E premte, 4 nëntor 2022 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - Kolosianëve 2:1-7.

Sepse dua ta dini ç’përpjekje të madhe bëj për ju edhe për ata që janë në Laodiki, edhe për gjithë ata që s’kanë parë fytyrën time në mish, që të ngushëllohen zemrat e tyre, duke u bashkuar në dashuri dhe në çdo lloj pasurie të kuptimit të urtësisë, që të njohin misterin e Perëndisë dhe Atit e të Krishtit, tek i cili janë fshehur gjithë thesarët e urtësisë e të diturisë. Edhe e them këtë që të mos ju gënjejë ju ndonjë me fjalë bindëse. Sepse ndonëse me trupin nuk jam aty, po me shpirtin jam bashkë me ju, duke u gëzuar e duke parë rregullin tuaj edhe qëndresën e besimit tuaj në Krishtin. Sikurse pra e keni marrë Zotin Jisu Krisht, në atë ecni, duke u rrënjosur e duke u ndërtuar tek ai, edhe duke u forcuar në besim, sikundër u mësuat, duke tepruar në të me falënderim.

UNGJILLI - Llukai 12:2-12.

Po nuk ka gjë të mbuluar, që s’ka për t’u zbuluar, dhe të fshehur, që s’ka për t’u marrë vesh. Prandaj sa thatë në errësirë, do të dëgjohen në dritë; edhe ç’folët në vesh nëpër dhoma, do të shpallet mbi kulmet. Edhe po ju them ju miqve të mi: Mos kini frikë nga ata që vrasin trupin dhe pastaj s’kanë se ç’të bëjnë gjë më tepër. Po do t’ju tregoj juve prej cilit të keni frikë; të keni frikë prej atij, i cili pasi të vrasë, ka pushtet të hedhë në gjehenë. Me të vërtetë po ju them juve, prej këtij të keni frikë. A nuk shiten pesë harabelë për dy monedha bakri? Edhe një nga ata nuk është i harruar përpara Perëndisë; Po dhe qimet e kokës suaj janë numëruar të gjitha. Mos kini frikë pra; ju ndryshoni prej shumë harabelësh. Edhe po ju them juve, kushdo që të më pohojë përpara njerëzve, edhe Biri i Perëndisë do ta pohojë përpara engjëjve të Perëndisë. Ndërsa kushdo që të më mohojë përpara njerëzve, do të mohohet përpara engjëjve të Perëndisë. Edhe kushdo që të thotë fjalë kundër Birit të njeriut, do t’i falet; po atij që të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë nuk do t’i falet. Edhe kur t’ju sjellin ju nëpër sinagogat, e nëpër kryesitë e pushtetet, mos mendoni si ose qysh të mbroheni, ose ç’të thoni. Sepse Fryma e Shenjtë do t’ju mësojë në atë orë ç’duhet të thoni.