E enjte, 29 dhjetor 2022 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Hebrenjve 7:1-6.

Sepse ky Melkisedeku, ishte mbreti i Salemit, prift i fort të lartit Perëndi, i cili u takua me Abrahamin kur ky kthehej nga shpartallimi i mbretërve, edhe e bekoi. Atij Abrahami i ndau edhe të dhjetën e të gjithave, i cili së pari përkthehet mbret i drejtësisë, edhe pastaj edhe mbret i Salemit, që do me thënë mbret i paqes, pa atë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasur as fillim ditësh, as fund jete, por bërë i ngjashëm me Birin e Perëndisë, mbetet prift përgjithnjë. Pa mendoni sa i madh ishte ky, të cilit Abrahami, kryeati, i dha edhe të dhjetën e plaçkës. Edhe nga të bijtë e Levit ata që marrin priftërinë, kanë urdhërimin të marrin sipas ligjit të dhjetën nga populli, domethënë nga vëllezërit e tyre, ndonëse kanë dalë nga mesi i Abrahamit. Po ai që nuk e kishte gjenealogjinë nga ata mori të dhjetën nga Abrahami, edhe bekoi atë që kishte premtimin.

UNGJILLI - Mattheu 2:13-23.

Edhe pasi ikën ata, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit, duke thënë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe ik në Egjipt. Edhe rri atje deri kur të të them ty, sepse Herodi do të kërkojë djalin që ta vrasë. Edhe ai u ngrit, e mori me vete djalin edhe të ëmën e tij natën, edhe iku në Egjipt. Edhe ndenji atje deri në vdekjen e Herodit, që të përmbushet e thëna prej Zotit me anë të profetit, që thotë: “Nga Egjipti thirra tim bir”. Atëherë Herodi, kur pa se u gënjye nga magët, u zemërua fort, edhe dërgoi e vrau gjithë djemtë që ishin në Betlehem e nëpër gjithë rrethinat e tij, që nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës që kishte marrë vesh saktësisht nga magët. Atëherë u përmbush ç’është thënë nga profeti Jeremia, që thotë: “Zë u dëgjua në Rama, vaj e të qarë e gjëmë shumë. Rakela qante djemtë e saj, edhe nuk donte të ngushëllohej, sepse nuk janë”. Edhe si vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit tek i duket në ëndërr Josifit në Egjipt e i thotë: Ngrihu e merr me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe shko në dhe të Izraelit; sepse vdiqën ata që kërkonin jetën e djalit. Edhe ai u ngrit e mori me vete djalin dhe të ëmën e tij, edhe erdhi në dhe të Izraelit. Po kur dëgjoi se Arkelau mbretëron në Jude në vend të Herodit, të atit të tij, pati frikë të shkojë atje; edhe siç iu tregua atij nga Perëndia në ëndërr, iku në anët e Galilesë, edhe erdhi e ndenji në një qytet që quhet Nazaret; që të përmbushet ç’është thënë nga profetët, se nazaretas do të quhet.