Kishte pra edhe dhiata e parë rregulla adhurimi dhe shenjtëroren tokësore. Sepse u ndërtua tenda e parë, në të cilën ishte edhe kandileri, edhe tryeza, edhe paravënia e bukëve, tendë e cila quhet Shenjtërore.
Edhe pas kurtinës së dytë ishte tenda që quhet Shenjtërore e Shenjtëroreve, e cila kishte një temianicë të artë, edhe arkën e dhiatës të mbuluar përreth nga të gjitha anët me ar, në të cilën ishte shtamba e artë që kishte mannën, edhe shkopi i Aronit që çeli sythe, edhe pllakat e dhiatës.
Edhe përsipër asaj ishin Kerubimet e lavdisë që i bënin hije shlyesit; për të cilat nuk është tani nevoja të flasim hollësisht. Edhe duke qenë këto të ndërtuara kështu, në tendën e parë gjithnjë hyjnë priftërinjtë që bëjnë lutjet. Po në të dytën një herë në vit hyn vetëm kryeprifti, jo pa gjak, të cilin e blaton theror për veten e tij dhe për fajet e popullit, që i bëjnë nga padija.
Edhe në ato ditë Mariami u ngrit e shkoi me nxitim në malësi, në një qytet të Judës. Edhe hyri në shtëpinë e Zaharisë, dhe përshëndeti Elisabetën. Edhe sapo dëgjoi Elisabeta përshëndetjen e Marisë, kërceu foshnja në barkun e saj; dhe Elisabeta u mbush me Shpirt të Shenjtë.
Edhe thërriti me zë të madh, e tha: E bekuar je ti në mes të grave, dhe e bekuar është pema e barkut tënd. Edhe nga më ngjau kjo, të vijë e ëma e Zotit tim tek unë? Sepse ja, sapo erdhi zëri i përshëndetjes tënde në veshët e mi, kërceu foshnja me gëzim në barkun tim. Edhe lum ajo që besoi, se do të përmbushen tek ajo ç’janë folur prej Zotit.
Edhe Mariami tha: Shpirti im madhëron Zotin, edhe shpirti im u gëzua në Perëndinë shpëtimtarin tim, sepse hodhi sytë mbi përuljen e shërbëtores së tij, sepse ja që tani e tutje gjithë brezat do të më lumturojnë, sepse i Fuqishmi bëri punë të mëdha tek unë, dhe i shenjtë është emri i tij. Edhe Mariami ndenji bashkë me të afro tre muaj; pastaj u kthye në shtëpinë e saj.