E Diela e I-rë e Kreshmës së Madhe E Orthodhoksisë

E Diela e I-rë e Kreshmës së Madhe E Orthodhoksisë

Rëndësia dhe vlera e ikonave

E Diela e I-rë e Kreshmës së Madhe E Orthodhoksisë
(Jn. 1:43-51)

Të Dielën e Orthodhoksisë kremtojmë kthimin zyrtar në kishë të ikonave të shenjta, që u vendos nga Sinodi i vitit 843, në kohën e perandoreshës Theodhora. Ky Sinod vuri në zbatim vendimin që kishte marrë Sinodi VII Ekumenik, i vitit 787, për nderimin e ikonave të shenjta. Njëkohësisht kremtojmë triumfin e Orthodhoksisë ndaj gjithë herezive përgjatë shekujve.
Në këtë mënyrë, Kisha: a) na mbështet në Besimin Orthodhoks; b) na ndriçon në përpjekjen shpirtërore, që të mos biem viktima të herezive; c) na tregon se rruga e shpëtimit është rruga në të cilën ecën që prej rreth dy mijë vjetësh Kisha Orthodhokse.
Nderim, jo adhurim. Meqenëse përdorimi i ikonave është pika që na diferencon nga komunitetet e tjera të krishtera, le ta freskojmë përsëri brenda nesh kuptimin e tyre të saktë.
Kuptimi i nderimit të ikonave të shenjta
Rëndësia e madhe shpirtërore e ikonave të shenjta bëri që besimtarët e të gjithë shekujve të ushqejnë nderim ndaj tyre dhe t’i konsiderojnë ato bekim të madh. Të krishterët bien në gjunjë para tyre, ndezin kandila dhe qirinj, i puthin dhe i temjanisin. Por, meqenëse ndodhën keqpërdorime dhe keqkuptime, Sinodi VII Ekumenik përcaktoi kuptimin që kanë këto shfaqje nderimi ndaj ikonave të shenjta. Pra, të krishterët orthodhokse “nuk i adhurojnë” ikonat e shenjta. Adhurimi i takon ekskluzivisht vetëm Perëndisë. Ne vetëm i nderojmë ato me respekt. Dhe kjo falje, që u bëhet me respekt, nuk ka lidhje me materialet (dru, ngjyrë etj.), me të cilat ato punohen, por nderohet personi i ikonizuar në to.
Vasili i Madh na e shpjegon që në shekullin IV: “Sepse nderimi i ikonës i kalon origjinalit, duke iu falur me respekt e duke mos i hyjnizuar”.
Ikona, sipas doktrinës së Kishës, ka të njëjtën vlerë me fjalën e Shkrimit të Shenjtë: “Atë çka fjala na e transmeton me anë të dëgjimit, piktura na e tregon në heshtje me anë të paraqitjes grafike”- na thotë Shën Joan Damaskinoi. Etërit e Sinodit VII e shtjellojnë edhe më tej këtë tezë: “Me këto dy mjete, të cilat lidhen në mënyrë të ndërsjellë njëra me tjetrën…, përftojmë dijen e realiteteve që ato ikonizojnë”. Ikona na mëson teologjinë e Kishës me anë të iko- nizimeve.
Njësoj si simbolet e ndryshme të shekujve të parë të Krishterimit, kështu edhe ikona është një lloj gjuhe e përbashkët për mbarë Kishën në tërë botën, sepse shpreh doktrinën e përbashkët orthodhokse, përvojën e përbashkët asketike orthodhokse dhe jetën e përbashkët liturgjike orthodhokse. Është një gjuhë që kuptohet në mënyrë universale. Nëpërmjet ikonës kapërcejmë numrin e madh të gjuhëve. Karakteri i saj është ekumenik, gjithëpërfshirës. Ikona përbën dëshminë e dukshme si të tolerancës së Perëndisë ndaj njeriut, ashtu edhe të prirjes së njeriut drejt Perëndisë.
Por, mos vallë, siç mendojnë disa, duke përdorur ikonat vihet në rrezik pastërtia e mësimit të krishterë, për vetë faktin se Perëndia është i paafrueshëm dhe i pakapshëm për aftësitë njerëzore?
Kuptimi teologjik i ikonës
