E diel, 12 mars 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Hebrenjve 1:10-2:3.

Edhe: “Ti në fillim, o Zot, themelove dhenë, edhe punë të duarve të tua janë qiejt. Ata do të prishen, po ti mbetesh; edhe të gjithë si rrobë do të vjetërohen, edhe si të veshur do t’i mbështjellësh ata, edhe do të ndërrohen; por ti je po ai, edhe vitet e tua nuk do të shterrojnë”. Edhe cilit prej engjëjve i tha ndonjëherë: “Rri në të djathtën time, deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbje të këmbëve të tua”? A nuk janë të gjithë frymëra shërbyese, që dërgohen për shërbesë për ata që kanë për të trashëguar shpëtim? Prandaj duhet ne më tepër t’ua vëmë veshin atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjëherë. Sepse nëse doli e vërtetë fjala që u fol me anë të engjëjve, edhe çdo shkelje e mosdëgjim mori shpagim të drejtë, atëherë si do të shpëtojmë ne, në e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? i cili, pasi zuri të flitet prej Zotit, u vërtetua ndër ne prej atyre që e dëgjuan.

UNGJILLI - Marku 2:1-12.

Edhe pas disa ditësh përsëri hyri në Kapernaum; dhe u dëgjua se është në një shtëpi. Edhe përnjëherë u mblodhën shumë vetë, aq sa as vendet pranë derës s’i nxinin më; edhe ai u predikonte atyre fjalën. Edhe vijnë tek ai e sjellin një të paralizuar që e ngrinin katër vetë. Edhe pasi s’mund të afroheshin tek ai nga turma, zbuluan kulmin ku ishte ai, edhe si bënë një vrimë, zbritën shtratin, mbi të cilin dergjej i paralizuari. Edhe Jisui, kur pa besimin e tyre, i thotë të paralizuarit: Bir, t’u falën mëkatet e tua. Edhe ca nga shkruesit ishin atje duke ndenjur, edhe duke menduar në zemrat e tyre: Ç’flet ky kështu blasfemira? Cili mund të falë mëkate, përveçse një, Perëndia? Edhe Jisui menjëherë si e mori vesh në shpirtin e tij se po mendohen kështu me veten e tyre, u tha atyre: Përse i mendoni këto në zemrat tuaja? Ç’është më lehtë t’i them të paralizuarit: T’u falën mëkatet, apo t’i them: Ngrihu, e merr shtratin tënd, edhe ec? Po që ta dini se i Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkate mbi dhe, – i thotë të paralizuarit: Ty të them, ngrihu dhe merr shtratin tënd e shko në shtëpinë tënde. Edhe ai u ngrit menjëherë dhe mori shtratin, edhe doli përpara të gjithëve, aq sa të gjithë çuditeshin dhe lavdëronin Perëndinë, duke thënë se kurrë s’kemi parë kështu.