Shën Makari i Madh lindi në vitin 300 në një fshat të Deltës së Nilit, Zhizhber, dhe ushtroi si fillim profesionin e rritësit të gamileve. Iu bind thirrjes së Perëndisë dhe u tërhoq i vetëm në një qeli në fshatin e tij, që të jepej në lutje dhe në asketizëm. Meqë banorët e vendit kërkonin ta bënin prift, u largua në një fshat tjetër. Një vajzë, e cila u gjet shtatzënë, për t’u justifikuar, akuzoi asketin se e kishte dhunuar. U vërsulën drejt tij dhe e shëtitën nëpër rrugë, e gjuanin dhe e godisnin duke e fyer. Shenjti nuk tha asgjë për t’u vetëmbrojtur dhe pranoi që të punonte, me qëllim që të ndihmonte për nevojat e vajzës dhe të fëmijës, të cilët ia kishte dërguar Providenca hyjnore. Kur pafajësia e tij doli në pah, i gjithë fshati rendi për t’i kërkuar të falur; por ai u arratis, që t’i shpëtonte lavdisë së kotë, dhe shkoi në shkretëtirën e Skitës (sot quhet Wadi-Natrum), krahinë e egër dhe jomikpritëse, të cilën e njihte se zona atje ishte shfrytëzuar për nitrat.
Ishte 30 vjeç dhe me zell të papërmbajtur u dha në të gjitha punët asketike. Ushqehej një herë në javë me pak bukë dhe ujë, flinte i mbështetur në murin e qelisë për pak çaste dhe këmbëngulte vazhdimisht në heshtje, në ruajtjen e mendjes nga çdo mendim i huaj dhe në lutjen e zemrës. Qoftë kur hante, qoftë kur kreshmonte, trupi i tij kishte përherë pamje të dobësuar, sikur t’i shpëtonte ligjeve të materies, sepse thoshte: “trupi i atij që punon pa pushim për pastrimin e shpirtit, konsumohet nga frika e Perëndisë, si ura e drurit që digjet në zjarr”.
Ishte i shkëputur nga të mirat e kësaj bote, dhe një herë që kapi një hajdut duke i vjedhur ato objekte të pakta që kishte në qeli, e ndihmoi t’i ngarkonte mbi gamile. Ditë e natë, qëndronte ulur në qeli dhe, ndërsa duart e tij thurnin gjethe palme, shpirti i përqendrohej në kujtimin e mëkateve të tij dhe fryma transportohej në qiell. Nuk shpërndahej në lutje të gjata, por thoshte në çdo kohë: “O Zot, mëshiromë siç do Ti dhe siç e di Ti!”. Dikush e pyeti një ditë se si të përparonte në udhën e shpëtimit. Shenjti e dërgoi në varrezë t’i fyente të vdekurit, pastaj t’i lavdëronte dhe, kur u kthye, i tha: “E shikon, kufomat nuk t’u përgjigjën. Po kështu dhe ti gjithashtu, nëse do që të shpëtosh, bëhu si i vdekur, duke mos e llogaritur për asgjë as përbuzjen e njerëzve, as lavdërimin e tyre”.
Demonët u tërbuan kur panë që u sulmuan ballë për ballë, filluan ta sulmonin me të gjitha fuqitë e tyre, por shenjti i dëbonte me përqeshje. Një nga këto frymë të papastra i tha: “Gjithçka që ti bën, e bëj edhe unë: ti kreshmon, unë nuk ha fare; ti rri pa gjumë, unë nuk fle asnjëherë. Por ma kalon vetëm në një pikë: në përulësi. Për shkak të kësaj, nuk mund të bëj asgjë kundër teje”. Me këto beteja, ai u bë ekspert në njohjen e të gjitha llojeve të demonëve. Ai thoshte se ata ndahen në dy kategori të ndryshme: në atë të frymëve, që na shtyjnë në pasione si zemërimi ose lakmia, dhe tjetra, më e frikshme, që i shtie njerëzit në iluzionin shpirtëror, blasfemi dhe herezi.
