Shën Anisia ishte bijë prindërish fisnikë të njohur dhe shumë të pasur të Selanikut, të konvertuar në besimin e krishterë, që i frymëzuan qysh në fëmijëri dashurinë për virtytet dhe urtësinë. Mbeti jetime nga i ati dhe e ëma; kur ishte në prag të adoleshencës, qëndroi larg kënaqësive të kësaj bote, shpirti i saj digjej nga dashuria e madhe për Krishtin. Kështu u sul drejt takimit me Dhëndrin qiellor, duke lënë mënjanë dhe duke hedhur tutje çdo gjë që mund ta mbante të lidhur me tokën. Ajo çliroi skllevërit e saj të shumtë në numër dhe u dha shuma të mëdha parash që të bënin një jetë të mirë, dhe gjithashtu ndau tokat, pronat, bagëtitë dhe çdo gjë të sajën, si një tregtar i urtë që i shet të gjitha të mirat e tij, për të fituar perlën e paçmueshme, Mbretërinë e Qiejve (Matth. 13:45). Ajo u zhvesh nga zbukurimet dhe të gjitha rrobat e shtrenjta, për t’u veshur me gjëra të thjeshta e të varfra dhe kështu rendte nëpër qytet, duke vizituar të sëmurët, duke i ndihmuar vejushat dhe jetimët, duke u dhënë ushqim dhe rroba të varfërve.
Por dëshira e saj ishte që të ndihmonte më tepër viktimat e persekutimeve. Pa përfillur rrezikun, ajo shkonte nëpër burgje për të vizituar ata që vuanin nga uria, etja, nga plagë dhe trajtime të rënda të çdo lloji për hir të dashurisë për Krishtin. U puthte plagët, si të ishin plagët e Pësimit shpëtimtar të Zotit tonë dhe kujdesej e i ngushëllonte.
Duke braktisur në këtë mënyrë çdo gjë dhe duke pasur vetëm trupin e saj të vdekshëm që e mbante të lidhur me tokën, tani dëshira e saj e vetme ishte që të arrinte në përsosmëri duke vdekur për Krishtin. Meqë donte që një vendim i tillë të ishte vullnet Perëndie, nuk ekspozohej më kot përpara rreziqeve, por tërhiqej në një qeli (dhomë) të ngushtë, për t’ia kushtuar veten lutjes, kreshmës, lotëve. Kështu lartësohej përmbi gjendjen e vdekshme, duke pasur praktikimin e virtyteve të shenjta si bazament të jetës së saj shpirtërore.
Duke parë një betejë të tillë, djalli, i inatosur, u përpoq ta trembte shenjtoren me marifete të shumta, për ta bindur që të braktiste qelinë, por ndeshi në vendosmërinë e saj më të fortë edhe se ajo e luftëtarëve më trima. Atëherë lëshoi kundër saj shigjetat e mërzitjes, të plogështisë së trupit dhe të sëmundjes, por vajza e re, duke u armatosur me shenjën e Kryqit, e dëboi me anë të kamxhikut të lutjes.
Kur persekutimi i Maksimianit ishte në kulm (305), shën Anisia, e mbushur me virtyte dhe duke qenë e përqendruar në jetën e saj shpirtërore, gjeti sigurinë për t’i drejtuar Krishtit një lutje që të bëhej pjesëtare në vdekjen e Tij jetëprurëse. Kjo lutje iu dëgjua. Një ditë, ndërsa po shkonte në kishë, e takoi një shoqërues i mbretit dhe e pyeti me shumë ashpërsi. Pa asnjë hezitim, ajo e deklaroi veten e saj të krishterë, shërbëtore të Jisu Krishtit.
Pagani i pagdhendur e kapi me forcë dhe e tërhoqi zvarrë deri në tempullin e idhujve që ta bënte të sakrifikonte, dhe si përgjigje mori një të pështyrë në fytyrë. I tërbuar në maksimum, shoqëruesi nxori shpatën dhe ia nguli shenjtores në brinjë, dhe ajo dha shpirtin e saj te Perëndia, për të gjetur gëzimet e përjetshme në dhomën nusërore të Qiellit. Disa të krishterë shpresëtarë mundën ta merrnin trupin e saj dhe e varrosën jashtë qytetit, jo shumë larg, në një vend ku u ndërtua një kishë në nder të saj, pas mbarimit të persekutimit.
