Perëndia është dashuri – Krishtlindje 2004

Perëndia është dashuri – Krishtlindje 2004

Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,
Bij të shtrenjtë më Zotin,
“Perëndia është dashuri. Kështu u shfaq dashuria e Perëndisë tek ne: Perëndia dërgoi birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të rrojmë nëpërmjet tij”(1 Jn. 4:8-9).
E vërteta që shpall me ngulm besimi i krishterë është se “Perëndia është dashuri”. Këtë realitet mahnitës thekson në mënyrë gazmore e kremtja e sotme. Krishtlindjet na risjellin në mënyrë solemne në mendje dhe ndërgjegje shprehjen tronditëse të dashurisë së Perëndisë, që e përmbledh vargu i Ungjillit: “Kështu u shfaq dashuria e Perëndisë tek ne: Perëndia dërgoi birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të rrojmë nëpërmjet Tij”.
Me hyrjen e Fjalës Hyjnore në udhën historike të njerëzimit, dashuria e Perëndisë zbulohet në mënyrën më të fortë: “ajo mishërohet”. Me Trupëzimin e Tij, i Biri i Perëndisë, merr tërë natyrën njerëzore, në tërëqenien e saj shpirtërore dhe materiale. E rikrijon atë. Ky fakt mbetet rrënja e zbulesës së krishterë, që ushqen çdo propozim dhe vlerë tjetër të krishterë.
Kjo shfaqje konkrete e dashurisë së Perëndisë me anën e “mishërimit”, bën dallimin përcaktues të besimit të krishterë: Perëndia, Krijuesi dhe Zoti i gjithësisë nuk është një veprim, urtësi dhe fuqi abstrakte, diçka që mendja njerëzore mund të dyshonte dhe t’i afrohej me aftësitë mendore të trurit. Eshtë Perëndi personal plot dashuri, që i zbulohet njeriut dhe ndodhet në marrëdhënie të vazhdueshme me të. Një marrëdhënie që bëhet e ndjeshme nga e gjithë qenia njerëzore. Perëndia i dashurisë nuk e braktisi botën, e cila gjen vdekjen nga egoizmi dhe urrejtja. Ai lëviz midis nesh, brenda qyteteve tona të zhurmshme, në shkretëtirën e vetmisë sonë, duke dhënë fuqi dashurie, duke falur kuptim dhe plotësim në jetë.

* * *
Kjo dashuri e Perëndisë mbetet përjetësisht e dukshme në Trupin mistik të Krishtit, që është “Kisha e Perëndisë së gjallë, shtyllë dhe mbështetje e së vërtetës (1 Tim. 3:15). Misioni bazë i Kishës së Tij është të zbulojë dhe të bëjë të pranishme dashurinë hyjnore tek e këtushmja dhe e tanishmja”, në çdo çast kohor dhe në çdo vend, ku gjendet dhe vepron. Çdo shprehje e jetës së saj, adhurim, fjalë, strukturë administrative, aktivitet, vepër sociale, vetëm kur mishërojnë këtë dashuri të përjetshme të Perëndisë, përderisa e bëjnë vepru-ese dhe të dukshme, kanë rëndësi dhe vlerë të vërtetë. Unikaliteti i Kishës së Krishtit qëndron pikërisht në faktin se, në shprehjet e ndryshme të qenies njerëzore, të shoqërisë njerëzore, në vlerat e ndryshme të kulturës, ofron dashurinë, në formën e saj autentike. Nëse ajo pushon së shërbyeri “këtij misteri të madh të shpresëtarisë” (1 Tim. 3:16), që përmbledh fakti se Perëndia i dashurisë “u shfaq në mish”, atëherë “bëhet enë bakri që kumbon ose cimbal që tingëllon”, qoftë edhe nëse ka profeci, dije, edhe nëse njeh tërë misteret, qoftë dhe nëse kryen vepra të rëndësishme dhe impresionuese (I Kor. 13:1-3).
Dashuria e krishterë nuk mbetet në gjëra të përgjithshme dhe të papërcaktuara. Ajo ka shprehje konkrete në jetë – zbulohet në marrëdhëniet njerëzore: “Dashuria është zemërgjerë, bën të mira, dashuria nuk ka smirë, dashuria nuk krekoset, nuk mbahet me të madh, nuk sillet shëmtuar, nuk kërkon të vetat, nuk zemërohet, nuk mendon të keqen, nuk gëzohet me padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën; të gjitha i mban, të gjitha i beson, të gjitha i shpreson, të gjitha i duron. Dashuria kurrë s’bie poshtë” (1 Kor. 13:4-8).