Fama e virtyteve të shën Makarit u njoh në mbarë Egjiptin, dhe shumë vizitorë filluan të vinin në shkretëtirën e Skitës. Shenjti i priste me gëzim dhe thjeshtësi ata që vinin tek ai, pa gjykuar askënd, i jepte secilit sipas nevojës: fjalë ngushëlluese ose lutje. Për t’i nderuar vizitorët e tij, u jepte pak verë dhe pinte me ta, por rrinte pa pirë ujë aq ditë sa kupa verë kishte pirë. Për të thoshin se ishte si “perëndi tokësor”, se, ashtu si Perëndia e mbron botën me Providencën e Tij, ashtu edhe ava Makari i fshihte fajet e atyre sikur të mos shikonte dhe i mbulonte njerëzit me dashurinë e tij. Dashuria e tij ishte e pafundme dhe e shtynte të lutej me lot edhe për të dënuarit. Një ditë, duke ecur në shkretëtirë, gjeti kafkën e një prifti idhujtar, i cili mori fjalën dhe tha: “Sa herë që mëshiron dikë, ata që janë në mundime, ne që jemi të zhytur në zjarr, faqja e njërit ngjitur me kurrizin e tjetrit, marrim ndonjë lehtësim duke mundur të shikojmë fytyrën e bashkëvuajtësve tanë”.
Shën Makari vizitoi shën Andonin e Madh, i cili ia vlerësoi së tepërmi virtytet dhe e bëri një nga dishepujt e tij dhe trashëgimtar shpirtëror. Pasi u kthye në Skitë, filloi të pranonte dishepuj, që sa vinin e shtoheshin, prandaj u konsiderua me të drejtë si themelues i kësaj qendre të shquar të murgërisë orthodhokse. Ndër dishepujt e tij të parë numërohen yje brilante në kupën shpirtërore, si: ava Moisiu (28 gusht), Sisoi (6 korrik), Isaia (3 korrik), Ajus, Zaharia (24 mars) dhe luftëtarë të tjerë. Secili jetonte në një qeli të veçuar, merrej gjatë gjithë javës me punë artizanale për të nxjerrë mjaftueshëm atë që i duhej për të jetuar ose për të bërë lëmoshë. Por, sidomos, puna e dorës ishte e nevojshme për të luftuar kundër plogështisë dhe për ta ruajtur mendjen e tyre në vigjilencë. Murgjit e Skitës asketizonin ashpër, me qëllim që të ruanin mendjen e tyre vetëm te Perëndia me anë të lutjes së pastër, dhe e ushqenin soditjen e tyre duke recituar përmendësh Psalmet dhe pasazhe nga Shkrimi i Shenjtë. Kur morën një kishë, mblidheshin që të gjithë të shtunën në mbrëmje, për të celebruar agripninë e natës dhe të kungoheshin me Misteret e Shenjta.
Në mëngjes, pas Liturgjisë Hyjnore, hanin një vakt të gjithë bashkë, i cili, për shumë nga ata, ishte i vetmi vakt i javës, bisedonin lirshëm, duke pyetur më të sprovuarit për dobi shpirtërore. Pastaj secili nisej për në qelinë e tij, duke marrë me vete gjethet e palmës të nevojshme për punën gjatë javës.
Meqë numri i dishepujve dhe i vizitorëve rritej pa pushim, shën Makari ndryshoi shumë herë vendqëndrim. Jetonte larg nga qelitë e tjera, vetëm me dy shokë në afërsi, dhe kishte hapur një galeri nëntokësore, e cila të çonte nga qelia e tij në një shpellë të largët, në mënyrë që të izolohej pa e ditur askush e të ruante mendjen pa shpërqendrim, kur vizitat bëheshin më të shpeshta.
Në fillim, sa herë që dëshironte të merrte pjesë në Liturgjinë Hyjnore, shenjtit i duhej të shkonte më këmbë në Nitri, më shumë se 40 milje larg, nëpër shkretëtirën përvëluese. Përpjekja ishte tejet e madhe për dishepujt e tij, prandaj dhe, me këmbënguljen e shën Andonit, ai pranoi gradën e priftërisë në moshën 40-vjeçare. Shpirti i Shenjtë i dha me bollëk dhuntinë e shërimeve, të profecisë dhe të dallueshmërisë së mendimeve. Dy herë tërhequr nga fama e shën Makarit dhe e dishepujve të tij dhe nga predikimi entuziast i shën Athanasit për murgërinë, në Skitë vinin nga të gjitha anët e Egjiptit dhe nga krahinat më të largëta të perandorisë, që të përqafonin jetën engjëllore. Shkretëtira u kthye në një qytet të vërtetë; në fund të shekullit në Skitë numëroheshin 4 kisha, ku asketët mblidheshin për çdo të diel, nga 100 në secilën prej tyre.
