E enjte, 22 dhjetor 2022 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - Titi 1:5-14.

Prandaj të lashë në Kretë, që të ndreqësh të metat, edhe të vendosësh në çdo qytet pleq siç të urdhërova unë: kush të jetë i paqortueshëm, burrë i një gruaje, që ka bij besimtarë që s’përfliten për plangprishës ose për të pabindur. Sepse episkopi duhet të jetë i paqortueshëm, si kujdestar i Perëndisë; jo i vrazhdë, jo zemërak, jo verëpirës, jo grindës, jo lakmitar për fitim të pandershëm, por mikpritës, mirëdashës, i urtë, i drejtë, shenjt, i përmbajtur; i ngjitur pas fjalës së vërtetë sipas mësimit që mori, që të mundë edhe të nxisë të tjerë me anë të mësimit të shëndoshë, edhe të qortojë ata që flasin kundër. Sepse janë shumë të pabindurit që flasin fjalë të kota e që mashtrojnë, më fort ata që janë nga rrethprerja, të cilëve duhet t’u mbyllim gojën; që përmbysin shtëpi të tëra, duke mësuar sa nuk duhen, për fitim të pandershëm. Një nga ata, profet i tyre, tha: “Kretasit janë gjithnjë gënjeshtarë, bisha të këqija, barqe përtace”. Kjo dëshmi është e vërtetë. Për këtë shkak qortoji ata ashpër, që të shëndoshen në besim; edhe të mos u vënë vesh përrallave të Judenjve dhe urdhërimeve të njerëzve që i kthejnë krahët së vërtetës.

UNGJILLI - Marku 10:17-28.

Edhe ndërsa po dilte në rrugë, një njeri u lëshua me vrap, edhe ra në gjunjë përpara tij, edhe e pyeste: Mësues i mirë, ç’të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme? Edhe Jisui i tha: Pse më thua i mirë? Asnjë s’është i mirë, përveç një, Perëndia. Urdhërimet i di: “Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos jep dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde”. Edhe ai iu përgjigj, e i tha: Mësues, këto i kam ruajtur që në rininë time. Edhe Jisui hodhi sytë mbi të, edhe e deshi, edhe i tha: Një gjë të mungon, në do të jesh i përsosur, shko e shit sa ke, edhe jepua të varfërve dhe do të kesh thesar në qiell, edhe eja, ngri kryqin tënd e më ndiq pas. Po ai u ngrys nga kjo fjalë, edhe iku i hidhëruar, se kishte shumë zotërime. Edhe Jisui, si hodhi sytë përreth, u tha nxënësve të tij: Sa me vështirësi do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që kanë para! Edhe nxënësit tmerroheshin për fjalët e tij. Po Jisui përsëri u përgjigj e u tha atyre: Bij, sa gjë e vështirë është të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që shpresojnë në paratë! Më lehtë është të shkojë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Edhe ata çuditeshin tepër, duke thënë me veten e tyre: Dhe cili mund të shpëtojë? Edhe Jisui si hodhi sytë mbi ta, tha: Për njerëzit është e pamundur, po jo për Perëndinë; sepse të gjitha janë të mundura për Perëndinë. Edhe Pjetri zuri t’i thotë: Ja ne tek i lamë të gjitha dhe erdhëm pas teje.