Pavli, apostull i Jisu Krishtit me vullnetin e Perëndisë, shenjtëve që janë në Efes dhe besimtarëve në Krishtin Jisu, hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, dhe prej Zotit Jisu Krisht.
I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, që na bekoi me çdo bekim shpirtëror në vendet qiellore me anë të Krishtit, siç edhe na zgjodhi ne me anë të tij para se të themelohet bota, që të jemi shenjtorë dhe të paqortueshëm përpara tij në dashuri, duke na paracaktuar për birësim tek vetë ai me anë të Jisu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të tij, për mburrje të lavdisë së hirit të tij, të cilin na e dhuroi me anë të të Dashurit të tij, tek i cili kemi shpërblimin me anë të gjakut të tij, ndjesën e fajeve, sipas pasurisë së hirit të tij, të cilin na e dha me të tepërt me çdo urtësi e mençuri, duke na njohur misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që e pati paracaktuar në vetvete.
Edhe u ngrit prej andej e shkoi në kufijtë e Tirit e të Sidonës, edhe si hyri në një shtëpi, nuk deshi ta marrë vesh asnjeri; po s’mundi të fshihet.
Sepse një grua, e bija e së cilës kishte frymë të ndyrë, kur dëgjoi për të, erdhi e i ra ndër këmbë. Edhe gruaja ishte greke, me prejardhje sirofinikase; edhe i lutej të nxjerrë demonin prej së bijës. Po Jisui i tha asaj: Le të ngopen më përpara fëmijët; sepse s’është mirë të marrë ndonjëri bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhë këlyshëve të qenve.
Po ajo u përgjigj e i tha: Po, Zot, por edhe këlyshët poshtë tryezës hanë nga thërrimet e fëmijëve të vegjël. Edhe ai i tha asaj: Për këtë fjalë shko. Demoni doli nga jot bijë. Edhe ajo kur shkoi në shtëpinë e saj, gjeti të bijën rënë mbi shtrat dhe demonin të nxjerrë.