Më 374, ariani Lukius rrëmbeu fronin episkopal të Aleksandrisë dhe rindezi persekutimin kundër orthodhoksëve. Në radhë të parë sulmoi murgjit më me influencë dhe dërgoi në një ishull të Deltës së Nilit dy Makarët dhe murgj të tjerë të shenjtë. Internimi u kthye në avantazh të Kishës, pasi rrëfyesit e besës kthyen paganët vendës dhe menjëherë, të thirrur nga protestat e popullit të indinjuar, u kthyen në shkretëtirën e tyre me lavdi të shumëfishuar. Duke ndier se po i afrohej fundi, shën Makari vizitoi për të fundit herë dishepujt e tij në Nitri. Si testament shpirtëror, ai u tha me lot në sy: “Le të qajmë, o vëllezër, dhe nga sytë tanë le të rrjedhin pa ndalim lot, para se të shkojmë atje ku lotët tanë do të na djegin trupat”. Pak kohë më vonë, “ati shpirtëror i shkretëtirës” fjeti në paqe më Zotin, në moshën 90-vjeçare.
Pasi pësoi shumë transferime pas pushtimit mysliman, lipsani i tij i çmuar prehet sot në manastirin kopt që mban emrin e tij, ndërtuar në vendet ku shenjti i kishte shenjtëruar me durimin e tij.
Tradicionalisht, shën Makarit i atribuohet një numër i madh Ligjëratash shpirtërore të admirueshme, në të cilat shenjti përmend, me ndihmën e ikonave madhështore huazuar nga bota natyrore, efektet e ndryshme të Hirit të Perëndisë te ne.
Pasi u lidh me Zotin nëpërmjet besimit dhe si iu përkushtua Atij me vetëmohim, ai thotë se duhet ta dhunojmë natyrën tonë rebele me anë të praktikimit të të gjitha virtyteve të shenjta ungjillore, dhe kryesisht me lutje. Atëherë, duke parë vullnetin tonë të mirë, Krishti do të na japë fuqi të përmbushim tërë porositë e Tij; për më tepër, Ai do t’i përmbushë ato te ne me energjinë e Shpirtit të Shenjtë. Në këtë mënyrë, duke përparuar nga virtyti në virtyt dhe nga lavdia në lavdi drejt plotësisë, fryma jonë do të përzihet ngushtësisht me zjarrin e Shpirtit të Shenjtë, do të bëhet “tërë sy e tërë dritë”, dhe do të fitojë atributet e Perëndisë. Në ngjalljen e përgjithshme, zjarri i Shpirtit të Shenjtë, fshehur në zemrën e shenjtorëve, do të pushtojë trupat e tyre dhe do t’i bëjë të shkëlqejnë në përjetësi në dritën e Perëndisë.
Për shën Makarin jeta e krishterë ka si qëllim të fitojë, që këtu poshtë, në tokë, përvojën e Shpirtit të Shenjtë, të pësojë “këtë shndërrim të bukur”, i cili do të na japë “ndjeshmëri shpirtërore”, me anë të së cilës do të mund të shijojmë praninë e Perëndisë në çdo çast të jetës sonë.
Vinte nga Betania e Palestinës dhe u rrit në një manastir, ku përqafoi jetën engjëllore që në moshën 12-vjeçare. Pas studimeve të shkëlqyera, u hirotonis prift në Seleuci dhe bëri një pelegrinazh në Vendet e Shenjta, ku me hirin e Perëndisë shpëtoi nga piratët saraçenë. Pastaj u vendos në Konstandinopojë, në shërbim të patriarkut Trifon (928-933), i cili i besoi kujdesin e të gjitha kishave të qytetit. Kur atë e pasoi patriarku Theofilakt (933-956), i prekur nga virtyti i shenjtit, e hirotonisi episkop dhe e bëri mitropolit të parë të Korfuzit. Shën Arseni u tregua një bari i paqortueshëm.