* * *
Këto të vërteta nuk janë të pranueshme nga të gjithë njerëzit. Gjatë shekujve, të shumtë ishin ata që nuk e pranuan dhe nuk iu përgjigjën dashurisë së Perëndisë. Disa u tallën me të, të tjerë dyshuan, të tjerë e urryen, disa të tjerë e injoruan. Megjithatë, miliona shpirtra nga të gjitha shtresat shoqërore, nga të gjithë popujt dhe kategori njerëzish, të shkolluar e të pashkolluar, të pasur e të varfër, të privilegjuar ose jo, besuan se “aq shumë e deshi Perëndia botën saqë dha të Birin e Tij të vetëmlindur, që të mos humbasë kushdo që do t’i besojë atij, por të ketë jetë të përjetshme” (Jn. 3:16). Dhe u përpoqën, brenda mundësive, të mbeten në dashuri, ta bëjnë atë vizion, ideal, akt, vepër dhe përpjekje. Njerëzimi u detyrohet të gjithë atyre me mirënjohje të madhe. Duke pasur dëshirë të zjarrtë t’i afrohen Perëndisë dhe të bashkohen me Të, ata “mbetën” në dashuri. Dhe siç na zbulon Ungjillor Joani, “Perëndia është dashuri, dhe kush mbetet në dashuri, mbetet tek Perëndia dhe Perëndia tek ai” (1 Jn. 4:16).
Çdo qelizë e Trupit të dukshëm të Krishtit, të Kishës, çdo besimtar, është thirrur me anën e pagëzimit dhe pjesëmarrjes në Eukaristinë Hyjnore, që dashurinë e Perëndisë ta shprehë, ta bëjë të dukshme, ta shfaqë, “ta mishërojë” me qenien dhe veprën e tij, në të gjitha kushtet ku jeton. Kush mbetet tek Perëndia, nuk mund të mos dojë ashtu si Ai, me një dashuri që ndërmerr nisma të guximshme, që nuk njeh kufij, paragjykime, që përqafon gjithçka.
Konfirmimi se “Perëndia është dashuri”, na ngushëllon dhe na çliron nga frika e shumëlloj-shme, nga frika e tjetrit, që është ndryshe, e të panjohurit, e zhvillimeve të njerëzimit që shpesh parashihen si kërcënuese. Nga frika prej dështimeve dhe ndonjëherë prej humnerës së shpirtit tonë. “Frikë nuk ka në dashuri. Por dashuria e përkryer e nxjerr jashtë frikën” (1 Jn. 4:18).
Madje, dhe shumë njerëz që mohojnë ose që nuk duan të pranojnë fjalën “Perëndi”, në mënyrë indirekte ata pranojnë emrin tjetër të Tij: “Dashurinë”. Fakti që dashuria përbën vlerën më të lartë të jetës, fuqinë mistike të botës, aq më shumë bëhet e pranueshme, nëpërmjet përvojave të ndryshme dhe mënyrave të të menduarit. Ky fakt bëhet një rrugë e fshehtë kalimi që i çon njerëzit – ndoshta pa e kuptuar – pranë Perëndisë së Dashurisë. Kjo, besojmë, përbën qëllimin final të ecjes së botës.

* * *

Këto ditë të shenjta, vëllezër dhe motra, le t’i lëmë mënjanë elementet e shumta të jashtme, zakonet që shpesh nuk kanë të bëjnë fare me thelbin e Ngjarjes, dhe le të mendojmë më me kujdes bërthamën e festës së Krisht-lindjeve, pra, se me ardhjen e Tij në botë, Krishti zbuloi, “Mishëroi” dashurinë e përjetshme të Perëndisë. Dhe le t’i shtojmë përpjekjet për të rregulluar qëndrimin dhe sjelljen tonë të përditshme sipas kësaj të vërtete. Le ta mi-shërojmë dashurinë tonë me pastrim të ndjenjave tona për të tjerët, me iniciativa dhe vepra konkrete dashurie. Dhe le t’i përgjërohemi të Trupë-zuarit: O Zot, Ti që erdhe midis nesh për të shfaqur dashurinë e pakufishme të Pe-rëndisë, e cila përqa-fon dhe transformon gjithçka, qëndro tek ne, sidomos gjatë këtyre ditëve. Dhe gjatë Vitit të Ri që do të vijë pas pak ditësh, na bëj të denjë që të mbetemi të qëndrueshëm në dashuri tek Ty. Për shumë vjet të bekuara dhe të gëzuara!
Me uratat e zjarrta të Perëndisë,
+Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë