Këta martirë të shenjtë vinin nga qyteti i Amasisë dhe ishin të afërt dhe shokë ushtrie të shën Theodhor Tironit. Kleoniku ishte vëlla i Eftropit dhe Vasilisku nip i shën Theodhorit, por ishin të lidhur me një dashuri aq të thellë, sa quheshin vëllezër mes tyre. Pas betejës së lavdishme të shën Theodhorit, i cili dha frymë duke u lutur për shokët e tij, që të denjësoheshin për lavdinë e martirizimit, vendin e qeveritarit Puplius, i cili vdiq mjerisht, e zuri një magjistrat i ri, Asklepiodoti, më mizor dhe çnjerëzor, i cili u emërua për të ekzekutuar urdhrat e perandorit Maksimian Galeri.
Që kur filloi hetimin për ngjarjet që e kishin turbulluar qytetin, ai lexoi edhe aktet e martirizimit të shën Theodhorit dhe admiroi qëndresën dhe guximin e shenjtorit. Thirri tre shokët e shenjtit, emrat e të cilëve dolën gjatë leximit, të cilët ndodheshin në burgun publik, bashkë me të krishterë të tjerë. Kur panë që po i çonin për t’i gjykuar, shokët e tyre qanë hidhur, por Eftropi u kthye dhe u tha me qetësi: “Mos qani, vëllezër, sepse do takohemi përsëri, por lutuni që Zoti të na mbështesë në betejën që kemi përpara”. Të tre shokët dolën para qeveritarit me fytyrën që u shndrinte dhe të forcuar nga një zë qiellor. Asklepiodoti, i çuditur, kërkoi të dinte shkakun e kësaj gjendjeje të pazakontë për të dënuarit. Shën Eftropi i tha: “Po, jemi me të vërtetë të gëzuar, sepse Krishti është përherë gëzimi dhe shpresa jonë, dhe e vërteton te ne këtë fjalë: “Zemra e gëzuar e shndrit fytyrën” (Fja. Urt. 15:13). Pasi Eftropi filloi të tallej me kërcënimet e magjistratit, Asklepiodoti iu dha urdhër ushtarëve që ta goditnin që t’i mbyllnin gojën.
Dy shokët e tjerë i kërcënuan se do të vuanin në tortura të ashpra nëse nuk u flijonin idhujve, por ata pohuan se ishin të patundur në besimin e tyre me aq vendosmëri e forcë, sa guvernatori i urdhëroi skribët që të ndalonin së shkruari, që të mos dukej qesharak para pasardhësve.
I rrahën për shumë kohë, por një tërmet bëri që të zgjidheshin litarët me të cilët u kishin lidhur duart dhe Krishti u shfaq i rrethuar nga shumë engjëj, bashkë me shën Theodhorin, për të shëruar plagët e tyre dhe për t’i mbushur me gëzim e besim. Para kësaj shfaqjeje, xhelatët i lanë veglat e torturave dhe i thanë qeveritarit, i cili nuk pa asgjë nga këto, se nuk mund ta vazhdonin këtë punë. Atëherë shumë paganë pohuan me zë të lartë Emrin e Shpëtimtarit.
Asklepiodoti, si pa se situata mund t’i dilte duarsh, i ekzekutoi të sapokthyerit në besimin e drejtë dhe vendosi të thërriste tërë banorët e qytetit, bashkë me të krishterët e burgosur, që të ofronin një sakrificë publike në tempullin e Artemidës.
Ditën tjetër, i gjithë qyteti u mblodh dhe shumë flijuan para statujës. Kur erdhi radha e tre shenjtorëve, Eftropi drejtoi një lutje para Perëndisë, duke kujtuar ndihmën që morën Tre Djemtë në furrën e zjarrtë, Danieli në gojën e luanit dhe së fundi shën Theodhori.