Ditët e tij i kaloi duke u kujdesur për besimtarët, si për të përmbushur nevojat e tyre shpirtërore, ashtu edhe ato materiale, dhe netët ia kushtonte lutjes i vetëm, në një shpellë që ndodhej jo larg episkopatës së tij. U zu rob nga një bandë skithësh, nxiti banorët e ishullit të vinin ta çlironin dhe, kur beteja përfundoi, bëri të rridhte një burim me ujë të kulluar për t’u shuar etjen. Kreu dhe shumë mrekulli e shërime të tjera vetëm nëpërmjet lutjes. Në fund të jetës së tij, udhëtoi deri në Konstandinopojë, që të ndërmjetësonte pranë perandorit Konstandin Porfirogjeni në mbrojtje të fisnikëve të ishullit, të akuzuar padrejtësisht. Gjatë kthimit, dorëzoi shpirtin e tij te Zoti, më 953.
– MARK EVGJENIKU I EFESIT –
Shën Marku lindi rreth vitit 1392, në gji të një familjeje besimtare të Konstandinopojës dhe mori edukim të shkëlqyer pranë mësuesve më të mirë të kryeqytetit, i cili, ndonëse ishte i varfëruar dhe i rrënuar, mbetej qendra kulturore e botës së krishterë. Shumë herët u bë profesor në shkollën patriarkale, por në moshën 26-vjeçare braktisi karrierën akademike, që të bëhej murg në një manastir të vogël pranë Nikomedisë.
Filloi një jetë me asketizim e me lutje, por, nën kërcënimin e turqve, iu desh të kthehej në Konstandinopojë, në manastirin e Shën Gjergjit të Manganëve. Soditjes dhe shërbimit të vëllezërve iu shtoi edhe studimin e Etërve të Shenjtë, dhe hartoi shumë ligjërata dogmatike në linjën e shën Grigor Pallamait dhe disa vepra rreth lutjes. Me gjithë dëshirën për të mos u shfaqur, shkenca dhe virtyti që kishte tërhoqën vlerësimin e perandorit Joan VIII Paleologu (1425-1448), i cili përgatiti një sinod të madh bashkimi me Kishën Romake, duke shpresuar se do të fitonte mbështetjen e papës dhe të princave evropianë. Nga bindja ndaj monarkut ky murg i devotshëm hezikast pranoi të ngjitej në tribunën e Kishës, për t’u bërë mitropolit i Efesit dhe të merrte pjesë në delegacionin bizantin si zëvendësues i patriarkëve të Jerusalemit, të Antiokisë dhe Aleksandrisë dhe si ekzark i sinodit.
Delegacioni grek, i përbërë nga perandori, nga patriarku Josif II (1416-1439), nga 25 episkopë dhe nga një shpurë prej 700 personash, u nis për në Itali plot zell dhe entuziazëm. E gjithë bota ishte e bindur për realizimin e bashkimit të dëshiruar nga të gjithë të krishterët. Shën Marku, duke mos qenë ai fanatiku mendjembyllur, siç e paraqesin shpesh, e shpresonte këtë gjë, pa paragjykime ndaj latinëve, por duke u mbështetur fort në shkëmbin e Besës. Për të, ashtu si shumica e grekëve, nuk mund të bëhej fjalë për bashkim, veçse të kthehej Kisha e Romës në unitet në dashurinë që kishte thyer nëpërmjet risive të saj. Por me mbërritjen e tyre në Ferrara, papa Evgjeni dhe theologët e tij treguan qëndrime të tjera. Fillimisht me detajet e protokollit dhe më pas në një mënyrë gjithnjë e më të dukshme, i trajtuan delegatët bizantinë si të burgosur të vërtetë, duke i penguar të dilnin nga qyteti dhe duke vonuar së tepërmi shpërndarjen e subvencioneve që u kishin premtuar për qëndrimin, aq sa disa episkopë u detyruan të shisnin disa nga sendet e tyre për t’u ushqyer.
Temat për t’u diskutuar ishin si më poshtë: a) dogma se nga buron Shpirti i Shenjtë dhe çështja e shtimit të formulës “që buron prej Atit dhe prej Birit” (Filioque) në Simbolin e Besës; b) ekzistenca e Purgatorit; c) përdorimi i bukës pa maja (azyma) për Liturgjinë nga latinët, dhe çështja e shenjtërimit të Dhuratave të Nderuara vetëm me fjalët e Zotit: Merrni, hani… Pini prej këtij… (Matth. 76:26-28) (latinët) ose me thirrjen e Shpirtit të Shenjtë; d) parësia e papës. Meqë latinët përbënin shumicën dhe çdo votë për çështjet dogmatike ishte përshtatur me opinionin e adoptuar që më përpara, perandori dhe patriarku e vonuan hapjen e debatit për çështjet themelore, derisa të bëhej një mënyrë tjetër votimi.
