Sepse Perëndia, kur i premtoi Abrahamit pasi s’kishte asnjë më të madh, mbi të cilin të betohej, u betua mbi veten e tij, duke thënë: “Vërtet duke bekuar do të të bekoj, edhe duke shumuar do të të shumoj”. Edhe kështu Abrahami, duke pritur me durim, fitoi premtimin. Sepse njerëzit betohen mbi më të madhin, edhe për ata betimi për të vërtetuar është fundi i çdo kundërshtimi.
Kështu Perëndia, duke dashur t’u tregojë më tepër trashëgimtarëve të premtimit pakthyeshmërinë e vullnetit të tij, vuri ndërmjetës betimin, që me anë dy gjërash të pakthyeshme, në të cilat është e pamundur të gënjejë Perëndia, të mund të kemi ngushëllim të fortë, ne që kemi kërkuar një strehë, të mbajmë fort shpresën që kemi përpara, të cilën e kemi si spirancë të shpirtit të sigurt e të vërtetë, edhe që hyn në të brendshmen e kurtinës; atje ku një pararendës hyri për ne, Jisui, duke u bërë kryeprift në përjetësi sipas urdhërit të Melkisedekut.
Edhe një prej turmës u përgjigj, e tha: Mësues, prura tek ti tim bir që ka frymë të pagojë. Edhe kudo ta zërë, e hedh poshtë dhe shkumëzon, e kërcëllin dhëmbët e tij, dhe thahet. Edhe u thashë nxënësve të tu ta nxjerrin, por nuk mundën.
Edhe ai iu përgjigj e tha: O brez i pabesë, deri kur do të jem bashkë me ju? Deri kur do t’ju duroj ju? Silleni atë tek unë. Edhe e prunë tek ai; edhe kur fryma e pa atë, përnjëherë e shkundi fort; edhe ai ra përdhe, edhe rrokullisej duke shkumëzuar.
Edhe Jisui pyeti të atin e atij: Sa kohë ka qëkurse i ngjau kjo? Edhe ai tha: Qëkurse ishte fëmijë i vogël. Edhe shumë herë e hodhi edhe në zjarr dhe në ujëra, që ta humbasë; po nëse mund të bësh gjë, le të të dhimbset për ne dhe ndihmona.
Edhe Jisui i tha këtë: Nëse mund të besosh, të gjitha janë të mundura për atë që beson. Edhe përnjëherë i ati i fëmijës së vogël thirri me lot, duke thënë: Besoj, Zot. Ndihmoje pabesinë sime. Edhe Jisui kur pa se shumë njerëz po mblidheshin duke vrapuar së bashku, qortoi frymën e ndyrë, duke i thënë: Frymë e pagojë dhe e shurdhër, unë të urdhëroj, dil nga ai, edhe të mos hysh më tek ai.
Edhe fryma duke bërtitur e duke e shkundur atë shumë fort, doli; edhe djali u bë si i vdekur, aq sa shumë veta thoshin se vdiq. Edhe Jisui e kapi për dore dhe e ngriti; edhe u çua.
Edhe kur hyri në një shtëpi, nxënësit e tij e pyesnin veçan se pse ne nuk mundëm ta nxjerrim. Edhe ai u tha atyre: Ky lloj s’mund të dalë, veçse me lutje e me agjërim.
Edhe si dolën andej, shkonin nëpër Galile, edhe s’donte ta marrë vesh njeri. Sepse mësonte nxënësit e tij, e u thoshte atyre se Biri i njeriut u dorëzohet njerëzve, edhe do ta vrasin, dhe si të vritet, të tretën ditë do të ngjallet.