E premte, 24 shkurt 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 2 Korinthianëve 4:6-15.

Sepse Perëndia që tha të ndriçojë dritë nga errësira, është ai që ndriçoi në zemrat tona për të dhënë ndriçimin e njohjes së lavdisë së Perëndisë në personin e Jisu Krishtit. Edhe kemi këtë thesar në enë balte, që të jetë teprimi i fuqisë nga Perëndia dhe jo nga ne. Jemi në çdo gjë të shtrënguar, po jo të dërrmuar; të ngatërruar, po jo të dëshpëruar; të përndjekur, po jo të braktisur; të vënë poshtë, po jo të humbur, duke rrethsjellë gjithmonë në trup vdekjen e Zotit Jisu, që edhe jeta e Jisuit të shfaqet në trupin tonë. Sepse ne që rrojmë, gjithnjë jepemi në vdekje për Krishtin, që edhe jeta e Jisuit të shfaqet në trupin tonë të vdekshëm. Kështu vdekja vepron në ne, edhe jeta në ju. Edhe duke pasur po atë frymë besimi, sipas Shkrimit “Besova, prandaj fola”, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim, duke ditur se ai që ngjalli Zotin Jisu do të na ngjallë edhe ne me anë të Jisuit, edhe do të na nxjerrë përpara tij bashkë me ju. Sepse të gjitha janë për ju, që hiri, duke tepruar për falënderimin e më të shumtëve, të teprojë në lavdinë e Perëndisë.

UNGJILLI - Mateu 11:2-15.

Edhe Joani kur dëgjoi në burg punët e Krishtit, dërgoi dy nga nxënësit e tij, e i tha atij: Ti je ai që ka për të ardhur, apo të presim tjetër? Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Shkoni e lajmëroni Joanin për ato që dëgjoni e shihni. Të verbër shohin edhe të çalë ecin; lebrozë pastrohen edhe të shurdhër dëgjojnë; të vdekur ngjallen edhe të varfër ungjillëzohen. Edhe i lumtur është ai që nuk do të skandalizohet për mua. Edhe tek po shkonin këta, Jisui zuri t’i thotë turmës për Joanin: Çfarë dolët të shikoni në shkretëtirë? Kallam që tundet nga era? Po çfarë dolët të shihni? Njeri të veshur me rroba të buta? Ja ata që kanë veshur rroba të buta tek janë nëpër shtëpitë e mbretërve. Po çfarë dolët të shihni? Profet? Me të vërtetë po ju them juve, edhe më tepër se profet. Sepse ky është ai për të cilin është shkruar: “Ja unë tek dërgoj engjëllin tim përpara faqes sate, i cili do të përgatisë udhën tënde përpara teje”. Me të vërtetë po ju them juve, se në mes të atyre që kanë lindur prej grash nuk është ngritur ndonjë më i madh se Joan Pagëzori. Por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai. Edhe që nga ditët e Joan Pagëzorit e deri tani mbretëria e qiejve pëson dhunë edhe të dhunshmit e rrëmbejnë atë. Sepse gjithë profetët dhe ligji profetizuan deri te Joani. Edhe në doni ta pranoni këtë gjë, ai është Ilia që do të vijë. Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.