E shtunë, 4 mars 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 2 Timotheut 2:1-10.

Ti pra, biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jisu; edhe sa dëgjove prej meje me shumë dëshmitarë, jepua njerëzve besimtarë, të cilët do të jenë të zotë të mësojnë edhe të tjerë. Ti pra vuaj si ushtar i mirë i Jisu Krishtit. Sepse asnjë që shkon ushtar nuk ngatërrohet me punët e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar. Po edhe nëse dikush ndeshet, nuk kurorëzohet, nëse nuk ndeshet sipas ligjit. Bujku që mundohet, duhet i pari të marrë pjesë nga frytet. Kupto ato që them; edhe Zoti të dhëntë mend për të gjitha. Ki ndër mend Jisu Krishtin nga fara e Davidit që është ngjallur prej së vdekurish, sipas ungjillit tim, për të cilin vuaj deri në vargonj si keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet. Prandaj të gjitha i duroj për të zgjedhurit, që të gjejnë edhe ata shpëtimin që është në Krishtin Jisu bashkë me lavdi të përjetshme.

UNGJILLI - Marku 2:23-3:5.

Edhe ndërsa ai po shkonte një ditë të shtunë nëpër të mbjella, nxënësit e tij, duke bërë udhë, zunë të shkoqin kallinj. Edhe Farisenjtë i thoshin: Shih, pse bëjnë të shtunën atë që nuk lejohet? Edhe ai u thoshte atyre: Kurrë s’keni lexuar ç’bëri Davidi kur pati nevojë dhe i erdhi uri atij dhe atyre që ishin bashkë me të? Si hyri në shtëpinë e Perëndisë në ditët e kryepriftit Abiatar dhe hëngri bukët e blatës, të cilat nuk lejohet t’i hajë tjetër njeri, veç priftërinjve, edhe u dha edhe atyre që ishin bashkë me të? Edhe u thoshte atyre: E shtuna është bërë për njeriun, jo njeriu për të shtunën. Prandaj i biri i njeriut është i zoti edhe i së shtunës. Edhe hyri përsëri në sinagogë; edhe atje ishte një njeri që e kishte dorën të thatë. Edhe vinin re atë nëse do ta shëronte të shtunën, që ta akuzonin. Edhe ai i thotë njeriut që kishte dorën e thatë: Ngrihu e qëndro në mes. Edhe u thotë atyre: A lejohet të bëjë njeriu mirë të shtunave apo të bëjë keq? Të shpëtojë jetë apo të vrasë? Po ata s’bënin zë. Atëherë si i vuri re për rreth me zemërim, sepse i erdhi keq për ngurtësinë e zemrës së tyre, i thotë njeriut: Shtri dorën tënde. Edhe ai e shtriu; edhe dora e tij u bë përsëri e shëndoshë si tjetra.