetni çdo shenjt në Jisu Krishtin; ju përshëndesin vëllezërit që janë bashkë me mua. Ju përshëndesin gjithë shenjtët, po më fort ata që janë nga shtëpia e Qezarit. Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amin.

UNGJILLI - Llukai 11:29-33.

Edhe ndërsa po mblidheshin turmat, zuri të thotë: Ky brez është brez i lig; kërkon shenjë dhe shenjë nuk do t’i jepet përveç shenjës së profetit Jona. Sepse sikurse Jonai u bë shenjë në ninevitët, kështu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë në këtë brez. Mbretëresha e Jugut do të ngrihet në gjykimin bashkë me njerëzit e këtij brezi, edhe do t’i dënojë; sepse erdhi nga anët e fundit të dheut që të dëgjojë urtësinë e Solomonit; edhe ja këtu ka më tepër se Solomon. Burrat e Ninevisë do të ngrihen në gjykimin bashkë me këtë brez, edhe do ta dënojnë; sepse u penduan në predikimin e Jonait; edhe ja këtu ka më tepër se Jonà. Edhe asnjë, kur ndez kandil nuk e vë në vend të fshehur, as nën shinik, po mbi kandiler, që të shohin dritën ata që hyjnë brenda.