Duke pritur, u vendos të diskutohej për çështjen e dytë, atë të Purgatorit. Si përgjigje të argumenteve theologjike të theologëve latinë, shën Marku mori fjalën në emër të Kishës Orthodhokse:
“Sigurisht, shpirtrat e të fjeturve mund të përfitojnë njëfarë ‘progresi’, madje edhe të dënuarit një ‘lehtësim’ relativ të shortit të tyre, falë lutjeve të Kishës dhe mëshirës së pafundme të Perëndisë; por ideja e një ndëshkimi para Gjykimit të Fundit dhe pastrimi nga një zjarr i lëndshëm është krejtësisht e huaj për traditën e Kishës.”
Më të mprehtit konstatuan shpejt se dy botë po ballafaqoheshin dhe që i gjithë diskutimi doktrinal do të arrinte domosdoshmërisht në një udhë pa krye. Javët kalonin, por asnjë rezultat nuk arrihej. Pasi u mbyll diskutimi rreth Purgatorit, u kalua në çështjen e nxehtë, të shtesës arbitrare të Filioques në Simbolin latin. Mitropoliti i Efesit e ngriti sërish zërin e ndërgjegjes së Kishës:
“Simboli i Besës duhet të ruhet i pacenuar, si në fillimin e saj. Të gjithë mësuesit e shenjtë të Kishës, ashtu si dhe të gjitha Sinodet dhe tërë Shkrimet na thonë të jemi të kujdesshëm me heterodoksët; dhe me të gjitha këto autoritete, a duhet që të ndjekim ata që na nxisin të bashkohemi pas fasadës së bashkimit të gënjeshtërt, ata që e përdhosën Simbolin e shenjtë dhe hyjnor dhe e futën Birin si shkak të dytë të Shpirtit të Shenjtë?”
Pas 7 muajsh pritjeje pa sukses dhe fjalëve të kota, papa Evgjeni IV e transferoi sinodin në Firence. Me të mbërritur atje, u vendos të diskutohej më në fund çështja dogmatike.
Me mendje të fiksuar te Perëndia dhe i pastruar nga lutja, shën Marku mundi të prezantonte me maturi të kthjellët doktrinën e Shkrimit dhe të Etërve të shenjtë rreth burimit të Shpirtit të Shenjtë. Kur theologët latinë morën fjalën, e mërzitën auditorin me seancat e tyre të pafundme, me argumentet e stërholluara të mbështetura në një paraqitje racionale dhe me shumë citime të Etërve të marra jashtë kontekstit ose të interpretuara gabimisht. Beteja ngjasonte me atë të Davidit kundër Goliathit (I Sam. 17.32).
Gjatë kësaj kohe, mitropoliti i Nikeas, Visarioni, dhe ai i Kievit, Isidori, u bënë partizanë të tërbuar të bashkimit – qoftë nga ambicia personale (në fakt, ata më pas do të bëheshin që të dy kardinalë të papës), qoftë nga armiqësia e vjetër e rrymës humaniste kundër hezikastisë dhe murgërisë, përfaqësuar nga Marku – dhe u rrekën të bindnin hierakët e tjerë orthodhoksë, se latinët nuk janë ndarë nga e vërteta dhe se doktrina e tyre rreth Shpirtit të Shenjtë nuk është heretike, por thjesht kanë zhvilluar mësimin tradicional në gjuhën e tyre.