Shën Fileteri jetonte në Nikomedi në kohën e persekutimit të Dioklecianit (304). Biri i Tacienit, prefektit, ai u arrestua me gjithë të krishterët e tjerë dhe u soll përpara gjyqit perandorak. Diokleciani u habit tej mase kur pa ecjen e tij krenare dhe flokët që shkëlqenin si ar në diell. Atij iu duk se pa përpara tij një prej perëndive të Olimpit ose një prej heronjve të mitologjisë.
Pyetjeve të tij Fileteri trim iu përgjigj pa hezitim, se ai ishte nxënës i Shpëtimtarit Krisht dhe, përpara kërcënimeve dhe fjalëve blasfemuese të tiranit, ngriti sytë në qiell dhe i kërkoi Perëndisë të shfaqte fuqinë e Tij. Menjëherë ndodhi një tërmet i shoqëruar me bubullima të mëdha, që përhapi panik ndër paganët dhe shoi furrën e përgatitur për shenjtorin. Diokleciani, atëherë e liroi me nderime të mëdha.
Në vitin 305, kur Maksimiani mori pushtetin dhe drejtonte persekutimet, shën Fileteri u mor përsëri në pyetje dhe u dënua të rrihej me thupër. I torturuar për vdekje, ai qëndroi përsëri më këmbë, i mbështetur nga fuqia e Krishtit, duke pritur me padurim të vuante edhe tortura të tjera. I pacenuar në mënyrë të mrekullueshme nga kafshët e egra dhe duke i shpëtuar prerjes së kokës me anë të një ndërhyrjeje të Perëndisë, ai u internua më pas në ishullin e Marmarasë (Prokonisis) ku edhe pse me pranga, kreu të gjitha llojet e mrekullive për popullin dhe i përmbysi idhujt vetëm me një fjalë. E transferuan në Nikea.
Kur shkoi aty, statujat e një tempulli të famshëm pagan ranë përtokë dhe u bënë copa kur ai u afrua. Atëherë guvernatori i qytetit, bashkë me 6 ushtarë të tij dhe një numër të madh paganësh u bënë të krishterë. Shenjtori vazhdoi të kryente mrekulli të shumta dhe shkoi në malin Sigrianion në krahinën e Kizikës (Helesponti), ku jetonte konfesori i guximshëm i Krishtit dhe mrekullibërësi i famshëm Efvioti (shih 18 dhjetor).
Sapo Fileteri nisi të ngjitej në mal me shokët e tij, bashkë me guvernatorin dhe 6 ushtarët, Efvioti, i lajmëruar nga një engjëll, erdhi vetë për t’i takuar dhe i përqafoi me dashuri, si vëllezër dhe shokë luftërash. Pasi kaloi 7 ditë në qelinë e Efviotit, shën Fileteri e dha shpirtin e tij te Perëndia, dhe 7 shokët e tij e ndoqën në banesat e përjetshme, 11 ditë më vonë.
– OSHËNAR DËSHMOR I RI GEDEONI –
Shën Gedeoni lindi në një familje të varfër në fshatin Kapurna, në dioqezën e Dimitrias (krahinë aktuale e qytetit të Volosit, në Greqi). Në moshën 12-vjeçare, prindërit e vun në shërbim të një prej ungjve të tij, që punonte në pazarin e qytezës së Velestinonit. Duke vënë re inteligjencën dhe zellin e tij për punë, një mysliman e rrëmbeu me forcë për ta përdorur në haremin e tij dhe pas një viti arriti ta bënte që të pranonte rrethprerjen dhe të ndërronte fenë e të merrte emrin Ibrahim.
Nuk kaluan as 2 muaj dhe, i munduar prej qortimeve të ndërgjegjes, djali i vogël u arratis për të shkuar në fshehtësi në shtëpinë e tij atërore. Të frikësuar nga ky lajm, prindërit e dërguan në Kretë për t’iu shpëtuar përndjekjeve.
Ai kaloi atje ca kohë pranë disa muratorëve të sertë dhe të dhunshëm, por dhe që atje iku përsëri dhe gjeti strehë te një prift besimtar i ishullit, i cili, pasi dëgjoi rrëfimin e apostazisë së tij, i tregoi rrugën e pendimit dhe e mori në shtëpinë e tij si bir të adoptuar. Pas 3 vjetësh, prifti i mirë ndërroi jetë dhe adoleshenti shkoi në Malin e Shenjtë Athos, që t’i përkushtohej jetës së pendimit dhe lotëve për shpëtimin e shpirtit të tij, si shumë të tjerë, të cilët, pasi kishin humbur rrugën më parë, kishin vendosur të pajtoheshin me Perëndinë. Ai u bë murg në manastirin e Karakalit me emrin Gedeon, dhe mori detyrën e kisharit.
