E besueshme është fjala; në dëshiron ndonjë të bëhet episkop, punë të mirë dëshiron. Episkopi pra duhet të jetë i paqortueshëm, burrë i një gruaje, i përmbajtur, i urtë, i sjellshëm, mikpritës, mësues i aftë; jo verëpirës, jo grindës, jo lakmitar për fitim të pandershëm, por i butë, paqësor, jo argjenddashës; njeri që drejton mirë shtëpinë e tij, që ka fëmijë të bindur me çdo lloj urtësie.
Sepse në qoftë se ndonjë nuk di të drejtojë shtëpinë e tij, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë? Të mos jetë rishtar në besim, që të mos fryhet me madhështi e të bjerë në dënim të djallit. Edhe duhet të ketë dëshmi të mirë dhe nga të jashtmit që të mos bjerë në turp e në lak të djallit.
Dhiakonët gjithashtu, duhet të jenë të hijshëm, jo me dy faqe në fjalë, jo të dhënë pas verës së shumtë, jo lakmitar për fitim të pandershëm; të kenë misterin e besimit me ndërgjegje të kthjellët. Edhe këta le të provohen më parë, pastaj le të bëhen dhiakonë, pasi të gjenden të paqortueshëm.
Gratë e tyre gjithashtu të jenë të hijshme, jo shpifëse, të përmbajtura, besnike në të gjitha. Dhiakonët le të jenë burra të një gruaje, që drejtojnë mirë fëmijët dhe shtëpitë e tyre.
Sepse ata që kanë shërbyer mirë, fitojnë shkallë të mirë për veten e tyre, edhe shumë guxim në besimin që është në Krishtin Jisu.
Edhe kur të nisin të bëhen këto, shikoni lart dhe ngrini kryet tuaj; sepse po afrohet çlirimi juaj. Edhe u tha atyre një paravoli: Shihni fikun dhe gjithë pemët; tashmë kur të çelen, duke parë vetvetiu merrni vesh se tani vera është afër. Kështu edhe ju, kur të shihni të bëhen këto, dijeni se mbretëria e Perëndisë është afër.
Me të vërtetë po ju them juve, se ky brez nuk do të shkojë, deri sa të bëhen të gjitha këto. Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë.