E hënë, 7 nëntor 2022 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Kolosianëve 2:13-20.

Edhe ju, duke qenë të vdekur në faje e në parrethprerjen e mishit tuaj, ju bëri të gjallë bashkë me atë, duke ju falur gjithë fajet; edhe duke shuar dorëshkrimin e porosive që ishte kundër nesh, edhe këtë e hoqi nga mesi, duke e mbërthyer atë në kryq. Edhe pasi i zhveshi kryesitë dhe pushtetet, i bëri shembull faqe të gjithëve, duke triumfuar mbi ata nëpërmjet tij. Le të mos ju gjykojë pra askush për ngrënie a për pirje, ose për gjëra që kanë të bëjnë me festa a me hënë të re, a me të shtuna, të cilat janë hije të gjërave që kanë për të ardhur, po trupi është i Krishtit. Askush le të mos jua heqë juve çmimin duke u shtirë sikur do përulësinë dhe adhurimin e engjëjve, duke hyrë në punë që s’i ka parë, duke u fryrë më kot prej mendjes së mishit të tij, edhe nuk mban kreun, Krishtin, prej të cilit gjithë trupi, duke u mbajtur e duke u lidhur bashkë me anë të nyjeve e të bashkëlidhjeve, rritet sipas rritjes që do Perëndia. Në qoftë pra se vdiqët bashkë me Krishtin nga elementët e botës, përse duke jetuar në botë jeni nën urdhra.

UNGJILLI - Llukai 12:13-15, 22-31.

Edhe një prej turmës i tha: Mësues, thuaji tim vëllai të ndajë trashëgimin bashkë me mua. Po ai i tha: O njeri, kush më vuri gjykatës a ndarës mbi ju? Edhe u tha atyre, Vështroni e ruhuni nga çdo lakmi; sepse në pastë tepër ndonjë, jeta e dikujt nuk është në tepricën e pasurisë së tij. Edhe u tha nxënësve të tij: Prandaj po ju them juve, mos u shqetësoni për jetën tuaj, ç’të hani; as për trupin tuaj, ç’të vishni. A nuk është jeta më tepër se ushqimi, edhe trupi se veshja? Vini re korbat, as nuk mbjellin, as nuk korrin; ata nuk kanë as qilar as grunar, edhe Perëndia i ushqen. Sa më tepër ndryshoni ju nga zogjtë? Edhe cili prej jush duke u shqetësuar mund të shtojë një kut në shtatin e tij? Nëse ju pra nuk mund të bëni as një gjë kaq të vogël, pse shqetësoheni për të tjerat? Vini re zambakët, si rriten; nuk mundohen, as nuk endin; edhe po ju them juve, as Solomoni me gjithë lavdinë e tij nuk ishte veshur si një nga këto. Po në qoftë se barin e arës, që sot është, edhe nesër hidhet në furrë, Perëndia e vesh kështu, sa më tepër ju, o besëpakë? Edhe ju mos kërkoni ç’të hani a ç’të pini; as mos e kini mendjen të trazuar. Sepse të gjitha këto i kërkojnë me ngulm kombet e botës; dhe Ati juaj e di se keni nevojë për këto. Po kërkoni mbretërinë e Perëndisë, dhe këto të gjitha do t’ju shtohen juve.