Kur e mbaroi lutjen, një tërmet i tmerrshëm shkatërroi tempullin dhe rrëzoi përtokë statujën e Artemidës, ndërkohë që u dëgjua një zë t’u thoshte shenjtorëve ta transformonin vendin në një kishë të krishterë. Shumica e paganëve ishin shpërndarë nga frika, por qeveritari, si një bishë e tërbuar, urdhëroi të përgatiteshin tre kazanë me zift të nxehtë dhe ta derdhnin mbi trupat e shenjtorëve, të cilët i kishin lidhur në katër shtylla. Por zifti rrodhi si ujë mbi ta dhe trupat u mbetën të paprekur, të mbrojtur nga Hiri i Perëndisë. Të gjakosur siç ishin i hodhën sërish në burg, por iu shfaq Krishti dhe i shëroi.
Të nesërmen i nxorën përpara gjyqit dhe Eftropi dhe Kleoniku u dënuan me vdekje si magjistarë. Guvernatori, i nxitur nga djalli, ati i gjithë përçarjeve, urdhëroi që Vasiliskun ta kthenin në burg, që të prishte lidhjen e mrekullueshme të shenjtorëve.
Të gjithë paganët u shkuan pas të dënuarve deri në vendin e ekzekutimit. Kur i vendosën secilin mbi një kryq, ata lavdëruan Krishtin që i bëri të denjë të vdisnin në të njëjtën mënyrë si Ai, ndërkohë një zë nga qielli i uronte mirëseardhjen mes shenjtorëve.
Trupat e tyre i varrosën në vende të ndryshme, jo larg nga Amasia. Më pas varret e tyre u bënë burim i pashtershëm bekimi për të krishterët. Vasilisku nderohet edhe më vete, më 22 maj.
Kur perandori Julian (361-363), hoqi dorë nga besimi i krishterë dhe u rikthye në adhurimin pagan, duke u bërë persekutues i të krishterëve, i ungji, qeveritar i Lindjes, i cili mbante të njëjtin emër, urdhëroi që të mbylleshin të gjitha kishat në Antioki dhe enët e shenjta të grumbulloheshin në pallatin e tij. Klerikët e Kishës së Antiokisë, për t’i shpëtuar persekutimit, u shpërndanë në drejtime të ndryshme. Vetëm prifti Theodhorit qëndroi në qytet, duke vazhduar të predikonte dhe të nxiste besimtarët të qëndronin të vendosur në mbrojtje të së vërtetës. Shumë shpejt atë e arrestuan dhe e nxorën përpara qeveritarit, i cili, kur pa se Theodhoriti refuzoi të bënte një inventar të sendeve të çmuara që përdoreshin për shërbesat, urdhëroi që ta fshikullonin me kamxhik për tri orë.
Gjaku i martirit rrodhi lumë, por fytyra i shkëlqente nga një gëzim i mbinatyrshëm. Ai u tall me propozimet e kota për privilegje që i bënte gjyqtari, i cili urdhëroi që t’i digjnin brinjët me pishtar. Kur xhelatët iu afruan shenjtorit me pishtarët e ndezur, papritmas u paralizuan, por me lutjet e Theodhoritit u shëruan dhe u bënë të krishterë. Shenjtori i tha atëherë Julianit të tërbuar nga inati: “Mosbesimi yt, o tradhtar i trefishtë, po i verbon sytë e shpirtit tënd dhe nuk i shikon legjionet e engjëjve përreth meje që më mbrojnë?”. Theodhoriti i parashikoi ungjit besëmohues se, shumë shpejt do të jepte shpirtin në mënyrë të neveritshme dhe se të përbrendshmet do t’i dilnin nga goja. Po kështu edhe nipi i tij do të ndëshkohej nga drejtësia hyjnore dhe që të dy do të marrin ndëshkimin e përjetshëm për mohimin e Krishtit.
Pasi e dënuan që t’i pritej koka, prifti i shenjtë ecte me gëzim dhe besim drejt vendit të ekzekutimit, duke ia besuar shpirtin Perëndisë me falënderime. Pas disa ditësh, konti Julian mori nga kisha enët e shenjta, i bëri grumbull dhe u ul mbi to për t’i përdhosur. Menjëherë u godit nga një infeksion i pashërueshëm; krimbat i hëngrën të përbrendshmet dhe vdiq pikërisht siç pati parashikuar shën Theodhoriti. E njëjta gjë i ndodhi edhe perandorit Julianin, i cili pas një viti vdiq në mënyrë të mjerueshme, gjatë një fushate në Persi.