Ishte rreth vitit 450 pas Krishtit, kur një ushtar bizantin i quajtur Leoni shëtiste në një pyll në territorin e mbretërisë së Konstandonopojës. Papritur shikon para tij një djalë të verbër, që kërkonte pak ujë për të shuar etjen e tij. Leoni me gjithë gatishmërinë e tij filloi të gjejë ujë. Kërkoi nëpër pyll, por më kot. Kështu u kthye i mërzitur te djali i verbër. Por dëgjoi një zë gruaje që i thotë: Leon nuk është nevoja që të shqetësohesh e mërzitesh, uji është pranë teje”. Dëgjon sërish zërin e panjohur ta urdhërojë: “Leon mbret, merr nga ky ujë dhe jepi djalit të verbër të pijë e të shuajë etjen, madje edhe diçka tjetër, me këtë ujë lag sytë e tij dhe do të kuptosh menjëherë se cila jam unë që po flas me ty”.
Leoni bëri në të vërtetë sipas këshillës dhe ndodhi ashtu si dëgjoi nga zëri; i verbri fitoi shikimin. Njëkohësisht u hapën dhe sytë e Leonit, i cili kuptoi se ai zë që i foli ishte i Hyjlindëses që bëri dhe mrekullinë për të verbrin. Kështu u gjet Burimi i Ujit Shpëtimtar dhe u realizua fjala e Hyjlindëses, që Leoni do të bëhej mbret, dhe u bë në vitin 486 si Leoni I, ose Markelis. Kisha jonë e nderon si shenjt më 20 janar. Leoni ndërtoi edhe një kishë për nder të Hyjlindëses së Burimit Jetëdhënës që t’i kujtojë dhuratat që ajo i bëri atij dhe gjinisë njerëzore.
Shën Januari, episkopi i Kishës së Beneventos në Kampania (Itali), u arrestua bashkë me shokët e tij në kohën e persekutimit të Dioklecianit (rreth vitit 305), me urdhër të guvernatorit të krahinës. Të lidhur me zinxhirë, i futën në burg dhe i torturuan. Shën Januarin e hodhën më pas në një furrë të ndezur, nga ku doli i paprekur, i ruajtur nga Hiri i Perëndisë. Tirani pati frikë se mos populli, i entuziazmuar nga kjo mrekulli, do të kthehej në masë, prandaj dha urdhër t’i pritej menjëherë koka.
Populli i Napolit u sul për ta çliruar, por shenjtori nuk i la dhe u premtoi se, me anë të martirizimit, do të bëhej mbrojtësi i përhershëm i qytetit. Me të vërtetë, në vazhdën e shekujve, shenjtori është bërë mbrojtësi i qytetit, si gjatë epidemive të ndryshme, ashtu edhe në rastet e shpërthimit të Vezuvit, kur ndërmjetimi i tij ndaloi lumin e llavës para se të shkatërronte gjithçka.
Bashkë me kokën e tij të nderuar, në katedralen e Napolit ruhet deri më sot edhe një flakon me gjakun e tij, që kthehet në lëng deri në njëzet raste gjatë vitit dhe duket si të ishte i freskët.
Shumë vite pas martirizimit të shën Januarit, kur persekutimi kishte reshtur dhe Krishterimi nisi të përhapej me shkëlqim në mbarë perandorinë, një vejushë e varfër, e quajtur Maksimiana, humbi djalin e saj të vetëm. Ndërsa ishte duke qarë e pangushëlluar, para kishës, pa të varur mbi derë një pëlhurë, në të cilën ishte pikturuar ikona e martirit të shenjtë. I erdhi në mendje shembulli i Sunamites, biri i së cilës u ngjall nga profeti Elisé (III Mbretërit 4).
Atëherë ajo mori ikonën e shenjtë dhe e vendosi mbi trupin e djalit të vdekur, siç bëri dikur profeti kur u shtri mbi fëmijën, duke e vendosur gojën e tij mbi gojën e djalit, sytë mbi sytë e tij dhe duart mbi duart e tij. Pastaj ajo e luti shenjtorin me lot të ndërmjetonte pranë Perëndisë që i biri t’i kthehej në jetë. Në çast, me ndërmjetimin e shën Januarit, Perëndia e ngjalli djalin.
– MBRETËRESHA ALEKSANDRA, E SHOQJA E DIOKLECIANIT –
Shën Aleksandra ishte gruaja e perandorit Dioklecian. Gjatë martirizimit të shën Gjergjit, pa me frikë shenjtorin që i rezistoi me trimëri tiranit. Për më tepër, u habit që ai mbeti i paprekur në të gjitha torturat që i bënë, me anë të ndërhyrjes së Hirit Hyjnor, gjë që solli në besim një numër të madh paganësh. Nën ndikimin e këtyre ngjarjeve, edhe ajo pohoi Krishtin, Perëndinë e vërtetë. Diokleciani u tërbua, e futi në burg dhe urdhëroi t’i pritej koka bashkë me shën Gjergjin. Kur mësoi këtë lajm, shenjtorja u lut dhe ia dorëzoi shpirtin Perëndisë, para se të pabesët të vinin dorë mbi të.
Shërbëtorët e saj, Apollo, Isaaku dhe Kodrati, kur panë zonjën e tyre që mohoi gjithçka për hir të dashurisë për Krishtin, u kthyen në të krishterë dhe u paraqitën vetë përpara perandorit, duke e qortuar hapur për barbarinë e tij. Perandori i arrestoi dhe dha urdhër që Kodratit t’i pritej koka në mëngjes. Dy shokët e tij, që mbetën në burg në pritje të vendimit, i lanë pa ngrënë e pa pirë për ditë të tëra dhe kështu ia dorëzuan Perëndisë shpirtrat e tyre të lumur.