Sipas Doktrinës Orthodhokse, mundësia e ikonizimit të Jisu Krishtit dhe e personave të tjerë të shenjtë mbështetet në dogmën e Bërjes Njeri të Birit dhe të Fjalës së Perëndisë dhe të hyjnizimit të njeriut. Siç e shpjegon shën Joan Damaskinoi, në ikonat e shenjta nuk ikonizohet Perëndia, i Cili është i padukshëm, por Fjala e mishëruar, Perëndia siç ishte këtu mbi tokë, si person perëndinjerëzor. Mohimi i mundësisë së ikonizimit do të thotë mohim i dogmës kristologjike (se Krishti është Perëndi dhe njeri), që është baza e shpëtimit të njeriut më Krishtin. Pra ,ikonizimi në pikturë i Perëndinjeriut bëhet sipas masës së marrjes së natyrës njerëzore prej Tij.
Ky parim shtrihet edhe në pikturimin e Hyjlindëses dhe të shenjtorëve. Fryt i mishërimit të Perëndisë është hyjnizimi i njeriut. Për këtë arsye, edhe e Tërëshenjta dhe shenjtorët nuk ikonizohen si njerëz të thjeshtë, por në gjendjen e tyre të lavdëruar, në të cilën gjenden tani, duke na shfaqur kështu madhështinë e natyrës njerëzore të transformuar më Krishtin. Për të shprehur thellësinë teologjike të ikonave të shenjta, u krijua, si art i veçantë, Agjiografia Orthodhokse.
Ai që mohon ikonën, mohon “Krishtin e bërë njeri”; Mohon mishërimin e Fjalës Hyjnore, të Krishtit, i Cili është “ikona e Perëndisë së padukshëm” (Kol. 1:15) dhe shembull i njeriut të përsosur. Kështu, ikona bëhet masa dhe kriteri i besimit të drejtë dhe i jetës shpirtërore të Kishës sonë të shenjtë.
Veçantia dhe rëndësia e ikonave orthodhokse në përpjekjen shpirtërore
E përsëris: Për besimtarin orthodhoks, ikonat e shenjta nuk janë as idhuj dhe as tablo pikture. Vlera e tyre qëndron në përmbajtjen e tyre teologjike dhe në ndikimin shenjtërues që ato ushtrojnë mbi njeriun. Njësoj si çdo faqe e Ungjillit me fjalën, kështu edhe çdo ikonë, me personat dhe format e saj, shpreh të vërtetat e besimit të krishterë.
Ikona tradicionale orthodhokse nuk ngjason me fotografinë, nuk përpiqet të paraqesë portrete, përkundrazi ajo shfaq një kuptim simbolik dhe shpreh një realitet shpirtëror. Ikonat na ofrojnë shembuj dhe shenja për meditim, për lutje, që mund të frymëzojnë mendimet dhe veprimet tona.
Edhe diçka tjetër, më e thellë: Duke u bekuar brenda në kishë, ikona bëhet e shenjtë, një vendtakim i njeriut me Perëndinë. Përmes temave që ato paraqesin, çdo ikonë “na tregon historinë” e një faqeje të librit të Ekonomisë Hyjnore.
Çdo ikonë është edhe një predikim, një pohim i besimit tonë. Por, njëkohësisht, është edhe një ftesë drejt shenjtërisë, shembull dhe zbulesë e së cilës është Vetë Jisu Krishti dhe shenjtorët e Tij. Ikonat e shenjtorëve tanë na frymëzojnë dhe na japin guxim në përpjekjen tonë shpirtërore. Ato na krijojnë sigurinë, se para nesh kanë jetuar njerëz të tjerë, që kanë fituar. Fitorja e tyre është mburrja e Kishës.
Njësoj siç vështrojmë qiellin nga një dritare, po kështu, nëpërmjet ikonave, shikojmë lavdinë që është përgatitur për ne. Në përfundim të kësaj analize, ikonat janë shenja të pranisë së Perëndisë dhe ndihmë për ta kuptuar jetën dhe botën në mënyrë të krishterë.
Nëse fjala dhe himni i Kishës sonë shenjtërojnë shpirtin nëpërmjet dëgjimit, ikona e shenjtëron nëpërmjet shqisës së të parit, shqisë që mbizotëron ndër shqisat e tjera të njeriut.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)