Shfaqi menjëherë një nënshtrim dhe bindje të shkëlqyer e eci shumë shpejt në rrugën e kreshmës, të agripnive, metanive, lotëve të vazhdueshëmdhe të të gjitha mundimeve të jetës asketike.
Gjatë 35 vjetëve ai ishte për të gjithë modeli i murgut. Në vitin 1797, u caktua ekonom i metoqit të manastirit në Kretë për 7 vjet. Një prej gjërave të tij të preferuara ishte leximi i jetës së martirëve të shenjtë: gjente në to modelet e dorëzimit të plotë të vetes te dashuria e Krishtit dhe të rilindjes për ato që kishin mohuar. I djegur nga dëshira për të imituar këta heronj, ai mori bekim nga drejtuesit e manastirit për të hyrë në rrugën e martirizimit vullnetar dhe shkoi në fillim në Zagora, duke u shtirur si i marrë për të tërhequr mbi veten e tij përbuzjen dhe talljen, sipas shembullit të shën Simeonit dhe shën Andreas.
Mbërriti në Velestinon të Enjten e Madhe dhe shkoi në shtëpinë e zotërisë së tij të vjetër mysliman, pasi e kishte zbukuruar trupin dhe flokët me lule shumëngjyrëshe. Ai i kujtoi turkut, se ishte ai djali i vogël i krishterë që dikur e kishte detyruar me forcë të tradhtonte fenë e tij. E arrestuan menjëherë dhe të nesërmen e çuan te gjykatësi, ishte e Premte e Madhe. I veshur me atë veshje të çuditshme, ai eci drejt gjykatësit, me dy vezë Pashke në dorë dhe i tha me ton të sigurt: “Krishti u ngjall!”. Ndërsa i dhanë kafe për të pirë, ia flaku atë në fytyrë gjykatësit, duke mos pranuar lajkat e tij. Ai i bëri të gjitha këto për të ngjallur urrejtjen e turqve dhe egërsinë e tyre, por e morën për të marrë dhe, pasi e rrahën, e flakën në rrugë ku e morën të krishterët.
Pak kohë më pas, ndërsa ushtarët turq po kalonin në fshat, i lumuri Gedeon, duke dëshiruar martirizimin siç dreri dëshiron burimet e ujërave (shih Ps. 41:2), i provokoi ata dhe nuk pati frikë të mbante në dorë një thëngjill të ndezur për t’u treguar atyre se besimi i tij ishte më i zjarrtë edhe se djegiet më të rënda. Nga atje, ai u tërhoq në një gropë për t’iu përkushtuar për pak kohë lutjes së pandërprerë, pastaj u kthye një vit në Athos, në manastirin e tij.
Një natë dëgjoi një zë gjatë shërbesës në Kishë, që vinte nga ikona e Krishtit: “Kushdo pra që të më pohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta pohoj atë përpara Atit tim që është në qiejt. Por këdo që të më mohojë përpara njerëzve, do ta mohoj edhe unë atë përpara Atit tim që është në qiej” (Matth. 10:33). I vendosur nga kjo thirrje, shkoi sërish në Velestinon, ku pohoi me guxim kthimin e tij. E dorëzuan te pashai i Tirnavos pranë Larisës, në Thesali, ku tregoi me guxim historinë e tij, dhe pohoi Krishtin. E shëtitën lakuriq mbi një gomar, me një copë lëkurë deleje mbi kokë, por kjo u bë për atë një marshim triumfal, i ngjashëm me hyrjen e Krishtit në Jerusalem. Në fund fare, e dënuan me prerje gjymtyrësh me sëpatë, gjë që e gëzoi tej mase Gedeonin, i cili e shtriu vetë këmbën, duke e inkurajuar me dashuri xhelatin, që hezitonte, i frikësuar nga siguria e tij. Me shpirtin e përqendruar te Perëndia, martiri nuk nxori asnjë britmë ose psherëtimë, kur po i prisnin të 4 gjymtyrët.
Në mbrëmje, meqë jetonte ende, guvernatori thirri 4 të krishterë për ta hedhur në gropën e gjirizit të pallatit, ku gjeti vdekjen. Ishte 30 dhjetor 1818. Të nesërmen, të krishterët morën trupin e tij, duke u grumbulluar në një numër të madh për t’i bërë një varrim të denjë. Në atë çast, gjak i freskët doli nga trupi i tij i gjymtuar dhe kreu një numër të madh mrekullish.
Në vitin 1837, pas shumë shfaqjesh të shumta të shenjtorit, manastiri i Karakalit, arriti të merrte pjesën më të madhe të lipsaneve të tij.