Po ti rri zgjuar në të gjitha, vuaj, bëj punë ungjillëtari, shërbesën tënde permbushe.
Sepse unë tani jam duke derdhur gjakun, edhe koha e ikjes sime arriti. Luftën e mirë luftova, udhën e mbarova, besimin e ruajta. Pastaj më mbetet kurora e drejtësisë, të cilën do të ma japë në atë ditë Zoti, gjykatësi i drejtë; edhe jo vetëm mua, por dhe gjithë atyre që duan shfaqjen e tij.
Fillimi i ungjillit të Jisu Krishtit, Birit të Perëndisë, siç është shkruar në profetët: “Ja unë tek dërgoj engjëllin tim përpara faqes sate, i cili do të përgatisë udhën tënde përpara teje”. “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij”.
Joani ishte duke pagëzuar në shkretëtirë, edhe duke predikuar pagëzim pendimi për ndjesën e mëkateve. Edhe dilnin tek ai gjithë vendi i Judesë dhe jerusalemasit, edhe të gjithë pagëzoheshin nga ai në lumin e Jordanit, duke rrëfyer mëkatet e tyre.
Edhe Joani ishte veshur me lesh gamileje, edhe kishte brez të lëkurtë rreth mesit të tij dhe hante karkaleca e mjaltë të egër. Edhe predikonte, duke thënë: Prapa meje vjen më i forti se unë, të cilit s’jam i zoti të ulem e t’i zgjidh rripin e sandaleve. Unë ju pagëzova me ujë, po ai do t’ju pagëzojë me Frymë të Shenjtë.