Të lodhur nga kotësitë, nga mungesa e ndihmës dhe nga arroganca mbytëse e latinëve, të shqetësuar për fatin e kryeqytetit që kërcënohej dhe duke ndier se kishin rënë në kurth, episkopët e lanë veten pak nga pak të shkonin drejt pranimit të një bashkimi për kompromis, për të cilin perandori dhe patriarku nuk pushuan së bëri presion. Debati
dogmatik, duke përfunduar, si shumë debate të tjera, në qorrsokak, u la për në tokën bizantine. Me gjithë presionet dhe fyerjet e kundërshtarëve, shën Marku ishte i papërkulshëm:
“Nuk lejohet të bëhen kompromise në çështjet e besimit”, deklaronte ai. E kishte kuptuar se ishte e padobishme t’i kundërshtoje me fjalë sofizmat e latinëve dhe, meqë mosmarrëveshjet mes bizantinëve po shtoheshin, vendosi të tërhiqej nga lufta dhe të vuante në heshtje. Atëherë latinët morën sigurinë, dhe vetë ata refuzuan kompromisin dhe kërkuan njohjen nga grekët të Filioques dhe adoptimin e disa prej zakoneve të tyre liturgjike. Duke qenë se kundërshtimet e fundit të ndërgjegjes së grekëve u mundën me urdhër të perandorit, të gjithë firmosën më në fund Bashkimin e rremë. Por nuk mund të flitej për bashkim të vërtetë. Edhe gjatë Liturgjisë solemne, që u celebrua para papës dhe të gjithë sinodit, më 6 korrik 1439, dekreti u lexua në të dyja gjuhët, por asnjë grek nuk u kungua dhe delegacionet e vendosura në të dyja anët e Altarit nuk shkëmbyen as puthjen e paqes.
Shën Marku ishte i vetmi që nuk pranoi të nënshkruante. Kur papa Evgjeni e mori vesh këtë, thirri: “Episkopi i Efesit nuk ka firmosur, atëherë nuk kemi bërë asgjë!”. E thirri shenjtin dhe donte ta dënonte si heretik, por, falë mbrojtjes së perandorit, ai mundi të kthehej në Bizant me pjesën tjetër të delegacionit.
Me të mbërritur në Konstandinopojë, pas 17 muaj mungese, përkrahësit e bashkimit të rremë u pritën me përbuzje dhe qortim nga kleri dhe populli. Asambleja e besimtarëve, populli i shenjtë, priftëria mbretërore (I Petr. 2.9), e cila është mbajtëse e plotësisë të së vërtetës dhe mbetet kriteri i fundit i vlefshmërisë së sinodeve, e hodhi poshtë unanimisht pseudosinodin e Firences dhe dezertoi nga kishat e atyre që ishin në kungim me unionistët, por e përshëndetën shënMarkun si një Moisi të ri, si rrëfyes të besës dhe shtyllë të Kishës. Pasi e ndërpreu heshtjen, shenjti nisi fushatën kundër “bashkimit”, ose më saktë, për të vendosur unitetin e Kishës Orthodhokse, me predikimin dhe shkrimet e tij, por edhe me lot e lutje. Ai thoshte: “Jam i bindur se sa më shumë largohem prej tyre (unionistëve), aq më shumë afrohem me Perëndinë dhe me të gjithë shenjtorët; dhe, sa më shumë ndahem prej tyre, aq më shumë bashkohem me të vërtetën”.
Kur do të zgjidhej patriarku i ri, Mitrofani, ai u largua nga Konstandinopoja për t’i shpëtuar bashkëmeshimit tëdetyruar me të, dhe u kthye në dioqezën e tij në Efes. Por
atje u ndesh me unionistët, prandaj u nis përsëri, duke shpresuar të gjente strehë në Malin Athos. U ndalua gjatë udhës dhe me urdhër të perandorit e çuan në ishullin Limnos. U lirua më 1442 dhe u kthye në manastirin e tij, ku vazhdoi luftën deri në frymën e fundit (23 qershor 1444). Në shtratin e vdekjes rrëfyesi ia besoi pishtarin e Orthodhoksisë ishnxënësit të tij, Gjergj Skolarit, i cili u përzje për pak kohë me çështjen e bashkimit, por u pendua. Ky u bë mbrojtës i flaktë i besimit ashtu si dhe patriarku i parë i Konstandinopojës pas marrjes së qytetit, Genadi (31 gusht).
Kryqëzata e fuqive evropiane, organizuar nga papa, pati dështuar vajtueshëm gjatë disfatës në Varna (10 nëntor 1444) dhe asgjë nuk e pengonte më ofensivën turke. Mes dëshpërimit, në dhjetor të vitit 1452,në Konstandinopojë u arrit të shpallej edhe zyrtarisht bashkimi, por pa fituar ndihmën e shpresuar nga Perëndimi. Përfundimisht, gjatë marrjes së Konstandinopojës, më 29 maj 1453, bashkimi i rremë i Kishave u dogj në hirin dhe rrënojat e qytetit tokësor, duke e lënë Besën Orthodhokse të gjallë dhe të pathyer për shpëtimin e popullit të krishterë.