Shenjtori i ditës – 23 Prill

- DËSHMOR I MADH GJERGJ TROFEPRURËSI -

“Kur ishte 10 vjeç, i vdiq i ati, zyrtar nga Kapadokia, kështu që nga Armenia, ku jetonin atëherë, u zhvendos me nënën e tij” në atdheun e saj, Diospoli (Lidha, Lod) të Palestinës. Megjithëse vetëm 20 vjeç dhe tashmë fare jetim, ishte kont i ushtrisë romake. Gjatë përndjekjeve, kur zbuloi besimin e tij, u torturua nga perandori Dioklecian (284–305). E shpuan me shtizë, e shtypën me gurë dhe e kaluan në “rrotë” (Atë që torturonin e lidhnin të tendosur mbi një rrotë. Kur rrota rrotullohej, trupi shqyhej nga thikat dhe ganxhat që ishin poshtë vertikalisht). Ndërkaq një engjëll e shpëtoi, kështu që besuan shumë veta dhe ua prenë kokat. U ndriçuan më shumë njerëz, sapo doli përsëri i paprekur nga një gropë gëlqereje. Më pas eci me këpucë hekuri të skuqur me gozhdë nga brenda, u rrah me kërbaç dhe iu dha helmi i magjistarit Athanas, të cilit iu pre koka, sepse u kthye duke e parë atë të mos dëmtohet, dhe madje të ngrejë një të vdekur. Ngjalli një ka të bujkut të varfër, Gliqeri. Bujkun e varfër e therën. Në të njëjtën mënyrë u konvertua dhe mbretëreshë Aleksandra (21 prill). Së fundi, dëshmori i madh, në vend që t’iu falej idhujve të një tempulli, i bëri që të thyhen përtokë në prani të monarkut, i cili, i turpëruar, dha urdhër dhe ia prenë kokën. Natën Trofeprurësi kishte parë në ëndërr në burg Zotin ta kurorëzonte, kështu që e kuptoi dhe porositi shërbëtorin e tij që ta varrosnin në Lidha sipas të tjerëve u martirizua atje. Sipas një tradite vrau një dragua, i cili nuk lejonte që të merrnin ujë nga liqeni, afër të cilit kishte strofkën, vetëm në rast se i jepnin njerëz për ushqim! Stratilati (kryegjenerali) i shumëhimnizuar dhe shumë-mrekullibërës, u nderua kudo qysh herët, ndërsa kishat e tij u ndërtuan që në shekullin e 4-t. Kujtimi i tij, kur bie brenda Kreshmëve të Mëdha, transferohet të Hënën e Pashkës, për t’u festuar në mënyrë të ndritshme. Veç kësaj, më 3 nëntor festojmë vendosjen e trupit në një kishë të tij madhështore, e cila u ngrit në Lidha, sapo pushuan përndjekjet, dhe që u inaugurua në të njëjtën ditë. Emri i tij (d.m.th. ara ose bujqësor) mendojmë se përbën një jehonë të Letrës së Parë drejtuar Korinthianëve 3.9: “Ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë”.

- DËSHMOR THERINI NË BUTRINT -

Gjatë persekutimit të Decit (250), guvernatori Filip u dërgua në Butrint, në krahinën e Thesprotisë (Epiri i Vjetër), përballë ishullit të Korfuzit, për ta detyruar popullsinë t’u falej idhujve të perandorit. Në mes të turmës, një i krishterë me emrin Terin, i shquar për virtyte dhe lëmosha, ngriti zërin, për t’u tallur me hyjnitë pagane, që nuk janë gjë tjetër veçse mashtrime demoniake. E arrestuan menjëherë dhe e çuan te guvernatori, para të cilit Terini pohoi me forcë, se ai i mbetej besnik urdhëresës e cila na thotë të adhurojmë një Perëndi të vetëm (Ligji i Përtërirë 6:13). Filipi urdhëroi ta hidhnin në furrë, por shenjtori qëndroi në këmbë në mes të flakëve, duke psalur himne, i shoqëruar nga thirrjet admiruese të turmës. Pastaj i lëshuan shtatë bisha të egra; ato u shtrinë në këmbët e tij, si para një Adami të ri. Shenjtori mbeti i paprekur në të gjitha torturat që tirani urdhëroi t’i bënin dhe kur Perëndia e lejoi, e pranoi me gëzim vdekjen, për t’iu bashkuar korit të shenjtorëve.