E dielë, 26 shkurt 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Romakëve 13:11-14:4.

Edhe këtë ju them, duke ditur kohën se tashmë është ora të zgjohemi nga gjumi; sepse tani shpëtimi ynë është më afër sesa kur besuam. Nata u thye dhe dita u afrua; le të hedhim pra tej veprat e errësirës, dhe le të veshim armët e dritës. Le të ecim hijshëm si ditën; jo në argëtime e dehje, jo në shtretër imoraliteti e shthurje, jo në grindje e smirë; po vishni Zotin Jisu Krisht, edhe mos bëni kujdes për mishin që t’i plotësoni dëshirimet. Edhe atë që është i dobët në besim, mirëpriteni, por jo për rrahje mendimesh. Sepse dikush beson se mund të hajë nga të gjitha, kurse ai që është i dobët ha lakra. Ai që ha le të mos përbuzë atë që s’ha; edhe ai që s’ha le të mos gjykojë atë që ha; sepse Perëndia e ka pranuar. Cili je ti që gjykon shërbëtorin e huaj? Prej të zotit të vet ai qëndron ose bie; por do të qëndrojë; sepse Perëndia është i fortë ta bëjë të qëndrojë atë.

UNGJILLI Mateu 6: 14-21.

Sepse nëse ua falni njerëzve fajet e tyre, do t’jua falë edhe juve Ati juaj qiellor. Po nëse nuk ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj nuk do të falë fajet tuaja. Edhe kur të agjëroni, mos u bëni të vrenjtur si hipokritët; sepse ata prishin fytyrat e tyre, që të duken ndër njerëzit se agjërojnë. Me të vërtetë po ju them juve, se ata e kanë marrë pagën e tyre. Por ti, kur të agjërosh, lyej kryet tënd, dhe laj fytyrën tënde; që të mos dukesh tek njerëzit se agjëron, por tek Ati yt, që është në të fshehtë; dhe Ati yt që sheh fshehurazi, do të ta shpërblejë ty haptas. Mos mblidhni thesarë për veten tuaj mbi dhe, ku krimbi dhe ndryshku i prish, edhe ku vjedhësit rrëmojnë dhe vjedhin. Po mblidhni thesarë për veten tuaj në qiell, ku nuk i prish as krimb as ndryshk, edhe ku vjedhësit nuk rrëmojnë as vjedhin. Sepse ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.